Është liruar nga gjitha akuzuat serbi, Bogdan Mitroviç, i cili në fund të gushtit të vitit të kaluar u arrestua në afërsi të Suharekës nën akuzat për krime lufte. Raportohet se lirimi i tij  është rezultat i tërë ekipit të mbrojtjes, Presidenti dhe Qeverisë së Serbisë, shkruan Indeksonline në Kosovë.

Shefi i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Gjuriç e mirëpriti daljen nga burgu të Mitroviçit. Megjithatë, ai bëri thirrje që përpos tij, të lirohen sa më parë edhe të burgosurit tjerë politik; Darko Tasic nga Prizreni, Milanka Terziç nga Peja si dhe Zoran Vukotiç nga Vushtrrisë.

“… dhe të gjithë të tjerët pas hekurave janë vetëm për shkak se janë serbë”, tha Gjuriç.

Vlen të theksohet se Gjykata Themelore e Prizrenit 74 vjeçarit ia kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji si i dyshuar për krime lufte në fshatin Sopi të Suharekës.

“I pandehuri dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale krime lufte kundër popullsisë civile sepse me datën 02.04.1999, në fshatin Sopi ishin vrarë 32 persona civil të paarmatosur, nga ana e forcave të armatosura serbe e ndër ta ishte edhe i pandehuri i lartpërmendur”

“Pasi i pandehuri është me nënshtetësi të Kosovës dhe Serbisë, i njëjti nuk ka vendbanim apo vendqëndrim të sigurt në Kosovë, po ashtu fakti se deri në ditën arrestimit ka qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë, përveç kësaj veprat penale me të cilën ngarkohet janë të rrezikshmërisë së lartë dhe për të cilën parashihen dënime të larta nëse i njëjti do të shpallet fajtor, ashtu që ka gjasa që  i pandehuri të largohet nga Kosova, të arratiset dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë. Andaj Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit”, thuhej në njoftimin e gjykatës. /Indeksonline/

/Ora News.tv/