Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka paralajmëruar se vendi i tij do vetëmbrohet dhe kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi, pasi realizoi disa ndër sulmet më të mëdha ajrore në disa zona të caktuara në Siri pas disa dekadave.

Netanjahu nënvizoi se kjo është e drejta dhe detyra e shtetit izraelit, dhe paralajmëroi se do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është e nevojshme. Izraeli nisi sulmet e mëdha ajrore  kundër objektivave iranianë pasi ushtria izraelite tha se kishin kapur një dron iranian në territorin e tyre. 

Prania e Iranit në Siri ka shkaktuar alarm dhe tensione në shtetin izraelit. Kryeministri i vendit, Netanjahu paralajmëroi se politika e Izraelit për tu vetëmbrojtur kundër çdo përpjekjeje që dëmtojnë sovranitetin e tyre,  ishte absolutisht e qartë, por shtoi më tej gjatë një takimi me krerët ushtarakë të vendit, se Izraeli synon paqen.  

Ndërkohë nga ana tjetër, Irani ka mohuar akuzat e Izraelit lidhur me avionët dronë. Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit nënvizoi në një deklaratë se mbështet fuqishëm të drejtën e Izraelit për tu vetëmbrojtur dhe akuzoi Iranin për konfrontim të situatës.

Përmes një telefonatë me Z. Netanyahu, presidenti rus Vladimir Putin theksoi nevojën për të shmangur një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve. Putin është mbështetësi më i madh i  Presidentit Bashar Al-Assad, në luftën civile të Sirisë që ka shpërthyer prej disa vitesh. 

Nga ana tjetër edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje të menjëhershme që të ndalen të gjitha veprimet, që kërcënojnë një përhapje të rrezikshme të luftës në të gjithë kufijtë e Sirisë. 

Ushtria izraelite tha se kishte shkaktuar dëme të mëdha në objektivat në Siri në "sulmin më të rëndësishëm" të këtij lloji kundër vendit, që nga Lufta e Libanit në vitin 1982.

/Ora News.tv/