Pasardhësit e delegatëve të Kongresit të Lushnjes: Të shpallet festë kombëtare 21 janari

Në Lushnje u përkujtua 99-vjetori i Kongresit Kombëtar, aktit të cilësuar historik ku u konsolidua pavarësia e parlamentarizmi dhe u hodhën bazat e shtetit modern. Kryeparlamentari, Gramoz Ruçi, e cilësoi ylber që lajmëroi ndërgjegjen politike, ndërsa lajmëroi se pasardhësit e delegatëve kërkuan shpalljen e festës kombëtare ditën e nisjes së punimeve.

99-vjet me parë Kongresi i Lushnjes konsolidoi me një akt kushtetues pavarësinë e vitit 1912 dhe themeloi parlamentarizmin në Shqipëri.

Në 10 ditë punime u hodhën bazat e shtetit modern duke caktuar Tiranën kryeqytet, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit në ditë të vështira.

Ndaj kryeparlamentari, Gramoz Ruçi, në festimet e mbajtura me këtë përvjetor e cilësoi si ylber që lajmëroi rilindjen e ndërgjegjes politike.

Ruçi: Si një ylber pas rrebesheve të kohës, Kongresi i Lushnjës rilindi ndërgjegjen e lartë politike dhe tregoi pjekurinë e shqiptarëve, në mbrojtje të pavarësisë, në konjukturat e rrezikshme pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Do të mjaftonte ky Kongres, për ta bërë qytetin, historinë dhe popullin e Lushnjës krenarë për kontributin për Shqipërinë.

Kongresi u mbajt në shtepinë e patriotit Kaso Fuga. Aty kryeparlamentari Ruçi dhe zëvendëskryeministri i sapoemëruar Erjon Braçe, morën nga pinjollët e atdhetarëve kërkesën për shpalljen festë kombëtare ditën e nisjes së Kongresit.

Viti tjetër shënohet 100 vjetori i parlamentarizmit shqiptar, i cili sipas kryeparlamentarit Ruçi do të kremtohet me aktivitete të shumta që do të marrin jetë pikërisht nga shtëpia e Kongresit në Lushnje.

EMISIONET