Lerda nuk i trembet Qarabagut: Nuk kemi ardhur për turizëm, ju tregoj pse stërvitemi për penalltitë

Lerda nuk i trembet Qarabagut: Nuk kemi ardhur për turizëm, ju tregoj

Trajneri i Partizanit, Franco Lerda doli në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes së kthimit ndaj Qarabag, e vlefshme për raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League.

Përpara gazetarëve, italiani u shpreh i bindur se kampionët e Shqipërisë kanë për të dhënë shumë në këtë kompeticion dhe se nuk kanë udhëtuar për turizëm drejt Azerbajxhanit.

Ndërkohë, sa i përket trajtimit nga pika e bardhë e penalltisë, Lerda tha se është një mënyrë stërvitje për tu përgatitur për ekipin e nesërm, pasi në rast barazimi 0-0 mund t'i drejtohen "ruletës" ruse.

Nga mediat shqiptare bëhet e ditur se jeni përgatitur edhe për 11 metërsha.

Lerda: 11 metërshat janë pjesë e rregullores së lojës nuk është se e vendosim ne, nëse ndeshja do të përfundoj 0-0 është edhe kjo mundësi penalltitë, ndaj kemi të drejtë të përgatitemi edhe për këtë.

E prisni një kualifilim nesër ndaj Qarabağ?

Lerda: Këtu nuk kemi ardhur për turizëm. E kemi të qartë që do të jetë shumë e vështirë për ne, e dinim, e dimë. Kemi luajtur një pjesë të parë në Tiranë, tani do të luajmë të dytën. Do të perpiqemi të luajmë pjesën tonë në mënyrën më të mirë. 

Te cila skuadër mendoni se presioni do të jetë më i madh, pasi mediat në Shqipëri deklarojnë se presioni do të jetë mbi lojtarët e Qarabag?

Lerda: E kemi deklaruar që ne kemi shumë respekt për Qarabağ. Nuk kemi ardhur këtu për të bërë thjesht një shëtitje, do të kërkojmë me forcat tona me mundësitë tona të bëjmë ndeshjen tonë, si në jetë ashtu edhe në futboll mund të ndodh gjithçka. Qarabağ është një skuadër me një buxhet shumë shumë here më të madh se ne dhe do të luajnë siç edhe bënë në Tiranë, por edhe ne do të perpiqemi të interpretojmë ndeshjen në mënyrën më të mirë. Askush nuk ka deklaruar nga ne që vijmë të sigurtë për kualifikim.

Sipas mendimit tuaj Qarabağ është një skuadër e fortë siç e prisni?

Lerda: Qarabağ është konfirmuar ajo skuadër që unë kam parë dhe kam vëzhguar. Është ajo skuadër e konfirmuar edhe përgjatë edicioneve të kaluara ku është përballur edhe me ekipe Italiane si Roma. Është një skuadër e fortë e cila ka mjaft kualitete në ekip. Në mesfushë dhe sulm ka lojtar shumë të fortë sidomos kur luajnë një për një me kundërshtarin. Për mua Qarabağ është një konfirmim i atij ekipi që e dija."

Takimi mes Qarabag dhe Partizanit do të zhvillohet të mërkurën (nesër) në orën 19:00 në "Dalga Arena".

EMISIONET