Bizneset brenda janarit vendosin kamera, ndryshe gjoba deri ne 3 mln lekë

Bizneset brenda janarit vendosin kamera, ndryshe gjoba deri ne 3 mln lekë

Pas një kalvari të gjatë më shumë se 1 vjeçar debatesh e diskutimesh mes forcave politike edhe brenda mazhorancës, ligji për sigurinë shtesë i cili detyron subjektet private të instalojnë kamera në bizneset e tyre, është një realitet të paktën në letër.

Me 74 pro ligji ia doli të miratohej në parlament dhe ti mbijetojë sulmeve në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata e Tregtarëve me pretendimin se cënonte privatësinë dhe që prej 28 dhjetorit të vitit 2017 është botuar në Fletoren Zyrtare.

Ngjarja deri në kufijtë e terrorit në Shkodër dhe shpërthimet e automjeteve në Tiranë rikthyen vëmendjen e qytetarëve dhe autoriteteve tek siguria në rrugët e Shqipërisë.

Me shpresën se atentatorët do të kenë frikë nga identifikimi, policia e cila tashmë ka ngritur dhe grupet e punës, ka njoftuar se nëse subjektet nuk do të marrin masa në zbatimin e këtij ligji do të përballen me gjoba që variojnë nga 1-3 milionë lekë.

Edhe pse pak ditë na ndajnë nga fundi i janarit, Arben Hajdarmataj, ish-zyrtar i policisë, e sheh këtë ligj dhe masat e tij si të pazbatueshme.

Sipas tij kostoja e lartë dhe mundësia për të shkelur privatësinë, janë dy shqetësime kryesore që ngrihen.

Hajdarmataj: Kamerat në autobuse, tani në një autobus, privatësia e njerëzve ku është? Pastaj lidhja, autobusi si do i mbajë? Pra në sensin praktik ka shumë gjëra që për mendimin tim janë praktikisht të pazbatueshme. Tirana nuk është pa kamera, ka të gjitha kryqëzimet me kamera, ka bashkia kamera, ka policia kamera, pothuajse të gjitha subjektet, hotelet, supermarketet, bankat kanë kamera. Aty ku mund të zhvillohen aktivitete kriminale janë të pajisura me kamera.

Për të kërkuar garancitë që jep ky ligj në raport me privatësinë, Ora News kontaktoi komisionerin për mbrojtjen e të dhënave personale, Besnik Dervishi.

Komisioneri siguroi se për çdo rast qytetarët do të vihen në dijeni përmes tabelave për ambjentet që filmohen.

Dervishi: Një nga detyrimet e zyrës së komisionerit që është reflektuar përmes hartimit të një udhëzimi, është udhëzimi 46 i komisinerit që përcakton nivelin e sigurisë në përpunimin e të dhënave personale nëpërmjet sistemeve të sigurisë që do të vendosen në të gjitha këto subjekte. Një detyrim tjetër për zyrën e komisionerit është dhe ngritja e regjistrit për subjektet që do ti nënshtrohen ligjit për masat shtesë të sigurisë publike.

Edhe pse mundësitë janë të pakta në rastet ku privatësia shkelet, qytetarët duhet të shprehin ankesën e tyre dhe zyra e komisionerit do të marrë masa.

Dervishi: Që nga ajo që në shumë raste na duket formale, e drejta për njoftim. Çdo subjekt që vendos kamera, qoftë apo jo subjkekt i ligjit për masat shtesë të sigurisë. Kamerat për nevoja të veta mund ti vendosë dhe një subjekt që nuk është subjekt i ligjit për masat shtesë të sigurisë publike, por që nga ajo tabela e njoftimit që ky vend survejohet me kamera.

Përsa i përket faturës financiare, pavarësisht kundërshtive ligji është ligj dhe tregtarët i janë bindur duke marrë masat e nevojshme. Këtë e konfirmojnë edhe shitjet e pajisjeve të sigurisë.

"2017 ishte vit goxha më me interes sesa 2016. Edhe 2018 ka filluar me një lloj interesi, është akoma herët të flasim, janë pak ditë por shohim që hyjnë më shpesh njerëz në dyqan dhe pyesin për llojet e kamerave. Kamerat fillojnë nga 20 euro në 150 euro".

Bankat, karburantet, bizneset me xhiro më shumë se 10 mln lekë dhe ata që kanë më shumë se 50 punonjës tashmë do të jenë të pajisur me kamera sigurie dhe certifikatë sigurie.

Po ashtu edhe sheshet publike, institucionet arsimore dhe linjat e transportit urban, dhe kjo për të parandaluar vrasjet, vjedhjet apo çdo krim të mundshëm.

EMISIONET