Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera tha në "Ekopolitikë" në Ora News, se aktualisht stoku i rimbursimeve të TVSH-së është 2.2 miliardë lekë, sipas të cilit nuk është një stok problematik.

Lera: Në rimbursimet e prapambetura ne kemi një stok prej 2.2 miliardë lekë, rreth 20 milionë dollarë. Ne nuk mund të zbatojmë ligjin në mënyrë perfekte dhe brenda 30 ditëve të rimbursojmë çdo biznes. Ne rimbursojmë rreth 1.5 miliardë lekë çdo muaj. Pse në vitin e fundit u rëndua situata? Sepse ne patëm dy, tre faktorë. Projekti TAP, solli një kërkesë rimbursimi të menjëhershme rreth 13 miliardë lekë. Në një periudhë kur ne rimbursonim 13 miliardë në vit, ajo i kërkoi me një herë. Kemi një kompani turke që kërkoi rimbursim TVSH-je 4 miliardë lekë. Shto kërkesat për rimbursim të eksportuesve, ne nuk ishim në gjendje të bënim një rimbursim të menjëhershëm. Lidhëm marrëveshje me këto dy kompani për rimbursime me këste. Ndërkohë që stoku tjetër prej 2.2 miliardë nuk është problematik për ne.

/Ora News.tv/