Ashtu siç kishin paralajmëruar të shtunën, aleatët e Partisë Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane dhe Partia Agrare Ambjentaliste dorëzuan sot në KQZ kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet vendore të 13 tetorit të dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.

Kërkesa e LSI-se  mban firmën e sekretarit të Përgjithshëm Endri Braimllari  ka datën 3 gusht 2019, kërkesa e PR mban firmën e Fatmir Mediut dhe datën 3 gusht 2019, ndërsa kërkesa e PPA mban firmën e Agron Dukës dhe datën e sotme 5 gusht.

"Kjo kërkese vjen pas kërkesës së bërë nga disa opozita që të nisë me procedurat e cila në mënyrën politike kamikaze të 4 përfaqësësuesve të KQZ të mos merrnin pjesë në mbledhje. Ka një dekret të detyrueshëm të presidenti, zgjedhjet janë më 13 tetor kush nga kamizaët e Rilindjes në KQZ nuk respekton Kushtetutën dhe ligjet e Republikës do të mbajë përgjegjësitë e veta penale. Mesa duket këto i kanë marrë parasysh, të bëhen kamikazë të Edi Ramës dhe Rilindjes dhe ti mbajnë vetë përgjegjësitë" u shpreh Braimllari në një prononcim për median. 

Po a është një qëndrim i rakorduar me PD apo mund të flasim për një përçarje?

Braimllari iu shmang pyetjes por u shpreh: "Unë kam ardhur në emër të LSI-së për të dorëzuar kërkesën për regjistrimin e LSI-së. E rëndësishme është që 13 tetori është ditë zgjedhjesh për pushtetin lokal dhe është e respektueshme për të gjithë"

Sot është afati i fundit i dorëzimit të kërkesës. 

Mbledhja e thirrur nga kryetari i KQZ-së të shtunën e 3 gushtit dështoi për shkak se nuk kishte kuorumin. Në mbledhje u paraqit vetëm kryetari Klement Zguri ndërsa 4 anëtarët e tjerë nuk ishin me pretendimin se ishin me leje vjetore. 


/Ora News.tv/