Për themelimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe janë të vlefshme vetëm marrëveshjet e arritura në Bruksel, ka deklaruar Lista Serbe.

Në një komunikatë për medie të këtij subjekti politik që përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës, është thënë se për Listën Serbe janë të papranueshme “disa akte që shërbejnë për përdorim të brendshëm”.

Sipas Listës Serbe, për draftimin e statutit të Asociacionit “i vetmi që ka kompetencë është ekipi menaxhues i përbërë nga katër përfaqësues të serbëve, në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel”, transmeton rel.

Gjithashtu, në këtë komunikatë thuhet se Lista Serbe dhe Qeveria e Serbisë janë skeptike dhe pesimiste, sepse “në Prishtinë nuk ka vullnet të vërtetë për zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe për formimin e Bashkësisë së komunave serbe”.

“Aktivitetet që po paralajmërohen kanë efektin e kinse përpjekjes së përfaqësuesve të shqiptarëve, në mënyrë që të zvogëlojnë presionin ndërkombëtarë, pa ndonjë dëshirë që marrëveshja e Brukselit të realizohet konkretisht”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

/Ora News.tv/