Udhëheqësit në takimin e Ligës Arabe nuk kanë diskutuar sulmet e udhëhequra nga SHBA që erdhën si pasojë e përdorimit të dyshuar "kriminal" të armëve kimike në Siri.

Samiti u zhvillua në Arabinë Saudite të dielën, një ditë pas sulmeve të koordinuara nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca në tri vende që thuhet se lidhen me prodhimin e armëve kimike në Siri.

Sipas një zëdhënësi të nivelit të lartë, krerët do të diskutonin për konfliktin sirian, por jo për sulmet që kishin si objektiv vendet pranë Damaskut, si dhe në krahinën e Homsit.

"Krerët kërkuan një hetim ndërkombëtar duke dënuar përdorimin e armëve kimike në Siri", tha për gazetarët pas Samitit, Ministri i Jashtëm saudit Adel al-Jubeir.

Arabia Saudite, Bahreini dhe Katari kanë lëshuar më parë deklarata në mbështetje të veprimeve, ndërsa Egjipti, Iraku dhe Libani shprehën shqetësim.

Presidenti sirian Bashar al-Assad, qeveria e të cilit ka mohuar përdorimin ose posedimin e armëve kimike, nuk ishte i pranishëm në takimin pasi Siria u pezullua nga grupi në vitin 2011.

Analisti i lartë politik i Al Jazeera, Marëan Bishara, tha se ishte "e çuditshme" sesi sulmet e fundit në Siri nuk ishin në axhendë.

"Nuk mund të bëhet më e çuditshme", tha ai. "Kjo është ajo që ju e quani një samit pa fund."

Jerusalemi kryeqytet i Izraelit, veprim nul dhe jolegjitim

Në deklaratën e tyre përfundimtare të dielën, udhëheqësit arabë hodhën poshtë vendimin e Presidentit të SHBA Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit , duke e konsideruar "të pavlefshëm dhe të paligjshëm".

Në kundërshtim me linjën e mbajtur ndër vite nga politika amerikane, Trump njoftoi gjithashtu se ambasada e SHBA do të shkonte në Jeruzalem, duke tërhequr dënimin ndërkombëtar dhe duke shkaktuar një valë protestash të nxehta anembanë botës.


Në përgjigje, Arabia Saudite riemëroi samitin e këtij viti "Samiti i Jerusalemit ".

"Ne konfirmojmë se Jeruzalemi Lindor është një pjesë e pandashme e tokës palestineze," tha Mbreti Salman, mbret i Arabisë Saudite.

Statusi i Jerusalemit, vendi në të cilin ndodhen objekt të shenjta kulti me rëndësi të veçantë për myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë, ka mbetur prej kohësh një temë e ndjeshme dhe një nga çështjet kryesore në konfliktin Izrael-Palestinë.

"Uashingtoni thotë se ka marrë dosjen e Jerusalemit nga tryeza e negociatave", tha Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas.

"Kjo shkel ligjin ndërkombëtar dhe është precedent që ne e konsiderojmë një pengesë të madhe"

Më shumë sanksione ndaj Iranit

Në deklaratë po ashtu kërkohet për më shumë sanksione ndërkombëtare ndaj Iranit dhe bëhet thirrje për tërheqjen e “milicive” të Teheranit nga Siria dhe Jemeni

Irani është mbështetës i presidentit sirian Bashar al-Assad dhe e ndihmon atë me militicë shiite, që luftojnë përkrah forcave qeveriare. Në Jemen, rebelët Huthi, që Irani i mbështetë, kanë arritur të marrin nën kontroll pjesë të mëdha të shtetit, përfshirë edhe kryeqytetin, Sanaa.

Media shtetërore iraniane, ka cituar zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Bahram Qasemi të ketë thënë se dënimi që është bërë nga Liga Arabe ka ardhur si rezultat i presionit nga Arabia Saudite, rivalit kryesor të Teheranit.

  


/Ora News.tv/