Arkivat e Luftës së Ftohtë janë hapur dhe mundësia që iu ofrojnë studiuesve është e pafundme. Është koha që marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë komuniste të shihen nën një dritë krejt të re.

Kaq afër dhe kaq larg Italia për Shqipërinë komuniste. Por historianët e të dyja vendeve po duan të provojnë një tregim tjetër për marrëdhëniet mes tyre gjatë luftës së ftohtë.

Luca Riccardi, Universiteti i Cassinos: Janë dy popuj që pas disa dekadave të vështira paraardhëse, dalëngadalë fillojnë të zbulojnë se janë edhe më afër nga sa mendonin. Pra nuk janë vetëm dallimet ideologjike. Nën këto dallime ka një afërsi kulturore prej ajri Adriatik.

Profesor Riccardi i Universitetit të Kasinos sjell një vështrim të politikës dhe diplomacisë italiane për përndjekjen fetare në Shqipëri, duke theksuar se diplomatët italianë nuk paskan qenë dhe aq të izoluar për të parë realitetin brutal.

Sepse ndër të tjera ata frekuentin katedralen katolike, deri atëherë kur ishte e hapur.

Riccardi: Enver Hoxha donte të shquhej në botën komuniste, të ishte realizuesi i një komunizmi të plotë, efektiv dhe origjinal që kishin dashur Marksi dhe Lenini, prandaj duhej aksioni ndaj fesë që ata e cilësonin opium për popullin.

Po edhe vitet e Shqipërisë kineze nuk janë pa ngjarje mes dy vendeve.

Dr. Nicola Pedrazzi: Nga këndvështrimi i studimit tim janë vite të një konflikti të madh ideologjik, edhe për partinë komuniste italiane ku lindin grupe komuniste filo-kineze që shohin tek Shqipëria tokën që kishte kurajën të kryejë një revolucion, një tokë komuniste që ia kishte dalë mbanë, një tokë të së ardhmes. Këto grupe fillojnë të vizitojnë Shqipërinë për të njohur komunizmin shqiptar. Pra bëhet fjalë për një përvojë ideologjike.

Prof. Nevila Nika: Një ndarje që i ndodh Shqipërisë është Lufta e Ftohtë, nga një e majtë europiane më njerëzore në një të majtë të egër krejtësisht lindore.

Kjo është konferenca e dytë historike për marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë.

Krahas studimeve italiane për Shqipërinë e periudhës fashiste dhe emigracionin e madh të viteve nëntëdhjetë, po mbushet edhe një boshllëk historiografik.



/Ora News.tv/