Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste Luis Ayala ka komentuar krizën politike në Shqipëri dhe djegien e mandateve nga opozita. Deklarata është bërë gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçi dhe delegacionin parlamentar shqiptar që morën pjesë në punimet e Unionit Ndërparlamentar në Doha të Katarit.

"Në asnjë prej 170 vendeve të Unionit Ndërparlamentar nuk ndodh që opozita të djegë mandatet e popullit në mënyrë aq të papërgjegjshme siç bënë PD dhe partia tjetër më e vogël (LSI) në Shqipëri. Në vend që të bënin opozitë duke kritikuar dhe sjellë alternativën e vet, opozita në Shqipëri, një vend çdo ditë e më shumë pranë BE, ka zgjedhur rrugën e akteve vandale, protestave të dhunshme dhe djegien e mandateve si veprim të paprecedentë në Europë", citohet të ketë thënë Ayala.

Kuvendi i Shqipërisë citoi zyrtarin e internacionales socialiste të ketë thënë se opozita mund të kritikonte ashpër qeverinë në Kuvend, madje mund të organizojë edhe protesta paqësore në rrugë, por ajo ka zgjedhur largimin e pakthyeshëm nga asambleja e popullit dhe sulmet e dhunshme ndaj këtij institucioni.

/Ora News.tv/