Në Ditën Botërore të Librit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë pedagogët theksuan sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet libri në Shqipëri. Të rinjtë i janë larguar leximit ndërsa aktivitetet që nxisin interesin për leximin dhe botimet nuk kanë mbështetje nga qeveria. Kritika kryesore vjen për Ministren e Kulturës, e cila pas 4 muajsh në detyrë nuk ka ndërmarrë asnjë hap në mbështetje të veprimtarive që lidhen me librin.

23 prilli përkon me Ditën Botërore të Librit. Në Shqipëri, kjo ditë e ka gjetur librin artistik dhe jo vetëm në vështirësi.

Përgjegjësja e departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, thotë se largimi i të rinjve nga leximi është problemi kryesor.

Lili Sula: Lexuesi i ri është shkëputur nga leximi dhe libri. Këtë e tregojnë studentët tanë, statistikat, anketimet.

Lili Sula thotë se mungon mbështetja financiare e qeverisë për të promovuar aktivitete që nxisin interesin për librin.

Lili Sula: Libri është në vështirësi. Departamenti i Letërsisë padyshim edhe këtë vit e ka bërë Ditën e Librit, organizimin dhe gjithçka me punë vullnetare, pa asnjë mbështetje financiare as nga shteti dhe as nga universiteti.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, edhe pse ka afro 4 muaj në këtë detyrë nuk ka ndërrmarë asnjë nismë me në fokus librin, por nuk ngurroi të bënte premtime.

Elva Margariti: Pasurimi i fondit të bibliotekës suaj që besoj se do të jetë një ndihmë shumë e shpejtë dhe sado e vogël e institucionit tonë. Pse jo në vijim të kemi mundësinë të takohemi sa më shpesh dhe të gjejmë akoma më tepër programe, projekte dhe ura të tjera komunikimi që do të jenë në të mirën e dy institucioneve.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama zgjodhi të përkujtojë Ditën e Librit duke lexuar për të rinjtë një pjesë nga një përmbledhjet e eseve dhe shënimeve autobiografike të shkrimtarit, Ismail Kadaresë, “Mëngjeset në Kafe Rostand”.

Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u mbajt edhe një panair, ku rreth 30 shtëpi botuese ofruan për studentët libra me çmime të ulta.

/Ora News.tv/