Meta tha se do sakrifikohej si ai, por kush është Salvador Allende?

Meta tha se do sakrifikohej si ai, por  kush është Salvador Allende?

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se ishte gati të sakrifikonte veten e tij për zgjidhjen e krizës së rëndë që nuk është vetëm politike e institucionale të vendit.

Nga Pogradeci Meta tha se ishte gati të sakrifikonte nga mandati i tij si president deri tek jeta e tij si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas. Madje ftoi dhe të tjerët ta bëjnë këtë për të mirën e vendit. 

Por kush është Salvador Alende dhe cila është historia e tij?

Politikani kilian Salvador Allende shërbeu si presidenti i vendit nga viti 1970 deri në 1973-shin, si dhe si kreu i qeverisë së koalicionit Bashkimi Popullor. Ai mbahet mend si marksisti i parë që zgjidhet president në një vend me sistem liberal demokratik.

Ai u zgjodh nga Kongresi për shkak se asnjë nga tre kandidatët për president në garë nuk mori shumicën e nevojshme.

Më 11 shator 1973, Allende u rrëzua nga pushteti nga një grusht shteti të organizuar nga ushtria ndërsa mediat kanë nënvizuar dhe mbështetjen e CIA-s. 

Ndërsa trupat ushtarake hynin në pallatin “La Moneda”, Allende zotohej në një fjalim në televizion të mos dorëhiqej. Më vonë gjatë asaj dite ai vrau veten.

Por largimi i Allende-s nga pushteti që ishte zgjedhur në mënyrë demokratike, i la vend diktaturës ushtarake që e qeverisi Kilin nga viti 1973 deri në 1990-n. Në krye të juntës qëndroi gjenerali Augusto Pinochet. 

Ushtria e justifikoi grushtin e shtetit me thyerjen e demokracisë dhe fillimin e krizës ekonomike gjatë presidencës së Allende-s.

Në atë kohë ushtria tha se qëllimi i grushtit të shtetit ishte “rindërtimi kombëtar”.  Allende qëndroi në jetën politike të Kilit për rreth 40 vjet, duke mbajtur poste nga senator deri në zv./ministër.


EMISIONET