Partia Socialiste nuk heq dorë nga kërkesa ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, që të bëjë transparencë për 500 mijë dollarët e paguar për lobim dhe të sqarojë lidhjen me kompanitë ruse.

Spiropali: Kryetari i opozitës shqiptare nuk mund ta fusë kokën në rërë si struci, as mund të sillet si kamionisti i bananeve që thotë “kamioni është i imi, por s’e di kush ma mbushi me banane” dhe as mund t’i shmanget më drejtësisë, duke e përdorur mandatin e deputetit opozitar siç përdori dikur një raport mjekësor për të mos u përballur me drejtësinë. Këtë herë, nëse është sadopak trim, duhet të dalë e jo të mbulohet me gjethe fiku, por të thotë të vërtetën që tashmë s'ka mbetur gur lumi e dru pylli pa e ditur.

Partia Demokratike iu përgjigj me pyetje akuzave të mazhorancës. Deputetja, Orjola Pampuri, tha se çdo fije e krimit, drogës, korrupsionit dhe lidhjeve me Rusinë qëndrojnë tek qeveria.

Pampuri: Kush i solli rusët e Gunvorit në zyrën e tij në Tiranë? Çfarë u diskutua dhe u ra dakord me ta?A ka Gunvor në Shqipëri një kompani të përbashëkt me Besnik Sulajn, mikun e ngushtë të Edi Ramës? Çfarë marrëveshje ka bërë Edi Rama me Erdoganin për ndërtimin e Aeropotit të Vlorës nga një kompani që ndërton centrale bërthamore me kompani shtetërore ruse? Çfarë ka biseduar Damian Gjiknuri në Shën Petërsburg me Robert Noëikoskyn e Jurimexit, një personazh të cilësuar nga Senati Amerikan dhe Bashkimi Europian si person që rrezikon pavarësinë energjitike të Evropës?

Ky realitet sipas Pampurit nuk mund të fshihet dot nga sulmet që i bëhen Partisë Demokratike, të paguara sipas saj me paratë e kokainës dhe të krimit. 


/Ora News.tv/