Lidhja e Diasporës Shqiptare të Maqedonisë kundërshton me forcë propozimet për ndryshime kushtetuese të dala nga mbledhja e 92-të e qeverisë drejtuar kuvendit të IRJM, duke i konsideruar ato si antishqiptare, luftënxitëse dhe kërcënuese për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

Njëkohësisht, u bën me dije deputetëve shqiptarë në parlamentin e IRJM se votimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese duke shpërfillur domosdoshmërinë e ndryshimit të statusit kushtetues të shqiptarëve në atë shtetformues, përfaqëson aktin më të lartë të tradhtisë kombëtare, akt tanimë i konsumuar nga shqiptarët anëtarë të qeverisë, pjesëmarrës në këtë mbledhje të qeverisë.

LDSHM e konsideron provokim të rëndë ndaj shqiptarëve propozimin e qeverisë që, në preambulën e kushtetutës, ku përmenden traditat shtetformuese, të theksohen Shpallja dhe Manifesti drejtuar “popullit maqedonas” nga mbledhja antishqiptare e parë e Kuvendit Antifashist Nacionalçlirimtar të Maqedonisë (ASNOM) e mbajtur më 2 gusht të vitit 1944. Vendimeve të mbledhjes së parë të këtij Kuvendi, i cili vendosi themelet e shtetit komb me pronarë të vetëm sllavo maqedonasit, u paraprinë dhe i ndoqën masakra makabre jo vetëm ndaj shqiptarëve që luftuan komunizmin por edhe ndaj atyre pak shqiptarëve që u përfshinë në këto organe: të vetmit anëtar të presidiumit, dy anëtarëve të kuvendit, dhe te vetmit anëtar të qeverisë që u zgjodh më 16 prill 1945!

Vendimet e ASNOMIT që për shqiptarët përfaqësojnë asgjë tjetër pos histori terrori komunist, kombinuar me trashëgimi të përvetësuar të historisë maqedonase antike dhe asaj bullgare, nuk janë të pranueshme për shqiptarët si themele të shtetit që sot pretendohet te jete shtet i të ardhmes së përbashkët .

Në vend të kësaj, LDSHM rithekson edhe njëherë domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese për të hapur rrugën për statusin shtetformues të shqiptarëve dhe ndryshimin e rregullimit unitar të shtetit si gjenerator i vazhdueshëm i krizës dhe kërcënim për sigurinë e rajonit. Dhe e përkushtuar me vendosmëri dhe këmbëngulje në këtë rrugë, LDSHM kërkon mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjitha subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare që në plan të parë kanë interesin kombëtar.

/Ora News.tv/