Pas 20 orësh diskutime, parlamenti i Turqisë ka miratuar një ligj polemizues që lejon formalisht krijimin e aleancave para-zgjedhore dhe ndryshon rregullat për pragun që aleancat duhet të kalojnë për të fituar mandate në parlament. Legjislacioni i jep Bordit të Lartë Zgjedhor autoritetin për të bashkuar rrethet zgjedhore dhe për të lëvizur kutitë e votimit në rrethe të tjera, ndërkohë që gjithashtu lejon hyrjen në qendrat e votimit të anëtarëve të forcave të sigurisë.

Por opozita turke nuk e ka pritur aspak mirë miratimin e këtij ligji. Me lajmërimin e rezultatit të votimit, përfaqësues nga partitë kryesore të pakicës janë përleshur me ligjvënësit nacionalistë.

Kritikët argumentojnë se legjislacioni i hap rrugën mundësisë për mashtrime dhe rrezikon paanëshmërinë në prag të zgjedhjeve të vitit 2019, ku qytetarët turq do të votojnë për Presidentin e ri dhe Asamblenë e ardhshme Kombëtare të vendit. Me shqetësim shihet fakti se presidenti aktual Recep Tayyip Erdogan do të kërkojë një aleancë mes partisë së tij dhe aleatëve nacionalistë, për t’u konfirmuar sërish në krye të vendit. Kritikët gjithashtu argumentojnë se prezenca e forcave të sigurisë në qendrat e votimit mund të përdoret për ta bërë më pak transparent procesin e numërimit të votave.

/Ora News.tv/