"Ligjet" miratojnë shtesat: KLP do të ketë 65 punonjës dhe KLGJ do të ketë 125

"Ligjet" miratojnë shtesat: KLP do të ketë 65

Djegia e mandateve të deputetëve të opozitës për kreun e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, është tentativë për të bllokuar reformën në drejtësi, por që nuk do të ndodhë. Ndërkohë Kuvendi miratoi shtesën e personelit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor me votat e maxhorancës.

Komisioni i Ligjeve miratoi me votat e maxhorancës strukturën e punonjësve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kështu në organin më të lartë qeverisës të akuzës numri i punonjësve do të jetë 65, megjithëse vetë KLP kishte kërkuar 75 vetë.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, tha se kjo shtesë duhet për shkak se me krijimin e SPAK dhe Byrosë së Hetimit rritet dhe volumi i punës.

Gent Ibrahimi: Nevojat tona janë tani. Siç e dini ju Këshilli i Lartë i Prokurorisë është tani në procesin e kryerjes së dy detyrave më të rëndësishme, që i kryen tani në këto muaj përpara se të alokohet buxheti dhe strukturat. Jemi të detyruar nga ligji që ende pa u financuar dhe pa u mbështetur administrativisht dhe financiarisht të japim produkt sa i takon Prokurorisë së Posaçme, të japim produkt sa i takon Prokurorit të Përgjithshëm.

Po ashtu edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor numri i personelit shkoi në 125 nga 144 që kishin kërkuar vetë krerët e këtij institucioni.

Në fund të seancës, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u shpreh se reforma në drejtësi do të vazhdojë dhe se askush nuk e pengon, pavarësisht djegies së mandateve të opozitës.

Ulsi Manja: Me mandate të djegura apo me mandate të plota, një gjë është e qartë: Kuvendit të Shqipërisë i takon vetëm të japë suportin e duhur financiar për funksionimin e këtyre organeve por nuk ka asgjë që e pengon reformnën në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

EMISIONET