Numri i bizneseve që nuk arrijnë të paguajnë as detyrimet ndaj tatimeve është shtuar me 27 për qind. Numri më i lartë i subjekteve me probleme është regjistruar në dy muajt e fundit. ndërsa rritja e listës së zezë duket se ka ardhur prej uljes së konsumit dhe vështirësive ekonomike.

Bizneset në Shqipëri po hasin gjithmonë e më shumë vështirësi  për të shlyer detyrimet. Nga të dhënat e drejtorisë së Përgjithshme rezulton se gjatë 2019 ka pasur rritje të numrit të bizneseve që nuk kanë  mundur të paguajnë taksat duke u futur në listën e zezë të subjekteve.

Vetëm gjatë këtij viti numërohen 7640 subjekte që i janë shtuar listës  së bizneseve me borxhe ndaj tatimeve. Nëse e krahasojmë  me një vit më parë këtë shifër vërehet një rritje me rreth 27% ndërsa numri më i lartë është shtuar gjatë dy muajve të fundit çka lidhet edhe me aksionin anti-informalitet të nisur nga qeveria.

Sipas të dhënave të drejtorisë së Tatimeve në total borxhi ndaj administratës tatimore rezulton të jetë 112 mld lekë.

Emri i bizneseve që kanë detyrime fshihet nga faqja në momentin që shlyhen shumën, ndërsa nëse nuk bëhet pagesa atëherë administrata tatimore ka të drejtë të veprojë duke e bllokuar aktivitetin.

Në total numri i bizneseve që janë të parregullt me taksat janë 27 mijë e 915 biznese. Kjo situatë reflekton vështirësitë me të cilat po përballet biznesi në vend, uljen e konsumit si dhe barrën e taksave që duhet të paguaj.

/Ora News.tv/