500 mln euro është dëmi që i shkaktohet buxhetit të shtetit si rezultat i favorizimeve në tregun e lojërave të fatit. Kjo është akuza e demokratëve drejtuar kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë për mediat, deputeti demokrat Endri Hasa deklaron se kryeministri po shtyn hyrjen në fuqi të ligjit për lojërat e fatit për të favorizuar vëllain.

Hasa: Pas katërfishimit të pikave të basteve në Shqipëri fshihej plani korruptiv i Edi Ramës për t’i dhënë të vëllait Olsi Rama, miliona euro fitime nëpërmjet koncesionit të mbikëqyrjes së lojërave të fatit. Për zbatimin e planit korruptiv të Edi Ramës shërbeu rritja e informalitetit në tregun e bixhozit që lidhet direkt me familjen e kryeministrit dhe që deri tani i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej të paktën 500 milionë euro.

Selia blu premton se me ardhjen në pushtet PD do anulojë çdo ligj selektiv, çdo koncesion monopol dhe do rishikojë ligjin antimafia.

Hasa: Rishikimi i ligjit antimafia nga Partia Demokratike do të sigurojë sekuestrimin e çdo qindarkë dhe pasurie të vënë nëpërmjet krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar të lidhur me të. 

 Sipas PD në dy vitet e fundit në vend operojnë rreth 1940 biznese të reja të pa licencuara të bixhozit të cilat as nuk janë mbyllur dhe as nuk janë gjobitur. 

/Ora News.tv/