Lojërat Olimpike Dimërore, skiatori kosovar: Ja vlejti!!

Lojërat Olimpike Dimërore "Pyeongchang 2018" ka ulur siparin, ndërsa skiatori kosovar Albin Tahiri është përshëndetur me fshatin olimpik, ku thotë se ia ka vlejtur pjesëmarrja e tij

 “Tashmë gjithçka ka përfunduar. Ishte aventurë e madhe dhe natyrisht ia ka vlejtur i tërë përkushtimi që e kam bërë”, shkruan Tahiri.

Skiatori kosovar garoi në pesë disiplina, duke filluar nga kombinimi alpin, ku përfundoi i 37-të nga 65 garues.

Në disiplinën e lëshimit ishte më i dobët, duke e mbyllur në vendin e 50’ nga 57 garues, ndërsa më mirë ishte në super sllallomin e madh, ku garën e përfundoi në vendin e 47-të nga 62 garues.

Shumë më i mirë ishte në dy disiplinat e fundit, ku fillimisht në sllallomin e madh përfundoi në vendin e 56-të nga 110 garues, ndërsa në sllallom ishte i 39-të nga 108 garues, që ishte edhe paraqitja e tij më e mirë.

Albin Tahiri ishte sportisti i parë nga Kosova që merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore.

EMISIONET