Kukësi kryen goditjen e parë, firmos Rroca

Kukësi kryen goditjen e parë, firmos Rroca

Ekipi i Kukësit bën goditjen e parë në merkaton e dimrit. Duket se skuadra verilindore nuk ka pritur pushimet, por është hedhur në sulm për të marrë një mesfushor të rëndësishëm në ekip.

Bëhet fjalë për Eduart Rrocën, i cili këtë fundjavë do të luaj takimin e fundit me Luftëtarin, teksa më pas do të udhëtojë drejt verilindjes për të bërë dhe prezantimin me fanellën e Kukësit. Fantazisti i gjirokastritëve ka zhvilluar ndeshje pozitive me ekipin bluzi dhe ka qënë një ndër elementët kryesorë në klubin e Luftëtarit. Kjo ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Kukësit, që kanë nxituar për të firmosur me 25 vjeçarin.

Kështu Rroca ka hedhur të zezën mbi të bardhë, duke firmosur për 2 sezone e gjysëm me Kukësin me të drejtë rinovimi. Lëvizja është kryer në kryeqytet ditën e martë teksa dy presidentët respektiv, Safet Gjici dhe Grigor Tavo kanë rënë dakord për kalimin e shumës 50 mijë euro në arkën e klubit të Luftëtarit. E gjitha kjo ka ndodhur pasi Rroca ka qënë në kontratë deri në vitin 2020.

Duke parë dhe dëshirën e lojtarit për të ndryshuar ambjent, Tavo e ka mirëkuptuar, duke marrë pas shumën e sipërpërmendur. Vetë futbollisti duket i entuziasmuar nga kjo lëvizje, prandaj pranoi që të nënshkruaj kontratën e re. Mendohet se kjo lëvizje e Rrocës do të ndikojë pozitivisht në rritjen e karrierës së tij, i cili te Kukësi do të gjej prestigj dhe objektiva të ndryshëm nga ato në Gjirokastër.

Kujtojmë që për Rrocën interes kishte shfaqur dhe Partizani e Skënderbeu, por Kukësi është treguar dinak, duke gjetur akordin brenda një kohe të shkurtër.

EMISIONET