Kroacia shkruan historinë. Ballkanasit kanë  mposhtur me përmbysje Anglinë duke siguruar kështu finalen e Kupës së Botës për herë të parë në historinë e saj.

Herojtë e kësaj përballjeje ishin padyshim Ivan Perisic dhe Mario Mandzukic që iu përgjigjen një super goli të Trippier.

Në "Luzhniki Stadium" takimi nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për "Tre Luanët" që e panë veten në avantazh pas vetëm 5 minutash.

Një goditje dënimi e ekzekutuar saktë nga Kieran Trippier dërgoi në delir Anglezët, ndërsa shërbeu që kroatët të merrnin zemër dhe të hidheshin përpara për të gjetur golin e barazimit, gol i cili erdhi në minutën e 68-të nga Ivan Perisic. Ylli i Interit përfitoi nga një pakujdesi në zonë dhe me këmbë devijoi saktë krosimin e Vrsaljko për të vendosur ekuilibrat dhe dërguar takimin drejt shtesave.

Me pjesën e parë të shtesave që nuk sollën ndryshim rezultatin, nisja e 15 minutave të dyta i dha goditjen e "knock-out" Anglisë, me Mandzukic që përfitoi nga një top i hedhur në zonë nga Perisic dhe në afërsi të kuadratit, lëshoi një të majtë të fortë, me sferën që u ndal vetëm nga rrjeta.

Me minutat e mbetura që nuk sollën asnjë ndryshim rezultati, Kroacia mendoi të menaxhonte këtë avantazh, duke siguruar kështu një biletë për në ndeshjen finale të Kupës së Botës, Rusi 2018.

Pas këtij 120 minutëshi, kroatët nuk do të  marrin rrugën e kthimit, pasi po në këtë stadium, "Luzhniki Stadium" do të pres Francën. Finalja e madhe do të luhet të dielën e 15 korrikut, duke nisur nga ora 17:00.

/Ora News.tv/