Laburistët pro një referendumi të dytë për Brexit nëse dështojnë negociatat

Laburistët pro një referendumi të dytë për Brexit

Këshilli vendimmarrës i laburistëve anglezë ka vendosur që të shprehet në favor të mbajtjes së një referendumi të dytë rreth Brexit. Çështja do të shtrohet publikisht nëse qeveria refuzon ta ndryshojë marrëveshjen aktuale me BE-në, ose nëse nuk mbahen zgjedhje të parakohshme në rastin e dështimit të procesit.

Laburistët janë shprehur për një tjetër referendum për çështjen Brexit nëse dështojnë negociatat me rivalët konservatorë.

Grupi vendimmarrës i Partisë Laburiste u mblodh për të diskutuar rreth manifestit me të cilin partia do të garojë për zgjedhjet europarlamentare të 23 deri 26 majit.

Gjatë mbledhjes që zgjati plot 5 orë u hodh poshtë propozimi i disa deputetëve që në fushatën zgjedhore të mbrohet me çdo kusht ideja e referendumit.

Shumica e anëtarëve vendosën që të pëkrahin votimin popullor nëse qeveria refuzon të ndryshojë marrëveshjen aktuale me Bashkimin Europian, ose del kundër zgjedhjeve të parakohshme.

Laburistët anglezë me në krye Jeremy Corbyn prej katër javësh po negociojnë me konservatorët për të gjetur kompromis rreth paktit të divorcit me BE-në.

Një zyrtar i lartë i kabinetit informoi mediet vendëse se kryeministrja Theresa May ka vendosur që bisedimet të vijojnë jo më gjatë se javën tjetër.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, qeveria do të provojë mbështetjen e deputetëve britanikë duke hedhur për votim parlamentar alternativat e propozuara nga të dyja palët.

Sipas planit të dakordësuar edhe me Bashkimin Europian, Britania e Madhe duhet të dalë nga organizata europiane politiko-ekonomike brenda 31 tetorit, ndërsa kryeministrja e vendit është shpresëplotë që kjo mund të ndodhë brenda tri javëve të ardhshme.

EMISIONET