Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, u përplasen në rrjetet sociale sa i përket  kontratave të lobimit në Shtetet e Bashkuara.  Rama tha se kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo interferenca të  forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë. Ndërsa Basha tha se gjithçka është mashtrim, duke theksuar se Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka asnjë lidhje direkte dhe indirekte me asnjë individ, organizatë, kompani apo interes rus. 

Deklaratat mbrojtëse të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut, per kontratat lobuese, kryeministri Edi Rama i quajti  një mishmash korruptiv  xhepash të errët. 

Rama: "Që është një mishmash fundekrye korruptiv xhepash të errët, kjo nuk diskutohet sepse vetë mishmashi provohet edhe nga dy prononcime krejt të kundërta, në harkun e 3 muajve nga i zoti i mishmashit;Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet dhe për këtë mjafton të dëgjosh qoftë edhe vetëm këto dy prononcime krejt kontradiktore;Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysëm milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht!"

Rama kërkoi hetim të thellë, duke theksuar se kjo nuk mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo interferenca  forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë. 

Rama: "Duhet të dimë nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme!"

Rama thekson se Shqipëria nuk mund të merret dot peng nga askush dhe shqiptarët pa dallim partie nuk e meritojnë këtë mishmash papërgjegjshmërie politike, ligjore dhe kombëtare.

Reagon Basha: Rama  lidhje të errëta me kompaninë ruse Gunvor

Në kundërpërgjigje, Basha thotë se akuzat e Ramës  janë në vazhdën e qëndrimeve anti-Trump dhe anti-administratës Trump. Sipas tij Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka asnjë lidhje direkte dhe indirekte me asnjë individ, organizatë, kompani apo interes rus.

Basha thotë se nëse ka rrezik rus në Shqipëri ai është Rama.

Basha: Për hir të opinionit publik dëshiroj të sqaroj një herë e mirë disa gjëra: Akuza që Partia Demokratike ka marrë para prej rusëve për të bërë konspiracion së bashku me Presidentin Trump kundër Edi Ramës është një akuzë qesharake, që vetëm një mendje megallomane si Edi Rama mund ta gatuajë. Këto akuza janë në vazhdën e qëndrimeve anti-Trump dhe anti-administratës Trump nga Edi Rama.Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka asnjë lidhje direkte dhe indirekte me asnjë individ, organizatë, kompani apo interes rus.

Dje e akuzova publikisht Edi Ramën për lidhje të errëta me kompaninë ruse Gunvor, por ai sot nuk u përgjigj, duke gatuar një tjetër sallatë ruse, si ajo e Mother Jones, për të fshehur të vërtetat. Nëse ka rrezik rus në Shqipëri, ai vjen përmes Ramës kryeministër! Jo vetëm sepse si njeri i zhytur në krim, ai është lehtësisht i shantazhueshëm nga kushdo, por sepse ai, konkretisht, ka mirëpritur ndikimin rus! Edi Rama duhet të sqarojë publikisht se kush ia solli, çfarë ka biseduar dhe çfarë i ka premtuar kompanisë Gunvor, me të cilën është takuar të paktën një herë në zyrën e tij në Tiranë. Ai duhet të sqarojë, gjithashtu ,se pse mbështet tezën e përkrahur edhe nga Rusia për shkëmbim territori midis Shqipërisë dhe Serbisë. Rama duhet të sqarojë gjithashtu aferën me kompaninë turke që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës, kompani e cila ka kontratë me kompani shtetërore ruse për ndërtim centralesh bërthamore.

Basha nënvizon se PD i ka kërkuar prokurorisë të kryejë çdo verifikim për kontratat e lobimit të PD.

Basha: Për kontrata e lobimit të Partisë Demokratike ne i kemi kërkuar prokurorisë shqiptare të kryejë cdo verifikim dhe i kemi dhënë prokurorisë të gjitha dokument. Për të ruajtur të njëjtin standard dhe për t’i shërbyer drejtësisë, ftoj publikisht prokurorinë shqiptare të fillojë hetimin e burimit dhe mënyrës si Edi Rama, në konspiracion me të tjerë, shkeli ligjet amerikane duke futur para të huaj në fushatën presidenciale Obama. Për këtë çështje ka një vendim të formës së prerë të drejtësisë amerikane që ka vertetuar faktin dhe krimin, prandaj prokuroria shqiptare e ka të lehtë ta hetojë këtë çështje.

Për kreun e PD, fushata e sulmeve, përmes mercenarëve me pagesë, ka për qëllim largimin e vëmendjes së opinionit publik nga droga dhe krimi.

Basha:  Edi Rama ka disa javë që po përpiqet të pushojë hetimet për Saimir Tahirin. Prandaj, fushata e sulmeve, përmes mercenarëve me pagesë, ka për qëllim largimin e vëmendjes së opinionit publik nga droga dhe krimi. Cështjet e drogës si “Xibraka”, Maminasi, Saimir Tahiri janë çështje me rëndësi kombëtare, të cilat nuk duhet lejuar që të mbulohen me mjegullën e propagandës qeveritare, sepse rreziku kryesor për destabilizimin e Shqipërisë është droga dhe krimi. Prandaj, lufta ndaj drogës, krimit dhe lidhjeve të tyre me politikën është prioritet kombëtar.

Të enjten në mbrëmje, në emisionin “Opinion”,  kryetari i opozitës Luzlim Basha, tha se do të padisë për dëmtim imazhi revisten amerikane “ Mother Jones” .

Por nga një kërkim i Ora News, rezulton se për këtë çështje në 8 shkurt, një muaj para revistës amerikane, ka shkruar dhe e përditshmja skoceze “The Herald”.

Binjata, vitin e kaluar pagoi 150 mijë dollarë, për një ish-këshilltar të fushatës së kandidatit amerikan Ted Kruz për të lobuar në emër të Partisë Demokratike shqiptare.   

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, në deklaratat publike tha se do të padisë revistën amerikane, por nuk u shpreh për lobistin Nikolas Muzin, i cili ka deklaruar  se ka marrë para  nga kompania Binjata Tade, për të lobuar në emër të Parrtisë Demokratike. 

 A do ta konsiderojë Basha edhe shkrimin në të përditshmen skoceze dhe a do ti drejtohet organeve të drejtësisë për të kërkuar dëmshpërblim?



/Ora News.tv/