​Loja e rrezikshme e Hashim Thaçit në finale. S'ka vija të kuqe ndaj Serbisë

Presidenti Hashim Thaçi është kthyer nga Brukseli e Parisi, disa ditë pasi takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të fazës së fundit të bisedimeve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Ai të enjten mbajti një konferencë për media, ku u bëri thirrje partive që t'i bashkohen në dialogun me Serbinë. Por, vetëm pak më vonë, Lidhja Demokratike e Kosovës i reagoi ashpër. Thaçi duhet të shpjegohet vetë, por, si duket, ka pranuar që edhe ndarja e Kosovës të jetë në tryezë të bisedimeve, e po ashtu edhe ndryshimi i Kushtetutës, kur tha se në këto negociata s'ka vija të kuqe.

Nuk dihet nëse bëri një gafë, tha diçka sa për ta frikësuar LDK'në, apo diçka krejtësisht të vërtetë. Hashim Thaçi, me t’u kthyer nga Parisi, ku qëndroi pas bisedimeve që pati në Bruksel me shefin e shtetit serb, tha se në fazën e fundit të bisedimeve nuk ka vija të kuqe dhe nëse, sipas tij, nuk shfrytëzohet ky rast për marrëveshje me Serbinë, Kosova mund të shndërrohet në Palestinë. 

Këto deklarata, që Thaçi mund t'i ketë menduar si një lloj presioni, në rend të parë për LDK'në opozitare, dhe për NISMA'n, që është pjesë e Qeverisë, kanë pasur kundër efekt të menjëhershëm. 

Thaçit i ka reaguar ashpër LDK’ja, e cila e quajti naivitet krahasimin me Palestinën, dhe faktin që Thaçi zbuloi se në bisedimet finale me Serbinë nuk ka vija të kuqe. "Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë" thuhet në reagim. Në reagim, LDK’ja e ka quajtur naiv deklarimin e Thaçit se Kosova mund të bëhet si Palestina.

"Së këndejmi, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës", theksohet më tej në reagim.

Tutje, LDK ka bërë thirrje që Thaçit t'i vendosen vijat e kuqe nga Kuvendi, pasi pa autorizim e ka marrë në duar fatin e vendit.

Por, Thaçi, në adresimin para gazetarëve, po ashtu ka thënë se refuzimi për të marrë pjesë në bisedime është refuzim i përballjes me Serbinë.

"Beteja me Serbinë zhvillohet tani në tavolinë në Bruksel, e jo në monologjet e thata të studiove televizive”, ka thënë ai. "Refuzimi i pjesëmarrjes në negociata është shmangie nga beteja që duhet të zhvillohet tani", ka shtuar ai.

Por, nëse shefi i shtetit nuk ka bërë gafë, por ka thënë diçka të vërtetë për mungesën e vijave të kuqe, atëherë ai si duket vendin e ka përfshirë në diçka të rrezikshme.

Vlen të theksohet se pala kosovare, sa herë ka shkuar në bisedime, ka mbajtur qëndrime të forta, por me presion diplomatik ata kanë ndryshuar fjalët. Është e çuditshme që këtë herë Thaçi është bërë më direkt, duke thënë se nuk ka vija të kuqe qysh në fillim të procesit. Nuk dihet se çfarë i bie kjo, a nënkupton ndryshimin e Kushtetutës për Asociacionin, biseda për ndarjen e Kosovës, apo edhe koncesione tjera. Për këto, më së miri mund të deklarohet vetë Hashim Thaçi, i cili, muaj më parë, me Vuçiqin kishte folur edhe për ndarjen e Kosovës. Në fillim të muajit të kaluar, Gazeta Express ka raportuar për një takim të pesë vendeve perëndimore, të cilat kishin dakorduar një lloj kornize, brenda të së cilës duhen zhvilluar bisedimet.

Këto shtete ishin pajtuar që “më mirë të mos ketë fare marrëveshje, se marrëveshje të keqe” ndërmjet palëve.

"Marrëveshje e keqe konsiderohet ndarja e Kosovës dhe lejimi i një Republika Srpska në Kosovë”, kishte thënë një burim për Gazetën Express.

Por, si duket Thaçi ka pranuar principe tjera.


EMISIONET