“Logu i Tërgajës” me flamur shqiptar, Mali i Zi paralajmëron padi për organizatorët

Ministria e Kulturës e Malit të Zi ka njoftuar se do të dorëzojë padi kundër organizatorit të festivalit tradicional popullor “Logu i Tërgajës” në Cem të Malësisë, pasi është shfaqur flamuri kombëtar shqiptar, pa flamurin kombëtar të Malit të Zi.

“Meqë në tubimin e përmendur u shfaq flamuri i shtetit fqinj pa flamur kombëtar të Malit të Zi, lidhur me rastin në fjalë do të dorëzojmë padinë penale para organeve kompetente kundër organizatorit", thuhet në njoftim.

Më tej Ministria e Kulturës në Malin e Zi thekson se " manifestimet kulturore nuk duhet të jenë një front për asnjë nacionalizëm, as për shkelje të normave që përcaktohen qartë nga rregullat pozitive ligjore të Malit të Zi."

Ministria nënvizon se harmonia ndëretnike dhe ndërfetare është një nga pasuritë themelore të shoqërisë malazeze.

“Duke respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, të cilët kultivojnë identitetin kulturor dhe kombëtar, me këtë rast edhe një herë theksojmë nevojën e respektimit të dispozitave ekzistuese ligjore, në mënyrë që të shmangen reagimet e ngjashme në të ardhmen. Sepse, ligjet e Malit të Zi duhet të jenë të njëjtë për të gjithë qytetarët e saj”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Kulturës.

EMISIONET