Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha në emisionin "Arkapia" të Elsa Demos në Ora News se godina e Galerisë Kombëtare do ti nënshtrohet një restaurimi në kushtet e godinës aktuale. 

Kumbaro tha se për vitin 2018 nuk do të ketë ndërhyrje fizike për këtë godinë, pasi siç sqaroi ajo aktualisht janë në kushtet e konsultimeve  dhe pasi të merren ide do të çelet konkrusi kombëtar ose ndërkombëtar për një projekt sa më të mirë.

Pjesë nga intervista

E keni shpallur si një nga kantierët në pritje për gjendjen e emergjencës që ka objekti. Pra aty do të duhet një investim gati 200 mijë euro për ta sjellë në gjendje normale, si qëndron e vërteta?

Kumbaro: Kemi një projekt të rehabilitimit të godinës në kushtet që është, sidomos të elementëve të jashtëm të godinës për të shmangur problemet e lagështirës, të rrjedhjes, të rënies...

Pra nuk keni një projekt përfundimtar të rehabilitimit?

Kumbaro: Jo nuk kemi një projekt përfundimtar rehabilitimi, i cili të jetë një projekt rehabilitimi i plotë, por edhe rikonceptimi dhe kjo është një ndër gjërat e para që po punojmë me drejtorin e ri, që të bëjmë edhe një rikonceptim të linjës muzeale, një riorganizim të hapësirave ekzistuese sepse që nga koha që është ndërtuar Galeria e Arteve nuk ka njohur investime. Ky nuk është një projekt që bëhet thjesht nga instituti i monumenteve

Atëhere sërish do ti nënshtrohet një konkursi ndërkombëtar ?

Kumbaro: Po shumë e saktë

Që ju mendoni ta shpallni...brenda vitit?

Kumbaro: Meqë unë kam folur për dy iniciativa të tilla, është Muzeu Historik Kombëtar i cili është edhe një sfidë më e madhe për shkak të dimensioneve shumë të mëdha, por edhe për shkak të multifunksionalitetit që ka dhe do të duhet të ketë akoma më shumë ajo godinë, por edhe për shkak të linjës muzeale që për mua është e tëra për tu ribërë. Ne kemi muaj e muaj që reflektojmë. Kemi takuar edhe specialistë të ndryshëm, jemi në bashkëpunim edhe me eksprtë të vendeve të tjera, disa misione nga Franca kanë ardhur, po punojmë më një mision italian. Unë brenda muajit shkurt do të organizoj një tyrezë me ekspertë të trashëgimisë kulturore, historisë, arkeologjisë, antropologjisë dhe do ta them kush është synimi.

Në rastin e Galerisë Kombëtare nuk keni frikë që në rast se ajo do të duhet ti nështrohet brenda vitit ose në fund të vitit një operacioni të tillë ...

Kumbaro: Operacioni që unë mendoj që ne duam të realizojmë për këtë vit, ky është synimi dhe uroj sepse shpesh jemi peng i afateve burokratike është përgatitja e konkursit dhe mbërritja tek projekti i zbatimit. Nuk mund të flasim për vitin 2018 për ndërhyrje fizike sepse kohë fizike nuk ka. Ajo është një godinë shumë e madhe, duam të kemi një projekt shumë të mirë dhe një projekt i mirë nuk bëhet në një muaj. Do jemi vetëm në nivelin e konsultimeve për të vjelë sa më shumë ide. Kjo punë bëhet për të na çuar  në përgatitjen e termave të referencës për konkursin ndërkombëtar që ne mendojmë se duhet të organizojmë për të thithur një ekspertizë sa më të mirë kombëtare dhe ndërkombëtare në pritje të një projekti të mirë. Është e njëjta gjë që kemi bërë për Marubin.

/Ora News.tv/