Maduro akuzon SHBA-në: Po fabrikon krizën, kërkon rezervat tona të naftës

Maduro akuzon SHBA-në: Po fabrikon krizën, kërkon rezervat tona

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka akuzuar qeverinë e SHBA se po përpiqet të fabrikojë krizën në vend, në përpjekje për të nisur një luftë në Amerikën e Jugut.

Në një intervistë për ABC News, Maduro tha se administrata e Trump kërkon nxitjen e një lufte për të përfituar rezervat e mëdha të naftës në Venezuelë.

"Çdo gjë që qeveria e Shteteve të Bashkuara ka bërë është e destinuar të dështojë. Ata po përpiqen të fabrikojnë një krizë për të justifikuar ndërhyrjen në politikë dhe ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë për të zhvilluar luftë ne Amerikën e Jugut,"-tha ai.

Ndërsa shtoi: "Shtetet e Bashkuara duan naftën në Venezuela dhe janë të gatshëm të shkojnë në luftë për naftën. Jo SHBA, më lër ta korrigjoj, qeveria ekstremiste e Ku Klux Klan që drejton Donald Trump dëshiron një luftë për naftën. Kjo është një luftë për naftën dhe më shumë më tepër, për shkak të pasurive të vendit tonë."

Maduro tha se SHBA po gjen pretekste për të ndërhyrë në politikën e brendshme të vendit.

"Ata gjithmonë gjejnë pretekste, shpikin justifikime për të ndërhyrë në politikën e një shteti, ashtu si me Irakun. Kriza humanitare, shkelja e të drejtave të njeriut, mungesa e demokracisë apo ndihmuat për popullin venezuelian janë pretekste. Ata duan të na bombardojnë, të na shkatërrojnë vendin. Janë justifikime për përshkallëzim, për pushtim ushtarak. Kjo shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara. Venezuela është një vend paqësor dhe nuk përbën kërcënim as për SHBA dhe as për një shtet tjetër në botë. Problemet e venezuelasve janë çështjet tona dhe duhet të zgjidhen vetëm nga venezuelasit,"-tha presidenti.

EMISIONET