Lista Serbe largohet nga qeveria "Haradinaj"

Lista Serbe largohet nga qeveria "Haradinaj"

Lista Serbe ka vendosur të largohet nga Qeveria Haradinaj, si reagim ndaj arrestimit të Marko Gjuriç në Mitrovicë, një ditë më parë. Por ky vendim mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme, pasi me largimin e Listës, koalicioni qeverisës humbet shumicën në parlament.

Lista Serbe nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë së Kosovës. Ka qenë ky vendimi i kësaj force pas një takimi këshillues të zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd. Kreu i Listës, Goran Rakiç deklaroi se vendimi është marrë pas arrestimit të Drejtorit të Zyrës për Kosovën Marko Gjuriç në Mitrovicë, ngjarje për të cilën presidenti është informuar. Rakiç shtoi se të mërkurën, 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë do të mbajnë një takim, me qëllim që në 20 prill të arrihet krijimi i asociacionit të këtyre komunave.

Pas lajmërimit të vendimit, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Në një konferencë për shtyp, kreu i shtetit deklaroi se ky vendim është i pakuptimtë dhe i njëanshëm. Kryeministri deklaroi se arrestimi i Marko Gjuriç një ditë më parë nuk ishte një veprim drejtuar qytetarëve, ministrave apo zyrtarëve serbë, por ishte vetëm zbatimi i një procedure standarde nga policia. Haradinaj gjithashtu shtoi se ai nuk do të japë dorëheqjen, pas situatës së krijuar.

Por largimi i Listës Serbe nga qeveria mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, pasi koalicioni qeverisës ku kjo forcë bën pjesë, ka humbur shumicën. Për të shmangur një situatë të tillë, qeveria Haradinaj mund të plotësojë vendet e lëna bosh nga Lista. Sidoqoftë, deri më tani nuk ka ende një reagim zyrtar lidhur me këto hipoteza.

EMISIONET