Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë i dërgon Komisionit të Ligjeve listën me tre kandidatët e kualifikuar nga Shoqëria Civile për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sipas dokumentit të publikuar nga Kuvendi, tre kandidatët e kualifikuar për të vazhduar garën, pas vlerësimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit  janë renditur konkretisht: Alfred Balla, me 80 pikë, Andi Muratej me 79 pikë dhe Mimoza Qinami me 78 pikë.

Nga ana tjetër, Kuvendi njofton se 12 kandidatë janë përjashtuar nga gara në raportin e vlerësimit të hartuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

Raporti së bashku me listën e kandidatëve të kualifikuar dhe listën e kandidatëve të skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, si dhe dokumentacioni për secilin kandidat, i është  më 15 janar 2018 Komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend.

Gjithashtu Kuvendi bën me dije se Komisionit të Ligjeve i është vënë në dispozicion edhe kopje e raportit të ONM për vlerësimin e kandidatëve për KLP nga shoqëria civile së bashku me dy listat e hartuara.

Lista e kandidatëve e cila u dërgua në Kuvend nga Avokati i Popullit, ka pësuar ndryshime në numër dhe në renditje duke u paraqitur me një përbërje të re në komisionin e ligjeve.

Avokati i Popullit kishte dërguar në Kuvend listën e fituesve me katër emra dhe me përbërje sipas pikëve: Antela Baçi, Hoxhaj, 81 pikë, Andi Muratej. 79.5 pikë, Mimoza Qinami, 79 pikë dhe Alfred Balla, 63 pikë.

Kriteret mbi të cilat është mbështetur vlerësimi për kandidatët kanë qenë meritat profesionale, ato morale, aftësitë organizative, drejtuese e menaxchuese dhe për merita të tjera.

/Ora News.tv/