Lezhë, udhëtonte me 6 mina me telekomandë në "Peugeot", arrestohet 40 vjeçari

Lezhë, udhëtonte me 6 mina me telekomandë në

Gjashtë mina me telekomandë u sekuestruan nga Policia e Lezhës që vuri në pranga 40 vjecarin nga Tirana, Eduard Sinanaj, që po i transportonte.

Siç tregojnë pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit Ai u kap në automjetin e tij në aksin rrugor Milot - Lezhë, në vendin e quajtur Ishull Lezhë.

Minat ishin të fshehura brenda një gome karroce, që ndodhej në makinën tip Pezho me të cilën udhëtonte 40 vjeçari Sinanaj.

Policia nuk jep më shumë informacion për shkak të sekretit hetimor, por burimet thonë se ka dyshime se Ai i prodhonte vetë minat me qëllim tregtimin.

Gjatë marrjes në pyetje Sinanaj nuk ka pranuar të tregojë destinacionin e minave që sic duket nga pamjet janë të lidhura me celular dhe gati për tu përdorur, por dyshimet janë se do të shiteshin në Lezhë.

Eduard Sinanaj rezulton person me precedentë penalë, pasi në të shkuarën është dënuar për  Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit".

Policia e Lezhës thotë se operacioni ishte finalizim i një pune hetimore me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Më 11 maj të këtij viti policia e Lezhës sekuestroi 2 mina me telekomandë që po transportoheshin me një motor, dhe në atë rast vuri në pranga 36 vjecarin nga Tirana Fatjon Llanaj.

Ndërsa në muajin shkurt, Artur Popa 46 vjeç lindur në Kukës dhe banues në Valias, Kamzë, dhe Valtor Cala 30 vjeç, u arrestuan po në Lezhë ndërsa po transportonin 3 mina me telekomandë.



EMISIONET