Udhëheqësi koreano-verior Kim Jong-un është takuar me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, në një ndalesë të kreut të diplomacisë së Moskës në Penian. Përmes kësaj vizite, Lavrov ka garantuar mbështetjen e Rusisë për vendosjen e paqes në gadishullin korean, ndërsa i ka bërë thirrje Uashingtonit të mos ushtrojnë presion të panevojshëm ndaj Penianit, në prag të një samiti të mundshëm mes palëve.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov është takuar me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong-un, gjatë një vizite të tij në Penian këtë të enjte. Kreu i diplomacisë ruse i garantoi zotit Kim mbështetjen e Moskës për vendosjen e paqes dhe arritjen e progresit në gadishullin korean. Ministri i jashtëm Lavrov madje ftoi udhëheqësin koreano-verior të vizitojë Rusinë, ndërsa i përcolli edhe urimet më të mira nga presidenti Vladimir Putin.

Lavrov udhëtoi drejt Penianit për të zhvilluar bisedime me homologun e tij Ri Yong-ho, lidhur me situatën në gadishullin korean. 

Pas këtij takimi, ministri i jashtëm rus doli në një konferencë për shtyp, në të cilën theksoi se çarmatimi i vendit nuk mund të ndodhë në mënyrë të menjëhershme. Kreu i diplomacisë së Kremlinit i bëri thirrje Uashingtonit të mos vendosë kushte të pamundura në fillim të çdo diskutimi, duke ju referuar kështu takimit që mund të mbahet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Sa i përket këtij samiti të mundshëm, duket se palët janë po bëjnë përpjekje maksimale për të garantuar zhvillimin e tij. Krahu i djathtë i Kim Jong-un ka darkuar në Nju Jork me sekretarin e shtetit Mike Pompeo dhe dy zyrtarët janë planifikuar të zhvillojnë bisedime edhe përgjatë të enjtes.

/Ora News.tv/