Brenda muajit qershor do të përcaktohet emri i prokurorit të ri të përgjithshëm si dhe do të përzgjidhen anëtarët e Strukturës së posaçme antikorrupsion. KLP do të rendisë tre emrat që do ti shkojnë kuvendit për kreun e akuzës, ndërsa një prej kandidatëve të SPAK është tërhequr nga gara

Brenda datës 16 qershor  Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ketë gati listën e renditur të katër emrave që garojnë për Prokuror të  Përgjithshëm. 

Burime nga ky institucion kanë bërë me dije për RTV Ora se pas kërkesës që KLP i bëri institucioneve te tjera  për verifikimin e kandidaturave shumica e dokumentacionit ka mbërritur ndaj dhe brenda ditëve të mbetura do të përcaktohet renditja e tre emrave që do ti shkojnë për votim kuvendit dhe kush do të s'kualifikohet.

Për ketë vend kandidojnë drejtuesja e përkohshme Arta Marku prokurorët Olsian Çela dhe Fatjona  Memçaj  si dhe avokati  Lulzim Alushaj. 

Gjithashtu Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë verifikimin për të gjitha rekomandimet e bëra para ngritjes së KLP-së. Në  këtë mbledhje komisioni  i karrierës ka paraqitur një relacion  për mënyrën se si do të veprohet me caktimet e përkohshme .

Brahimi: "Ne kemi një rregullore për caktimin e përkohshëm të prokurorëve në pozicione të ndryshme nga pozicionet e tyre të emërimit. Në lidhje me këtë çështje do të dëgjojmë një propozim i cili do të debatohet dhe në rast se do të miratohet do të vijnë projekt aktet për caktimin e përkohshme të prokurorëve"

Një tjetër strukturë e rëndësishme e dalë nga reforma në drejtësi do të konstituohet në një afat të afërt. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi  ka bërë me dije se ka përfunduar edhe verifikimi i kandidaturave për Spak  dhe ia ka përcjelle ato KPK dhe ONM-së

Për prokurorinë e posaçme antikorrupsion kandidojnë 25 prokuror pasi prokurori  Shkëlzen Cena  është tërhequr nga gara, kërkesë që i  është pranuar me shumicë votash nga KLP.

/Ora News.tv/