Kryeqendra e festës, Elbasani mblodhi mijëra njerëz për të pritur stinën e ngrohtë

Kryeqendra e festës, Elbasani mblodhi mijëra njerëz për

Daton që në antikitet, por elbasanllinjtë janë kujdesur që të përçojnë ndër breza festën tradicionale të Ditës se Verës.

Festimet nisën herët në mëngjes ku qytetarët iu gëzuan diellit të ngrohtë e aktiviteteve të larmishme.

Siparin e festimeve e çelën karnavalet, ku nxënës së shkollave nentë vjeçare përcollën mesazhe sensibilizuese për dhunën, korrupsionin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Aktiviteteve iu bashkuan me mijëra qytetarë, por më entuziastë ishin të vegjlit.

Ata që numërojnë më shumë vite jete thonë se tradita e Ditës së Verës ka pësuar ndryshime. Për ta ëmbëlsira tradicionale është revania dhe jo ballokumja.

"Pranvera gëzohet në natyrë kryesisht dhe jo brenda rrugëve të qytetit. Revania është ëmbëlsira e Ditës së Verës dhe jo ballokumja".

Dita e Verës ka rënë edhe në veshin e të huajve ndërsa Elbasani në këtë ditë të veçantë pati vizitorë edhe nga Australia e largët.

Turisti: Udhëtimin në Europë e kam ndaluar prej disa ditësh në Shqipëri ku kam ardhur enkas për Ditën e Verës. Njerëzit këtu janë miqësor dhe sot ka shumë aktivitete. Provova diçka të ngjashme me biskotën, që ju e quani ballokume dhe mu duk shumë e mirë.

Për shumë familje në Elbasan, Dita e Verës shihet edhe si një mundesi për të fituar më shumë të ardhura përmes shitjes së ballokumeve.

Ata shprehen se këtë vit mundi i tyre nuk u shpërblye me shitje te larta.

"Sivjet janë shitur më pak se vitet e tjera".

"Ka pak rënie, po mirë".

Reshjet e shiut në mesditë kthyen pranë vatrave familjare qytetarët për te konsumuar drekën tradicionale të Ditës së Verës.






EMISIONET