Presidenti amerikan Donald Trump thotë se nuk po nxiton që të finalizojë bisedimet tregtare me Kinën. Reagimi i Trump në Twitter erdhi pak orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dyfishuan tarifat për shumë produkte kineze.

Ai tha se bisedimet dypalëshe po vazhdonin në mënyrë "të këndshme", pavarësisht tarifave të reja që u vendosën në Washington mesnatën e së premtes.

"Bisedimet me Kinën vazhdojnë në mënyrë të këndshme - nuk ka aspak nevojë për tu nxituar", shkruajti Presidenti në Twitter.

Ndër të tjera, ai shtoi se dyfishimi i të ardhurave do të sjellë përfitime pasi të gjitha do shkojnë për thesarin e Shteteve të Bashkuara.

Më 10 maj, Washingtoni rriti nga 10 në 25% tarifat për mallrat kineze që arrijnë në vlerën e 200 miliardë dollarëve. Ndërkohë, Kina është zotuar se do kundërpërgjigjet për këtë dyfishim të tarifës.

Trump po bën bisedime me autoritetet kineze për të arritur përfundimin e Luftës Tregtare mes Kinës dhe ShBA-së.

/Ora News.tv/