Maas: Diskutimet për shkëmbim territoresh janë të gabuara

Maas: Diskutimet për shkëmbim territoresh janë të gabuara

Gjermania tërhoqi vërejtjen të premten se rivizatimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të nxisë tensionet etnike. Në hapje të takimit ndërmjet ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian me ata të vendeve kandidate për anëtarësim në Vjenë, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, tha se diskutimet për shkëmbim territoresh janë të gabuara.

"Ne besojmë se kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra dhe së këndejmi jemi shumë skeptikë," u tha ministri Maas gazetarëve. Edhe disa nga ministrat e tjerë të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, ritheksuan qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, shfaqi drojën për "pasojat shumë negative", ndërsa shefi i diplomacisë finlandeze, Timo Soini, tha se kjo do të ishte e rrezikshme.

Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, tha se "ndryshimet e kufijve gjithnjë kanë krijuar probleme të reja".

Edhe Britania e Madhe ka tërhequr vërejtjen se shkëmbimi i territoreve do të ishte destabilizues.

Ministrat e Jashtëm mbështetën ndërkaq vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të cilat pritet të vazhdojnë më 7 shtator./VOA

EMISIONET