Administrata e Donald Trump duket se nuk gjen paqe, pasi një tjetër ndihmës i presidentit ka dhënë dorëheqjen. Bëhet fjalë për sekretarin e stafit në Shtëpinë e Bardhë, Rob Poter, i cili akuzohet nga ish-bashkëshortet e tij për abuzim fizik dhe emocional.

Skandalet përfshijnë sërish administratën e Donald Trump. Këtë herë është sekretari i stafit i Shtëpisë së Bardhë Rob Porter, ai që ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, pas pretendimeve të ngritura nga dy ish-gratë e tij për abuzim. Akuzat u raportuan fillimisht në të përditshmen britanike Daily Mail dhe përfshijnë incidente të abuzimit fizik, mendor dhe emocional.

Vetë Porter ka mohuar pretendimet e ngritura ndaj tij, duke i konsideruar si të rreme, pavarësisht faktit se ai lajmëroi tërheqjen nga posti i tij.

Ndërkohë, nga Shtëpia e Bardhë nuk ka komente mbi raportimet se zoti Porter nuk ka arritur të marrë certifikatën e sigurisë, një status që i lejon personave të caktuar të kenë akses në informacionet e klasifikuara në vendet e tyre të punës.

Roli i Rob Porter në Shtëpinë e Bardhë përfshinte bashkëpunim me presidentin dhe shefin e tij të stafit, John Kelly.

Pak përpara dorëheqjes së Porter, pikërisht Kelly ishte shprehur për Daily Mail se sekretari i stafit ishte “një njeri me integritet dhe me nder”.

Së fundmi, përflitej se Porter ishte përfshirë në një lidhje romantike me drejtoreshën e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Hope Hicks.



/Ora News.tv/