Edmir Hatija 41 vjeç dhe Elidon Shpërdheja 38 vjeç, të dy banues në Fier janë dy shtetasit e arrestuar në Shqipëri në kuadër të operacionit të përbashkët të policisë italiane dhe asaj shqiptare që çoi në shkatërrimin e një bande që kishte trafikuar rreth 160 kg kokainë.

Shqiptarët Edmir Hatija dhe Elidon Shpërdheja garantonin transportin e lëndës narkotike në Itali si dhe transferimin jashtë territorit italian të parasë "së pisët", përfituar nga biznesi i drogës.

Operacioni i koduar "Biznesi familjar" u krye në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në Itali u  arrestuan 5 shtetas, 3 italianë dhe 2 shqiptarë, mes tyre edhe bosi i bandës së drogës Aleks Boci i cili me ndihmën e disa shqiptarëve rezidentë në Belgjikë organizonte trafikun e drogës nga Amerika e Jugut në veri të Europës e më pas në Rome.

Grupi kriminal ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Romës. Droga e llojit kokainë vinte nga Holanda dhe Belgjika.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Pastrimit të parave”.



 

/Ora News.tv/