Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempora” në RTV Ora, kreu i Lëvizjes VetëVendosje, Albin Kurti u shpreh se realizimin e koalicionit mes VV dhe LDK e pengoi vendimi i njëanshëm i LDK për zgjedhjen e kandidatit për kryeministër.

Sipas Kurtit në bisedimet 1 vjeçare ishte vendosur që këto bisedime të bëheshin mes dy partive, me konsensus. 

Më pas kreu i VV u shpreh se pas këtij momenti kishte bërë propozimin që Osmani të ishte numër 1 dhe Kurti numër 2 dhe ai që merrte më shumë vota të bëhej kryeministër. Në këtë mënyrë sipas tij gara do të dyfishohej me dyfish efekte të mira, pasi njerëzit që do të votonin do të ishin më të shumtë në numër.

Albin Kurti: Në tetor të viti 2018 ja kam bërë një ofertë kryetarit të LDK-së, Mustafës për një bashkëqeverisje në 2 mandate. Sepse ka disa gjëra në Kosovë që mund t'i rregullojmë shpejt, por ka disa si puna e arsimit që kërkojnë 2 mandate. Nuk mu përgjigjën as pozitivisht dhe as negativisht, ndërkohë takimet ishin konstruktive dhe të përzemërta dhe ne vazhduam sidomos me tezën e shkëmbimit territorial. U koordinuam, hapat ishin të befasueshëm, të bashkërenduar, nuk e kemi befasuar njeri- tjetrin. Por erdhi koha kur duhet të kalojmë nga hapat e bashkërenduar në projektet e përbashkëta. Këtu ngeci sepse në mënyrë të njëanshme ata vendosën se kush do të jetë kandidati për kryeministër i LDK-së, ndërkohë që ne kishim biseduar që këtë ta bëjmë bashkë dhe e nxorën ashtu si e nxorën. Aty i bëra një alternativë të re. Le të jetë Osmani numër 1 dhe unë numër 2. Kush merr më shumë vota le të bëhet kryeministër dhe gara do të dyfishohej me dyfish efekte të mira. Së pari numri i njerëzve që do të ishte më i madh, sepse disa do vazhdonin ta ndihmonin preferencën e tyre dhe së dyti askush më nuk do të fliste për kandidatët e tjerë. 

I pyetur se çfarë do të kishte kundra Albin Kurti që kryeministrja e Kosovës për herë të parë në histori të ishte një grua si zonja Osmani, kreu i Lëvizjes VV tha: “Nuk kam gjë kundër unë, por çështja është që këtu nuk po vendos Albini. Ne kishim bisedime 1 vjeçare, të cilat nuk u kurorëzuan me sukses dhe na thanë që duhet të respektoni vendimin tonë të këshillit të përgjithshëm. Këshill të përgjithshëm kemi edhe ne, nuk bëhet kjo punë ashtu. Ne nuk e kishim mbajtur mbledhjen e këshillit të përgjithshëm pikërisht që ta lëmë hapur. Ne ishim të interesuar që në të dy këshillat e përgjithshëm të votojmë një njeri dhe ata na e hodhën si fakt fytyrës”.

Lexoni intervisten e plote


/Ora News.tv/