Kandidatura e Marokut për të organizuar Kupën e Botës së vitit 2026 ka kaluar në një fazë tjetër. Sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare, FIFA ka marrë në shqyrtim kandidaturën e vendit afrikan dhe pritet që shumë shpejt të marr një vendim përfundimtar.

Megjithatë, një Kupë Bote në vendin afrikan do të sillte dhe rreziqe.

Siç thuhet në dokumentin e plotë të dorëzuar nga zyrtarë të Federatës Marokene të Futbollit, nga 14 stadiumet e paraqitura nga Maroku, nëntë prej tyre nuk kanë nisur akoma ndërtimin, ndërsa pesë të tjerët kërkojnë rikonstruksion.

Një tjetër pistë që dërgon në "koma" këtë kandidaturë janë dhe pjesa e akomodimit të kombëtareve dhe tifozerive si dhe transporti publik.

Megjithatë, FIFA tha se kishte marrë garanci nga qeveria maroken, të cilat thonë se 12 qytetet pritëse në Marok do të kenë një numër të mjaftueshëm të dhomave të hoteleve deri në vitin 2026.

Oferta e Amerikës së Veriut nuk përmbante elementë me "rrezik të lartë", por çalon tek mbështetja e qeverisë, të drejtat e njeriut dhe standardet e punës dhe organizimi i kostove.

Në analizimin e aspektit të të drejtave të njeriut të ofertës, u konkludua se rregulloret e reja të hyrjes që propozohen nga SHBA mund të dëmtojnë "hyrjen pa diskriminim" në territorin e saj.

Organi qeverisës i futbollit botëror mund të skualifikoi Marokun dhe në zgjedhjet e 13 Qershorit të vendoset që turneu më i madh futbollistik të organizohet nga "trinomi" Kanada-SHBA-Meksikë.

Maroku ka thënë se duhet të shpenzojë pothuajse 16 miliardë dollarë për infrastrukturën për atë që do të jetë kupa e parë me 48 ekipe pjesëmarrëse, ndërsa oferta e Amerikës së Veriut nuk kërkon ndonjë punë ndërtimi specifike të turnamentit.

Kjo është kandidatura e katërt nga ana e Marokut që ka dështuar në kandidaturat e Kupës së Botës në vitet 1994, 1998, 2006 dhe 2010.

Shtetet e Bashkuara organizuan turneun në vitin 1994 dhe ofertuan pa sukses për vitin 2022, ndërsa Meksika organizoi turneun e viteve 1970 dhe 1986.

/Ora News.tv/