Pak ditë na ndajnë nga ceremonia hapëse e Kupës së Botës që këtë vit zhvillohet në Rusi. Pavarësisht kësaj, kombëtarja vendase nuk niset favorite për të triumfuar në finalen e madhe, por për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, skuadra do të "luftojë deri në fund".

"Ekipi ynë nuk ka arritur rezultate të mëdha në sezonet e fundit. Ne presim shumë. Të gjithë tifozët dhe të dashuruarit e futbollit në Rusi presin që ekipi të luajë me dinjitet, që ata të tregojnë futboll modern dhe interesant dhe të luftojnë deri në fund. Ne po bëjmë përparim dhe detyra jonë kryesore është të besojmë në veten tonë. Ne gjithashtu duhet që tifozët të besojnë në ne."-deklaroi Putin.

Fitorja e fundit e kombëtares ruse është regjistruar më 7 tetor, përballë Koresë së Jugut, në një miqësore të zhvilluar në Moskë.

Që atëherë ata kanë humbur përballë Argjentinës, Brazilit, Francës dhe Austrisë dhe janë ndalur në barazim nga Irani, Spanja dhe Turqia.


/Ora News.tv/