'Para droge', babë e bijë në Lezhë u sekuestrohen 5.2 mln euro pasuri

Llogari bankare me vlerë 5.2 milionë euro dhe 7 apartamente janë sekuestruar në Lezhë në kuadër të operacionit "Forca e Ligjit".

Llogaritë bankare dhe apartamentet e sekuestruara janë në pronësi të Pjetër Vocit 83-vjeç dhe vajzës së tij Shqipe Palaj 50-vjeçe dhe dyshohen se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

"Sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale në prokurori mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale.Prokuroria nisi procedimin penal për veprën penale "Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale" në ngarkim të dy shtetasve" informon policia e shtetit. 

Pas hetimeve të kryera me kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë me vendimin nr. 17 date 23.01.2019 ka vendosur sekuestrimin e llogarive bankare si dhe të 7 apartamenteve në Lezhë dhe Tiranë.

Sipas burimeve, paratë e sekuestruar ishin në llogarinë bankare të Shqipe Palajt, ndërsa janë depozituar në një bankë të nivelit të dytë nga Zvicra, vend ku jetojnë prej shumë vitesh vëllai dhe kunati i saj.

Nga sa mësohet, ky i fundit është arrestuar disa muaj më parë në Zvicër, duke bërë që dhe policia shqiptare të nisë verifikimet në lidhje me shtetasin në fjalë.

Prokuroria po vijon hetimet, pasi ka dyshime se këto para janë përfituar nga veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike në Zvicër.

EMISIONET