Me moton, “Në emër të lirisë”, pjesëtarët e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), mbajtën Paradën e Krenarisë në Prishtinë. Kjo është hera e dytë që ky komunitet ka mbajtur një paradë të tillë.

Masa u tubua në sheshin "Skënderbeu" dhe më pas ka vazhduar drejt sheshit "Zahir Pajaziti". Pas marshit nëpër qendrën e Prishtinës, përfaqësuesi i komunitetit LGBT, Lend Mustafa tha se janë bashkuar për të kërkuar lirinë.

“Sot në emër të lirisë i ftojmë institucionet shtetërore që të mos na e mohojnë identitetin, të ofrojnë mundësi të barabarta dhe t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre për të drejtat e njeriut dhe të shkojmë drejt një shoqërie diverse”, tha para masës së mbledhur, Lend Mustafa.

“Sot kërkojmë liri për personat që nuk kanë mundësi të lirohen nga presioni familjar dhe shoqëror, liri për të qenë vetja, për jetuar një jetë të përmbushur me dashuri e sukses”, tha Mustafa.

Ai falënderoi edhe aktivistët e LGBT nga rajoni që ndihmuan në këtë organizim. Po ashtu, një falënderim të veçantë kishte edhe për Policinë e Kosovës, duke thënë se ishte tërë kohën në vendin e duhur për mbrojtjen e pjesëtarëve të LGBT-së.

Aktorja Rina Krasniqi, mbështetëse e Paradës, i tha Radios Evropa e Lirë se të drejtat njerëzore nuk përcaktohen nga orientimi seksual i një individi.

“Është shekulli 21, është e turpshme të diskriminohen të drejtat e njerëzve pa marrë parasysh orientimin e tyre seksual. Nuk ka nevojë të ketë një orientim të caktuar seksual për të mbrojtur të drejtat njerëzore”, tha Krasniqi.

Në Paradë ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të komunitetit LGBT nga vendet e rajonit.

Franko Vasiq nga Serbia vlerëson se të respektimi i të drejtave të këtij komuniteti, si në Serbi ashtu dhe në Kosovë, vazhdon të jetë i ulët.

“Respektimi i të drejtave vazhdon të jetë i ulët, duhet ende punë për t’u bërë, por ne po e japim më të mirën kështu që shpresojmë që do të bëhet mirë shpejtë. Tani për tani, në Beograd situata është më e qetë, nuk është ende e tensionuar si këtu”, tha Vasiq për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Xheni Karaj nga Shqipëria e vlerësoi si hap pozitiv mbajtjen e kësaj Parade, siç u shpreh ajo, jo vetëm për komunitetin LGBT, por “për të gjithë shoqërinë”.

“Për mua është një emocion i veçantë Parada e Prishtinës. Është shumë e rëndësishme, sidomos për ata persona të komunitetit që nuk kanë mundësi të jenë sot këtu me ne, për shkak të diskriminimit dhe për shkak të stigmatizimit dhe mendoj që është një hap pozitiv jo vetëm për komunitetin LGBT, por për të gjithë shoqërinë, për t’u emancipuar dhe për të kuptuar që nuk mund të kthejmë pas rrotën e historisë”, tha Karaj.

Krahas organizatorëve nga ky komunitet, në paradë morrën pjesë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe personalitete nga shoqëria civile.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ofruar mbështetje institucionale për organizimin e kësaj parade.

“Orientimi seksual është përcaktim individual në secilën shoqëri dhe si i tillë duhet respektuar. Është fat i madh që duke qenë shtet i ri ne kemi Kushtetutën, që siguron liri individuale për të gjithë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“LGBTI dhe Java e Krenarisë do ta kenë mbështetjen institucionale, për të qenë të lirë dhe sigurt në shfaqjen e përcaktimit të tyre”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.

Para dhe gjatë kohës së mbajtjes së kësaj parade, nëpër sheshet e Prishtinës janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës.

Gjatë javës së fundit janë zhvilluar disa aktiviteti, ky pjesëtarët e LGBT kanë potencuar se po ndihen të diskriminuar dhe të kërcënuar në vazhdimësi.

Përfaqësuesit e tyre, kanë thënë se një numër i këtij komuniteti po e lëshon Kosovës, pikërisht për shkak të mungesës së sigurisë.

Për herë të parë, Parada e Krenarisë në Prishtinë është mbajtur vitin e kaluar ku të pranishëm ishin edhe aktivistë të shoqërisë civile si dhe politikanë të Kosovës./REL/

/Ora News.tv/