Nga 1 janari i vitit që vjen, pikat e basteve dhe lojërat e fatit nuk do të lejohen më në qendrat e banuara. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe, tha se nuk do të lejohet më asnjë shtyrje në zbatimin e ligjit. Braçe gjithashtu propozoi që të rriten taksat për bastet dhe lojërat duke kërkuar skemën e re nga Ministria e Financave me qëllim zbatimin e saj në paketën e ardhshme fiskale. Në mbledhjen e radhës, Komisioni ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës ndryshimet e propozuara për paketën fiskale. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, prezantoi lehtësirat për biznesin.

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të fillojë zbatimi i ligjit që parashikon trasferimin e basteve dhe lojërave të fatit jashtë qendrave urbane dhe të banuara.

Në mbledhjen e radhës, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, tha në mënyrë të prerë se shtyrjet e mëtejshme nuk do të tolerohen.

Ai ka propozuar edhe rritje të nivelit të taksave për lojërat e fatit dhe bastet.

Gjatë diskutimit të ndryshimeve fiskale të propozuara nga qeveria, Erjon Braçe i kërkoi Ministrit që ndryshimet të dorëzohen në Kuvend në vjeshtë dhe të kalohen me paketën fiskale për vitin e ardhshëm.

Braçe: Në fund të këtij viti mbaron afati, është fati përfundimtar për mbylljen e lojërave elektronike të fatit.

Ahmetaj: Nuk shtyhet.

Braçe: Në 1 janar të vitit 2019 lojërat elektronike të fatit të zhduken nga çdo fund pallati, bodrum pallati dhe të dalin atje ku i ka përcaktuar ligji. Së treti, kemi diskutuar dhe bashkërisht për një tatim të ri mbi kompanitë e basteve, apo jo?

Përtej propozimeve të bëra nga qeveria për të lehtësuar skemën e agroturizmit, deputetët e maxhorancës kërkuan që TVSH të bëhet 6 % edhe për pijet alkoolike.

Braçe: Mendoj se është anormalitet që një verë e prodhuar në Rrozhnik të shitet brenda hotelit me 4-5 Yje në Tiranë e gjetkë me 6% TVSH dhe një verë e prodhuar në Rrozhnik të shitet në kantinën e Rrozhnikut me 20%.

Në Komision u kalua edhe një shtesë e cila parashikon zero tatim fitimi në rast të ndryshimit të pronësisë për tokën bujqësore brenda familjes.

Braçe: Që nga ky moment ne shkojmë drejt tatimit zero lekë dhe për këtë gjë, kjo është ajo që po bëjmë.

Komisioni miratoi ndryshimet fiskale vetëm me votat e maxhorancës ndërsa miratimi në parlament pritet të bëhet të hënën.

Disa prej ndryshimeve ishin rritja e pragut të biznesve që do paguajnë tatim-fitim 5% deri në 14 mln, ulje e TVSH dhe e tatim-fitimit për agroturizmin si dhe ulja e tatim-fitimit për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

/Ora News.tv/