Tonight Ilva Tare/ Rama: Nuk ka propozim të dytë për kreun e SHISH, presim Metën

Tonight Ilva Tare/ Rama: Nuk ka propozim të dytë për kreun e

I ftuar në Tonight Ilva Tare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, akuzoi opozitën se nëpërmjet protestave të cilat i quajti kundër reformës në drejtësi, po rrezikon që Bashkimi Europian të mos e shohë Shqipërinë si një vend serioz për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për anëtarësim. Rama tha se edhe nëse opozita nuk merr pjesë në ngritjen e organeve të reformës, maxhoranca do të vazhdojë e vetme. Rama njoftoi se vendimi i gjykatës së Strasburgut për të dëmshpërblyer Kompleksin në Vlorë, do të apelohet.

Përpjekja për të ndalur reformën në drejtësi ka bërë që opozita të dalë në protesta. Ky është mendimi i kryeminsitrit Edi Rama, i cili i ftuar në Tonight Ilva Tare tha se këto protesta rrezikojnë hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian

Rama u shpreh se shoqëria shqiptare nuk ka më nevojë për opozitën për reformën në drejtësi, pasi ajo nuk mund ta pengojë dot më këtë proces. Kryeministri akuzoi LSI se edhe kur ishte në qeveri është përpjekur ta pengojë reformën në drejtësi

Lidhur me amendamentin e opozitës për të ndryshuar Kushtetutën për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, Rama ka të njëjtën përgjigje si për draftin e reformës në drejtësi përpara se të miratohej.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut për prishjen e kompleksit Jon do të apelohet nga shteti shqiptar, ndërkohë që sipas kryeministrit, vendimi ishte në lidhje me shumën e dëmshpërblimit, dhe jo me vendimin për prishjen.

Rama tha se drejtori i ri i policisë do të zgjidhet shumë shpejt ndërsa policia në kohën e qeverisjes së tij, do të kujtohet si një polici e modernizuar.

Këtë javë qeveria shqiptare pret ofertën për ndërtimin e aeroportit rajonal të Vlorës, i cili sipas kryeministrit do të rrisë konkurencën dhe ulë çmimet.

I pyetur për kundërshtarin e tij politik, kryeministri tha se Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike nuk ka vizionin e duhur për ta çuar këtë parti përpara.

Ndërsa i përshkroi si të mira marrëdhëniet me Presidentin, deri kur ky i fundit shkruan letra.

Kryeministrti Edi Rama tha se për sa i përket ekonomisë, objektivi i qeverisë është që vitin e 3 të mandatit, rritja të jetë 5%, në mënyrë që të ndihet edhe në xhepat e qytetarëve.

Intervista minutë pas minute

Pjesa IV e intervistës


By Pass i Fier turp kombëtar 

Tare: Një pyetje për By-Passin e Fierit që një shikues më thotë se është kthyer në turp kombëtar..

Rama: Ka shumë të drejtë. Është bërë. Ishte një kontratë skandaloze. Më në fund e zhbëmë kontratën. Financohet një pjesë nga BERZH. Do të bëjmë edhe fazën finale dhe do të bëjmë punën dhe do ta mbyllim. Turpi i duhet lënë atyre që e kanë. Nuk është përgjegjësia jonë që kemi trashëguar situata skandaloze. Shumë nga litarët nëpër këmbë dhe gurët e borxheve i kemi hequr. Puna ka nisur.


Kete jave vjen oferta per aeroportin e Vlores, asgje per Kukesin

Tare: Kur do të fillojë puna në aeroportin  e Kukësit?

Rama: Nuk është për momentin në proces pasi deri tani nuk kemi pasur në tavolinë ndonjë shprehje interesi. Besoj se këtë javë duhet të na vijë kërkesa zyrtare për aeroportin e Vlorës dhe jemi në fazë të avancuar të instalimit të linjës tonë ajrore. Besoj se do të krijohen kushtet për më tepër konkurrencë dhe më pas çmime më të ulëta.

Do të vijë kërkesa nga i njëjti grup që ndërton aeroportin e tretë të Stambollit. Në Sarandë aeroport turistik, në Vlorë rajonal.


3 lende ne 6 ore u konsultua me prinderit

Tare: Një tjetër shkrues thotë se pse nuk u konsultuat për ndryshimin e orareve për nxënësit.

Rama: Është konsultuar me prindërit. Ishte propozim i prindërit dhe nuk u tha dhe u bë atë ditë.

Tare: Nuk mund të bëhen në fillim të vitit?

Rama: Kemi pritur boll 20 e ca vjet.

I pergjigjet naftetarit

Tare: Jam një naftëtar i ri dhe dua të di çfarë perspektive kemi ne të rinjtë kur po e mbyllni këtë rafineri? Më thoni ku ti gjej unë të ardhurat për të mbajtur familjen kur kam 15 paga pa marrë? Ju lutem bëni diçka për Mallakstrën!

Rama: Këto janë sfidat e një ekonomie tregu i dashur dhe sigurisht që aty ka një mëkat origjinal që ka nisur me atë privatizimin e famshëm. Kjo varet në vazhdimësi nga mundësia për të pasur operatorë dhe investitorë. Ne kemi bërë sa kemi mundur, nuk kemi bërë sa kemi dashur, po vazhdojmë të përpiqemi. Jemi në një proces që shikojmë dritë në fund të këtij tuneli të ri që u hap, por ndërkohë kemi marrë masa. Do të fillojmë menjëherë me pagesën e papunësisë për të gjithë ata që janë atje punonjës që është obligim i shtetit dhe pastaj do të shikojmë më tutje procesin.


Shtetezimi i minierave? endrra te nje nate vere

Tare: Një tjetër shikues thotë se pse minierat dhe nafta nuk shtetëzohen?

Rama: Këto janë ëndrra të një nate vere që i takon stinës të komunizmit, nuk i takon logjikës së kësaj ekonomie.  Kemi filluar më në fund të përpunojmë kromin, kemi uzina të përpunimit. Kompania Shell është në proces për një kontratë të re investimi me qeverinë shqiptare. Kemi interesimin e një kompanie shumë të madhe për një investim tjetër në fushën e naftës. Gjërat janë shumë më mirë se ku ishim.

Tare: Një kompani me 5 yje në Tiranë.

Rama: Sheratoni ndërpreu kontratën. Është një brend që kompania arabe menaxhonte. Jo vetëm Sheratoni por edhe të tjerë emra janë në proces për t'u lidhur me investitorë në Shqipëri. Do të kemi edhe hotelin e parë me 5 yje në jug.

Tare: Keni thënë se nga janari nuk do të njihni bilancet e dyfishta pra për pagat në të zezë.

Rama: Do të ndodhë që bilancet që kompanitë u tregojnë bankave do të jenë zyrtare. Nuk mund të jetë që në banka të tregojnë sa të pasur janë dhe në tatime janë të varfër.

Tare: Çfarë do të bëhet me autostradën e prishur Tiranë-Durrës?

Rama: Aksi deri në Rinas nuk ka pasur asnjë problem. Duke qenë konsumator të mëdhenj të mediave edhe këta që bëjnë këto lloj pyetjesh, duhet t'i shikojnë këto gjëra.

Tare: Gropat i keni parë...

Rama: Ajo që përcakton cilësinë e infrastrukturës është se sa shpejt i ikën uji apo i rri uji. Do të bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë në anën tjetër. Do të synojmë të bëjmë një projekt të ri nga pjesa nga Kashari deri në Durrës.


Gara për kreun e FSHF, Rama: S'kam asnjë ndjeshmëri 

 Tare: Gara midis Bashkim Finos dhe Armand Dukës. Keni një preferencë?

Rama: Unë nuk jam ndjekës i kampionatit shqiptar, por veç kombëtares së Shqipërisë. Jam krejtësisht pa emocione në këtë proces. Sigurisht që Federata është e rëndësishme për shkak se është mekanizimi institucional që krijon sistemin dhe bën të mundur furnizimin e kombëtares. Unë nuk votoj.

Tare: A do të ndikoni me bashkitë që kontrollon PS?

Rama: Nuk kam absolutisht asnjë lloj emocioni vetjak dhe si kryeministër nuk kam asnjë lloj detyrimi të merrem me këtë proces.

Tare: Në familje e ndjekin kampionatin kombëtar..

Rama: Vëllai është 5 vjet më i vogël se unë dhe nuk është i ri. Është në të drejtën e vet, ka marrë drejtim në një fushë që unë nuk shkoj ndonjëherë. Unë shumë rrallë shkoj në ndeshjet e kampionatit kombëtar dhe mezi pres të iki.


Pritshmëritë e ministrave, Rama: Janë përmbushur

Tare: A ka ndonjë ministër që nuk i ka përmbushur pritshmëritë tuaja?

Rama: Jo! Pritshmëritë e mia janë të bazuara në objektiva. Ato që i kemi vendosur janë kryer.


Situata në Maqedoni 

Tare: Një pyetje të fundit për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.

Rama: Është një zhvillim historik. Jam shumë krenar që për realizimin e kësaj ëndrre kjo fuqi që quhet PS e Shqipërisë dhe qeveria që kam drejtuar dhe politika e jashtme e shumë kontestuar nga analistët e kazanit politik dhe mediatik ka kontributin e vet në këtë drejtim. Pa PS-në në qeveri nuk do të kishim arritur këtë ditë sot. Ne e bëmë. Të tjerët kishin mundësi ta bënin por i lanë shqiptarët për të shkuar për të bërë fotografi. Unë nuk jam përfshirë atje asnjëherë midis tyre, por besoj se mund ta them me krenari që arritëm bashkë me Ditmir Bushatin dhe të tjerë t'i nxisim që ata të jenë bashkë dhe të kryejnë një proces historik.

Tare: A keni komunikim me partitë shqiptare në Maqedoni dhe me Zaevin?

Rama: Këto janë çështje që unë nuk flas.


Rama: Me Greqinë partneritet strategjik 

Tare: Pas deklaratës së Bushatit në "Tonight" para një jave që me Greqinë po diskutohet edhe çështja çame, pala greke ka thënë se nuk ekziston një çështje e tillë.

Rama: Ju doni të hidhni në erë negociatat. Ne do të diskutojmë çdo çështje. Se si i quajnë ata dhe cila çështje që ekziston apo nuk ekziston i kanë mbetur të kaluarës kur nuk uleshim në tavolinë dhe kur kazanxhinjtë e politikës së madhe thoshin që Edi Rama tha se do të kemi zero probleme me fqinjët dhe me gjithë fqinjët kemi probleme. U krijuan probleme sepse ne donim të shoshitnim problemet sepse nuk ishim qeveria e radhës që mbyllte sqepin, mbante pantallonat me dorë kur komunikonte me fqinjët.

Ne ishim dhe jemi qeveria e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është në interesin strategjik që të kemi partner strategjik me Greqinë që të kemi zero probleme dhe po punojmë për këtë interes strategjik.


Negociatat, Rama: Jemi në një situatë absurde

Tare: Jeni optimist për hapjen e negociatave?

Rama: Jemi në një situatë kompletë absurde dhe unikale në gjithë historinë e integrimit të Evropës ish-komuniste sepse jemi i vetmi vend që rreziku na vjen nga brenda, nga opozita që nuk është e gatshme të jetë pjesë e këtij procesi. Jemi i vetmi vend ku shumica qeverisëse shpreh rezerva për reformën në drejtësi dhe thërret njerëzit që dilni në shesh për varfërinë dhe prokuroren e përgjithshme që e zgjodhi shumica në Parlament me mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe BE-së.


Pjesa e III e intervistes 


Protesta e 27 janarit, Rama: Opozita po trajton qytetaret si kope 

Tare: Në 27 janar ka një protestë poshtë zyrës suaj të thirrur nga opozita, aletatët e saj. Rrezikon vendi të dalë sërish nga normaliteti, i ngjashëm me atë të një viti më parë?

Rama: Protestat janë sa normale për një opozitë, aq edhe problematike kur ato kthehen në qëllim në vetëvete dhe jo instrument opozitar për të çuar para një axhendë sensibilizimi. Ajo që dua të them unë është se nga këndvështrimi im problemi nuk janë protestat por qasja e kësaj opozite, e kësaj tufe pa kokë, pa drejtim, strategji, ide dhe vizion. Asgjë tjetër përveçse një dëshpërimi të shprehur në formën e një mllefi ekstrem në raport me objektivin historik të hapjes së negociatave.Pra qasja në raport me reformën në drejtësi.

Një opozitë si kjo që proteston për një çështje që në sytë e atyre që do të hapin negociatat me ne është zgjidhur drejt, çfarë mesazhi u çon? Çfarë mesazhi i çon kjo opozitë BE duke prrotestuar për prokuroren e përgjithshme që është bërë me opinionin profesional të misionit të drejtësisë së BE. 

Në Bruksel të gjithë mendojnë se është bërë gjëja e duhur. Një opozitë që del dhe thotë kjo është shkelje kushtetuese, akuzon Brukselin, çfarë është kjo? Ju thotë atyre që shiko, ju jeni të korruptuar apo jeni viktimë e të korruptuarve që keni ju brenda në sistem që janë bashkë me Edi Ramën duke ju mashtruar juve? 

Në këtë sens kjo rrezikon të krijojë shqetësim dhe të çojë mesazhin që këtu kemi të bëjmë me një kopësht kalamajsh që nuk e ka maturinë e nevojshme dhe nuk na jep garanci që është një shtet që është gati të ulet në tavolinë për të negociouar anëtarësimin në BE.

Tare: Edhe atyre i bën përshtypje kur ju quani tufë opozitën.

Rama: Kujt i bën përshtypje? Çfarë gjuhe? Tufë njerëzish, e përdor dhe për njerëzit kur sillen si kope dhe aq më tepër e trajtojnë popullin si një kope delesh që mund ti marrësh dhe ti çosh në humnerë.

Tare: Atyre që do të vinë të protestojnë çfarë do tu thoni?

Rama: Atyre do tu them: Mirë se të vini të protestoni. Ju nuk jeni aspak të detyruar të jeni dakord me mua, me reformat, të ndiheni mirë nëse nuk ndiheni mirë. Por mos harroni një gjë, ata që ju thërrasin ju duan për numra, ju duan si kope për t'ia vënë përpara makinës së reformës në drejtësi. Duke ja vënë përpara makinës së reformës në drejtësi, ja vënë përpara Shqipërisë përpara sesa të shkojë në takimin historik ku vendoset jo pak por a do ulemi në tryezë si shet për të thënë jemi gati të negociojmë për anëtarësimin apo do të rrimë tek dera si kandidatë që nuk janë në gjendje të tregojnë se janë gati për tu ulur në tryezë.Kjo është ajo që u them unë atyre që do të vinë të protestojnë.

Tare: A druheni se do të jetë e dhunshme protesta e 27 janarit?

Rama: Nuk janë pyetje për mua. Të hedh fall këtu. Unë nuk i druhem asnjë gjëje në raport me të tjerët, unë i druhem vetëm mospërmnbushjes së obligimeve që kam ndaj njerëzve dhe mospërmbushjes së objektivave dhe detyrave tona. Nuk i druhem fare asgjëje tjetër që nuk e kam unë në dorë.


ERTV nje televizion i Edi Rames: Eshte zeri im 


Tare: Si e keni politikën editoriale të ERT, do ta transmetojë protestën? Vjet e keni dhënë live.

Rama: Të bëjmë bisedë më serioze, ERT është video-ekran i fb tim.Nuk ka politikë editoriale, do të bëhet me politikë editoriale, kur të bëhet do t'u informoj. Televizioni i facebook tim. Mua më kanë zgjedhur për të bërë këtë punë, kam zërin tim, fytyrën time dhe faqen time dhe përgjegjësinë time. Në atë faqe futet kush ka dëshirë, nuk ka asnjë që është i detyruar të futet aty dhe të rrijë aty. Është zëri im. Një televizion i Edi Ramës.

Tare: Si kryeministër apo si individ?

Rama: Unë nuk i ndaj këto të dyja sepse njerëzit kanë zgjedhur Edi Ramën për kryeministër. Nuk kanë zgjedhur një kryeministër që ishte Edi Rama por nuk duhet të jetë Edi Rama, duhet të jetë si e dëshiron Ilva, Flamuri.

Tare: Kthehemi tek protesta, keni bërë përpjekje për tu takuar me përfaqësues të opozitës?

Rama: Keni dëgjuar vetëm lutje nga ana ime dhe përgjigje keni marrë atë që keni dëgjuar.

Tare: Një burim nga PD thotë se ka pasur negociata ku u zgjodh prokurorja e përgjithshme me mandat të përkohshëm por kur u kërkuan këtë amandament që sollën sot për të ndryshuar Kushtetutën, ju keni thënë më parë biem dakord për emrin.

Rama: Këto janë dokrra hini. Ne kemi pasur një proces ku duhet të zgjidhnim prokuroren e përgjithshme dhe nuk kemi pasur një proces ku do të ndryshonim Kushtetutën. Nëse nuk bëhet një kërkesë e rrugës për anëtarësim në BE.


Rama: Basha nuk ka sy për të parë rrugën, shikon këmbët

Tare:  Në ditën tuaj ideale, çfarë duhet të bëjë zoti Basha që të mos dëmtojë hapjen e negociatave?

Rama: Duhet të gjejë sytë për të parë, drejtimin për të ecur, fuqinë për ta përcjellë tek të tjerët drejtimin, pra, duhet të jetë ai që s’është dhe ai që s’do të bëhet.

Tare: Me pak fjalë?

Rama: Me pak fjalë, çfarë t’ju them unë tani? T’ju them të bëj punën e Lulit.

Tare: E kuptoj por partia e tij e ka zgjedhur zotin Basha.

Rama: Nuk ka sy për të parë rrugën, shikon këmbët. Të mocmit thonin një fjalë të bukur: Të udhëheqësh do të thotë të shikosh rrugën, jo këmbët kur i japim bicikletës. Ai shikon këmbët ndërkohë që  i ka dhënë timonin e biçikletës së PD dhe për këtë arsye nuk ka idenë se ku do të shkojë dhe thotë hajde se këmbët do më çojnë atje. Nuk ka asnjë lloj strategjie.

Tare: Çfarë rëndësie ka për ju, ka apo jo strategji zoti Basha? Jemi në raport me ju, me partitë që do përfaqësojnë vendin. Cfarë do donit ju të bënte zoti Basha që mos dëmtoheshin negociatat?

Rama: Po flasim për të, nuk po flasim për mua. Ju më pyetët përse nuk i bën këto. Sepse nuk i ka këto, kjo është. Është si puna e asaj pse nuk bie këmbana.

Tare: Ju e thatë çfarë doni pak a shumë nga zoti Basha?

Rama: Unë iu përgjigja juve çfarë mendoj unë se do duhej të bënte. Do duhej të jepte drejtimin, po pse si jep dot? Sepse nuk ka sy.

Tare: Ju çfarë jeni i gatshëm ti ofroni opozitës?

Rama: Të gjithë gatishmërinë time për të komunikuar dhe për të këmbyer opinione lidhur me çështje të interest të përbashkët. Më shumë s’kam çfarë i jap opozitës se dashurinë e kam për njerëzit dhe bashkëpunëtorët. Për opozitën kam thjesht gatishmërinë për të qenë në njërën anë të tryezës nëse opozita do jetë në anën tjetër.

Tare: A mund të flasim për një marrëveshje tjetër, të ngjashme me atë të 17-18 majit me zotin Basha?

Rama: Me gjithë respektin, a mund të kalojmë në disa çështje që kanë të bëjnë me mua, me qeverisjen, me interesin e njerëzve sepse u bë një kohë e gjatë që kemi hyrë në terren. Pastaj pimë kafe turke.

Tare: Jo nuk është kafe turke se opozita është në protestë, me marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin.

Rama: I thamë ato, unë nuk kam lidhje me protestën e opozitës. Opozita të vijë këtu të shpjegojë protestën, të shpjegojë marrëdhëniet, kushtet. Ata ishin në parlament sot, nuk i pashë në një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, por me foltoren.

Tare: Jeni i gatshëm të bëni një marrëveshje me Lulzim Bashën për çështjen e integrimit?

Rama: Patjetër, gjithmonë.

Tare: A e shihni shqetësuese mosmbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore si një tjetër motiv për opozitën për më shumë garanci për zgjedhjet e ardhshme?

Rama: Është çështje e opozitës ajo, nuk është çështje e imja fare.


Marrëdhëniet me Metën? Normale, por kur shkruan letra ndryshojnë 


Tare: Si janë marrëdhëniet me Presidentin e Republikës, zotin Meta?

Rama: Marrëdhëniet janë normale, sipas meje. Nuk ka asgjë të veçantë.  Kuptohet mes meje dhe tij. Kur shkruan letra pastaj, marrëdhëniet ndryshojnë.

Tare: E keni fjalën për letrën drejtuar presidentit Trump?

Rama:  Kur shkruan letra përgjithësisht.

Tare: Dhe si ka ndryshuar?

Rama: Kalojmë në temat e qeverisjes, nuk jam këtu për të folur për marrëdhëniet. Marrëdhënie normale. Si President është duke bërë detyrën e tij dhe duke lënë të kuptohet se boshllëku që ka lënë aty ku ishte është katastrofik.

Tare: Ekonomia, 100 ditët e para. Pas 4 vjecarit të parë, ku shumica e premtimeve nuk u arritën.

Rama: Cilat?

Tare: 300 mijë vendet e punës, shëndetësia falas, ulja e cmimit të energjisë, ulja TVSH-së së energjisë me 6%, ulja e TVSH-së së produkteve të shportës. E thatë dhe vetë në Asamblenë e PS. Njerëzit nuk hanë shifra duke iu referuar rritjes 4% të ekonomisë.

Rama: Për të gjitha këto kam folur para zgjedhjeve dhe përgjigjen e morët.


Objektivi: Rritja ekonomike 5 %

Tare: A keni një plan serioz për ti realizuar në këtë mandat?

Rama: Flasim për ekonominë sot. Shqipëria rritet 4 herë më shumë se ç’rritej 4 vite më parë, ekonomikisht dhe për vitin 2018 ne kemi një program financimi dhe stimulimi të ekonomisë që do të konfirmojë rritjen e mëtejshme ekonomike dhe ju kam thënë më parë dhe jua përsëris sot. Objektivi është që vitin e tretë të mandatit ne të kemi kaluar 5% rritjen ekonomike. Nëse e kalojmë 5% jemi në kushtet kur rritja ekonomike nga shifër për një pjesë të rëndësishme të njerëzve kthehet në dicka e prekshme, reale në jetën e tyre të përditshme.

Tare: Pra deri me 4% nuk është kthyer e prekshme?

Rama: Nëse marrim ndihmën ekonomike, është trefishuar. Kur i thua është trefishuar, ata që janë në ndihmë ekonomike kanë të drejtë dhe të fyhen se thonë mjafton? Jo nuk mjafton. Rrogat? Rrogat janë rritur në mënyrë shumë të ndjeshme. Kur ia thua njerëzve këtë, me të drejtë thonë, mjafton? Jo, nuk mjafton. Prandaj unë po them 5%. Nuk them që nuk kanë ndodhur këto por janë përmirësime të vazhdueshme të cilat marrin një shtysë më të rëndësishme nëse ekonomia kalon 5 dhe këtë e thonë ekspertët ndërkombëtarë, nuk e themi ne. Dhe ne për këtë synojmë. Siç synojmë për të rritur më tutje punësimin real, kemi shifrat e punësimit që janë të padiskutueshme. Por nëse them që libri i llogarive të shtetit ka sot 200 e 20 kusur mijë më shumë të punësuar që janë të siguruar e paguajnë taksat, këtu pastaj hapen një thes i madh me brockulla dhe më pas tregojnë historira. Prandaj PS fiton zgjedhjet. Ndërkohë punësimi sot ka disa problematika që kanë të bëjnë me paga më të mira, me kushte më të mira pune, me garanci më shumë. Këto janë tema që ia vlen të diskutojmë.

Tare:  Nga 1 prilli hyn në fuqi tvsh e biznesit të vogël. I keni bërë llogaritë tuaja, a mund do jetojnë dot bizneset?

Rama: As nuk ka lidhja fare me bizneset që janë biznese te rregullta, nuk ka lidhje fare, sepse faktikisht nuk prek biznesin  e vogël, por thjeshtë përfshinë biznesin e vogël në një skemë duke mos e lënë të jetë valvula shfryrëse  e të mëdhejve që përdorin të voglin për t'iu shmangur detyrimeve ndaj shtetit.
Thatë se në 100 ditë  janë hapur më shumë se 6100 biznese të reja, mesatarisht 61 biznese në ditë. A keni një bilanc sa biznese janë mbyllur?

Tare: Janë afro 2000 biznese të reja që janë hapur gjatë vitit 2017.

Rama: Bizneset hapen, bizneset mbyllen, kudo në botë. Në qoftëse janë hapur më pak dhe janë mbyllur më shumë si shpjegohet se është rritur punësimi? Si shpjegohet se është rritur vetëpunësimi përmes biznesit të vogël? Si shpjegohet? Sepse nëse do të ishin mbyllur do të kishin rënë shifrat e punësimit. Janë rritur.

Rruga e Arbrit, ne fazen e lidhjes se kontrates

Tare: Kam shumë pyetje nga qytetarët. Çfarë po bëhet me Rrugën e Arbrit? Kur do nisin punimet në terren? Shumë premtime në 2017-tën, tani vetëm po heshtet.

Rama: Jo mo jo, ne duhet ta kishim mbaruar në fakt rrugën se mu bënë të gjithë si vlonjatët. Kur filloi Lungomarja, të nesërmen thoshin ku e ke? Dmth, më kujtohet e kam thënë fjalën për Lungomaren në Vlorë, kur arrita në Tiranë, ishte bërë një postim dhe vlonjatët kishin filluar: Ku është? Dmth këto janë historira nuk marr përsipër që t'i tregoj.

Tare: Jo, thatë se do i filloni punimet për 1 vit për Rrugën e Arbrit dhe në ç'fazë jemi?

Rama: Jemi në fazën e përfundimit të negociatave dhe në fazën e lidhjes së kontratës me kompaninë. Këto janë gjëra që nuk janë kaq të thjeshta sa duken. Ajo që është e rëndësishme është që procesi është në rrugën e duhur dhe Rruga e Arbrit do të ndërtohet brënda këtij mandati.


Projekt tjeter: Milot-Balldreni, Thumane-Kashari

Tare: A ka ndonjë projekt tjetër, pjesë e paketës 1 miliard që nis këtë vit?

Rama: Patjetër. Janë disa projekte. Është Milot-Balldreni , është Thumanë-Kashari që janë në procedurë shumë të avancuar. Ndërkohë që është dhe Delvinë-Kardhic që është një procedurë dhe po ashtu janë dhe disa projekte të tjera që do të jenë në formën e rrugës alternative dhe me pagesë.

Tare: A ka ndonjë projekt tjetër nga partneriteti publik-privat që do të jepet së shpejti? 

Rama: Duhet ta materializohet ajo e laboratorit të analizave. Dmth të fillojë të funksionojnë.

Tare: Në strategjine tuaj të bashkëqeverisjes me qytetarët. Thatë se për hallet e popullit do të bëni direkt ministrin. A nuk mendoni se do e pengojë punën e vërtetë të ministrit, të bëjë politika?

Rama: Ou, pse hallet e njerëzve nëpër zyra të kujt janë të Stamo Dumës apo atyre drejtorëve që as nuk duan t'ia dinë se si u pritën njerëzit dhe si u përcollën njerëzit. Vetëm përfshirja e Ministrisë së Drejtësië në procesin e bashkëqeverisjes sa i përket hipotekave ka bërë që një numri njerëzish të cilët prisnin të merrni hipotekën dhe zvarriteshin edhe prej vitesh, t'ju zgjidhet çështja për 10 ditë dhe 35 parazitë dhe grabitqarë të largohen nga puna dhe të shkojnë për ndjekje penale dhe po të mos ishte përfshirja e drejtëpërdrejtë e Minstres në të gjitha rastet ku i kërkohet hipotekës përgjegjshmëri nuk do të kishte këto rezultate dhe prandaj u them nejrëzve - se përpara sesa të talleni dhe rrudhni buzët i keni të gjitha të drejtat të bëni këto se keni 20 e ca vite që merrni genjështra - Na vini në provë, nëse zyra përkatëse nuk u jep përgjigje për çfarëdo lloj shërbimi, futuni tek Shqipëria që duam .al dhe bëni ankesën tuaj konkrete. Brenda afatit 10 ditor do të merrni përgjigje zyrtare nga qeveria. Ministri, Ministrja do të bëhet miku juaj për të zgjidhur problemin që ka krijuar administrata. Kjo është mënyra sesi do të vëmë në mes edhe nëpunësit, drejtorët dhe të gjitha ata që nuk e meritojnë të jenë në zyrat e shtetit. Le të jenë më kë të duan si parti  nëse nuk plotësojnë kushtet për t'iu përgjigjur si duhet një qytetari nuk e meritojnë të jenë në zyrat e shtetit.

Tare: Ministër dixhital?

Rama: Mirë mirë, dakord.

Pjesa e dytë e intervistës: 


Ndryshimet kushtetuese, PD te marre mbeshtetjen e SHBA e BE me pas..

Tare: Sot PD ka depozituar në Kuvend një iniciativë për ndryshimin e Kushtetutës?

Rama: Të shkojnë të marrin mbështetjen e SHBA dhe BE dhe pastaj hajde të diskutojmë. Ndërkohë që SHqipëria ka partner SHBA-të dhe BE-në dhe kjo reformë pa ta nuk ishte kurrë nuk ishte e mundur sepse ishin ata që ua futën këmbët në një këpucë dhe kërkojnë të kthejnë përmbys një proces që nuk ndalet.

Deklarata e pare per Arta Markun: A e sheh si kryeprokurore te pergjithshme  

Tare: A kishte një mundësi tjetër të zgjidhej ndryshe Arta Marku?

Rama: Nuk kishte. Dhe këtë nuk e them unë. E thonë qartësisht misionet e drejtësisë së SHBA dhe BE-së. Kishte një mundësi tjetër që të shkonim në votim të dakordësuar. Unë e bëra ftesën publikisht dhe Lulzim Basha e refuzoi. Askush nuk e kupton këtë refuzim, unë e kuptoj këtë refuzim.

Tare: Ata thonë që të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë që do të çojë tek një prokuror i pranuar...

Rama: Është një proces që do të shkojë sipas përcaktimeve që ka bërë platforma e reformës në drejtësi.

Tare: Punën e tanishme të kryeprokyrores si e vlerësoni?

Rama: Nuk kam asnjë koment. Unë nuk kam bërë asnjë koment as për Adriatik Llallën që nga dita që është zgjedhur.

Tare: Thonë se ajo ka shkelur ligjin..

Rama: S'më intereson fare. Ajo le të përballet vet me kritikat.

Tare: A e shihni si kryeprokurore edhe pas krijimit të KLP-së?

Rama: Nuk është fare çështja ime.

Tare: A pati ndikim faktori ndërkombëtar në zgjedhjen e Arta Markut?

Rama: Nëse nuk do të ishte zgjedhja e duhur nuk do të bënin një deklaratë duartrokitëse.

Tare: Ju vetë negocioni me Lulzim Bashën?

Rama: Jam i gatshëm të negocioj por kur vjen puna tek reforma në drejtësi nuk mund të bëj asnjë negociatë. Kur vjen puna tek çështjet e drejtësisë asnjë negociatë nuk mund të bëjmë nëse nuk jemi të harmonizuar me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në sepse pa ta nuk do të bëhej dot reforma. Merita që i njoh PS është se qartësisht që në momentin e parë e pozicionoi veten aty ku duhet.

Tare: Ngritja e KLP-së ka ngecur. Mbani ju përgjegjësi?

Rama: Është humbje kohe kjo bisedë. Ne mbajmë përgjegjësi për çfarë bëjmë për veprimet ose mosveprimet tona.


Titullarët e përkohshëm, Rama: Për kreun e SHISH s'do ketë propozim tjetër 

Tare: E shihni si shqetësues si SHISH, Policia etj janë me titullar të përkohshëm...

Rama: Drejtori i Shërbimit është drejtori i Shërbimit në detyrë. Duhet të marrë miratimin e Presidentit dhe nuk do të ketë propozim tjetër nga unë. Presidenti ka kërkuar kohë dhe ai të marrë kohë sa të dojë. Unë e kam propozuar si drejtor të Shërbimit Informativ.

Tare: Po policia...

Rama: Policia është në një proces normal për të kaluar në zgjedhjen e drejtorit të ri që do të mbyllet në pak kohë.

Tare: Mund të jetë edhe një zonjë në krye të policisë..

Rama: Për mua do të ishte edhe për më shumë se çka gra dhe vajza në pozita drejtuese. Nëse do të jetë zonjë do të jem edhe më i gëzuar.


Rama: Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me Haki Çakon

Tare: Pse e liruat nga detyra zt. Çako?

Rama: Sepse është koha për t'i dhënë një shtyrje të re punës.

Tare: A është e vërtetë se e keni refuzuar një herë shkarkimin?

Rama: Është një gënjeshtër. Unë nuk kam marrëdhënie me drejtorin e Policisë, nuk kam pasur dhe nuk do të kem kurrë. Kuptohet siç e kam thënë publikisht kur u krijua qeveria teknike që garantoi zgjedhjet që pastaj dolën të blera dhe të vjedhura, unë kam vendosur kontakt me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë sepse kisha nevojë t'i bëja të qartë që në zgjedhje policia duhet të mbante paanshmëri gjë që e bëri.

Tare: Si do të kujtohet zt. Çako si drejtori që shkatërroi Lazaratin apo se mbolli Shqipërinë me kanabis?

Rama: Nuk ia bëj pyetjen vetes në raport me të tjerët sepse raporti me historinë është personal. Kapitulli i policisë së shtetit nën qeverisjen time do të kujtohet si kapitulli i modernizimit dhe në fund të këtij mandati do të rankohet në policinë e standardeve të Bashkimit Evropian.

Tare: Mund të kujtoheni për shembull si ministri i zt.Tahiri, zt. Çako?

Rama: Popullin e dini më pak të mençur se ju, kurse unë e di më të mençur se veten.

Tare: Kur rendisni edhe fundin e kanabizimit? Nuk do të ketë më asnjë parcelë?

Rama: Do të thotë se Shqipëria nuk është më hartën e vendeve që kultivon dhe trafikon kanabis.

Tare: Si mund të arrihet kjo kur kultivuezit janë në ditë të qeta?

Rama: Ju keni parë rrënjët, dhe nuk keni parë që kemi kryer një numër arrestimesh masive.

Tare: Në nëntor miratuat task-forcën për fazën e dytë? Kur prisni të japë rezultate?

Rama: Do të japë rezultate hap pas hapi. Nuk është çështje korrjesh. Për fat të keq, një pushtet gjyqësor të korruptuar e kemi paguar shtrenjtë.

Tare: A është dëmtuar imazhi i Policisë pas akuzave ndaj zt.Tahiri?

Rama: Imazhi i policisë nuk përcaktohet si e shikoj unë, apo ata. Për mendimin tim përcaktohet nga opinionin publik dhe faktori ndërkombëtar. Anketimi i Komisionit Evropian do të na tregojë se si do të jetë imazhi i policisë për vitin 2017. Për vitin 2016, ne e kemi parë se si ishte.

Tare: Keni folur së fundmi me Tahirin?

Rama: Nuk kam folur dhe e kam thënë atë që duhet.

Rama: E mirë se ardhur ndihma amerikane për çështjen Tahiri 

Tare: Nuk ka ndonjë zhvillim tjetër për çështje. Ambasadori Lu ka ofruar ndihmën e prokurorëve federalë për këtë çëshjtje..

Rama: Këtë mund ta thoni në lajme. Mua nuk më interesojnë zhvillimet e reja. Saimir Tahiri ka avokatët e vet dhe unë pres përfundimin e vendimit të drejtësisë. Saimir Tahiri nuk është as pjesë e grupit të Partisë Socialiste dhe është e para herë që një parti bën një ndarje kaq drastike me një figurë kaq të rëndësishme. Për sa kohë ky është shembulli ynë unë nuk kam çfarë të them.

Tare: Do e pranoni ndihmën e ofruar nga Lu?

Rama: Nuk është ndihmë për mua, por për prokurorinë dhe është e mirëseardhur. Çdo ndihmë për sa i përket zbardhjes së plotë për këtë çështje është e mirë se ardhur. PS nuk është zyrë avokatie dhe nuk bën avokatin e Saimir Tahiriti?

Tare: Kur do të goditen 4 klanet e mëdha me 20 familjet që kontrollojnë rrjetin e kriminaliteti?

Rama: Di që ka një operacion që një pjesë e të cilit është sekret që quhet Forca e Ligjit, i cili do të bëjë punët e duhura.

Tare: A janë shqiptarët të rrezikuar nga klanet mafioze?

Rama: Si është e mundur kur Shqipëria kishte 41 vrasje në 2017.

Tare: Dy ishin sot, një vrasje ishte dje...

Rama: Sigurisht që ka vrasje dhe fatkeqësisht vriten qytetar të pafajshëm por ajo që është e vërteta e thjeshtë është se nga pikëpamja e raportit të policisë me krimin dhe aty ku materializohet tek vrasjet, tek vjedhjet me dhunë, jemi ku e ku se ku ishim.

Tare: Për shkak të kriminalitetit të lartë në vend...

Rama: Nuk ka kriminalitet të lartë në vend.  Me qetësi dhe dashuri!

Tare: Ia keni huazuar Presidentit Meta..

Rama: Po dhe që e harroi vetë.

Tare: Opozita ju ka akuzuar edhe ju të lidhur me krimin..

Rama: Para disa ditësh vjen një kryebashkiak evropian dhe nuk pranon të dali nga salla vip sepse kërkon makina të blinduara dhe roje me armë lufte. I thuhet që kjo është diçka e pamundur. Ka ndodhur vjet. Refuzon dhe në fund fare i thuhet se në qoftë se keni këto kushte ne nuk ju fusim dot në Tiranë. Vjen në Tiranë dhe për fat ndodh që takohemi edhe bashkë dhe më thotë; zt.Kryeministër duhet t'ju kërkoj ndjesë për faktin se është hera e parë që vij dhe çfarë më kanë parë sytë dhe nuk ma ka marrë mendja. Një vend komplet tjetër nga ajo që kam imagjinuar. I thashë e di sa vrasje ke në qytetin tënd? 17, në Tiranë ka 7. Ky është një vend që ka probleme dhe pati një problem shumë të madh me kanabisin dhe u kthye në problem edhe mediatik, por ky nuk është një vend që vihet me makinë të blinduar.

Pjesa e I e intervistes

Tare: Ka një çështje që është kthyer në qendër të vëmendjes, dëmshpërblimi i kompleksit Jon në Vlorë. Jeni penduar?

Rama: Do ta bëja 1000 herë po të kthehesha 1000 herë. Kemi bërë një shpronësim të ligjshëm dhe ankuesit nuk kanë kontestuar shpronësimin, por shifrën. Kanë qenë të pakënaqur me shifrën e përcaktuar nga qeveria dhe për këtë kanë shkuar në gjyq. Shpronësimi është bërë sepse në atë shumë duheshin kompensuar të gjithë ata të cilët kishin blerë apartamente, një numër i caktuar familjesh, dhe në rastin kur gjykata ka bërë vlerësimet e veta dhe ka dhënë konkluzionet e veta është gjykatë. Ne si shtet po përgatisim një apelim në një nivel tjetër në Strasburg dhe do të shikojmë konkluzionet. Por ama ajo që ka fituar Vlora dhe ajo që do të fitojë turizmi, ekonomia në Vlorë nuk ka të krahasuar me asnjë lloj diskutimi që bëhet sot.

Tare: Ajo për çfarë janë të shqetësuar qytetarët është pse duhet të paguajmë nga xhepat tanë 13 milion euro.Ka një moment që mund tu kërkohet ndjesë atyre për këtë shpenzim nga xhepat e tyre?

Rama: Qytetarëve duhet tu kërkojnë ndjesë ata që i dizinformojnë.Jo ne që kemi bërë punën tonë, ata e dinë shumë mirë që sa herë ka punë publike ka shpronësime me interes publik kur bëhet fjalë për prona me dokumentacion. Dizinformimi i qytetarëve sjell këto reagime. Nuk ka asnjë kontest sa i përket ligjshmërisë.Gjykata nuk ka konstatuar paligjshmëri të veprimit, thjesht ka marrë një ankim me pretendimin se shuma e dhënë nga qeveria është shumë e ulët dhe duhet një shumë më e lartë. Kjo është ajo që ka bërë gjykata.Nuk jemi dakord me vendimin e gjykatës, ka një instancë më të lartë po atje, ne do të bëjmë përpjekjen tjetër që është një përpjekje brenda kornizës së procedurave.

Tare: Vendimi i Strasburgut a e bën serioz shqetësimin e shprehur edhe nga Vasili që lidhet me faktin se Shqipëria mund të humbasë rreth 2 miliard euro nga gjyqet që mund të humbasë në Strasburg?Do të çonte në falimentimin e buxhetit të shtetit nëse kjo ndodh.

Rama: Kush ishte ky që e ka thënë këtë?

Tare: Zoti Vasili.

Rama: Ne kemi përballë një lloj konglomerati opozitar që ëndrrat që shikon dhe dëshiron ja përcjell shqiptarëve si gjëma që do ndodhin. Nëse këtyre njerëzve u thuhet se në Shqipëri do ketë një tërmet ku mund të humbasin jetën 100 mijë veta dhe ndër ta do jetë kryeministri dhe kabineti këta do jenë shumë të lumtur që kjo ëndërr të realizohet.


Rama përgjigjet si ndihet i "vetëm në timon"

Tare: Duket sikur nuk po qeverisni, nuk jeni i interesuar për timonin.

Rama: Varet se nga ku e shikoni ju makinën dhe çfarë kuptoni me qeverisjen. Ne kemi nisur procese shumë të rëndësishme që do të kërkojnë kohën e tyre për tu ndjerë nga qytetarët si procesi i shkurtimit të konsiderueshëm të numrit të ndërveprimeve të qytetarëve me zyrar e shtetit, më pak ecejake në zyrat e shtetit, më pak autorizime, më pak shqetësime nga kërkesat për bakshish dhe më pak shpenzime financiare. Kjo është reformë që punojmë intensivisht. 

Një pjesë e shërbimeve kanë filluar të kalojnë në sistemin i-albania dhe të jepen online, certifikata mund të merret nga shtëpia. Një pjesë tjetër janë në proces. Mund të sjell shembuj në gjithë sektorët. Kemi bërë projektimin e  një buxheti që na jep mundësinë të kërmi këtë vit volumin më të madh të investimeve publike sa i përket infrastrutkturës. Këtë vit ndërtojmë  80 qendrat e para shëndetësore të standrateve bashkëkohore që janë fillimi i një programi për 300 qendra shëndetësore. Për këtë vit fillojmë shpërndarjen e librave falas për fëmijët nga klasa e parë në të pestën. 

Këtë vit ndërtojmë bashkë me fermerët një sërë procesesh të reja ndërveprimesh me shtetin dhe të financojmë programe të reja për prodhimin, agropërpunimin, agroturizimin.

Tare: Ka qenë qeverisja me efikasitet të plotë?

Rama: Sigurisht, patjetër.

Tare: Ka pak kaos nga shkrirja e disa drejtorive dhe Ministrive, a po funksionon ajo, a pati nxitim?

Rama: Asgjë nuk po bëhet me më pak përkushtim dhe më pak cilësi se bëhej më parë. Ajo që duam është të bëhet më me shumë cilësi se bëhej më parë. Sa i përket performancës së përditshme të institucionebe nuk ka pësuar asnjë lloj cënimi si rezultat i rikonfigurimit dhe si rezultat i riorganizimit të brendshëm të mekanizmit të qeverisjes.

Tare: Në zyrat e administratës një pjesë e mirë e tyre nuk e dinë nëse do jenë në punë, do largohen, çfarë do të bëjnë.

Rama: Nuk e di me kë zyra është komunikuar për të marrë këtë informacion. Në zyrat e dikastereve ku kanë ndodhur këto procese jo vetëm njerëzit e dinë por kemi ndërtuar një program të posaçëm trajnimesh për drejtuesit e drejtorive dhe sektorëve në mënyrë që të hyjmë në një fazë të re dhe mekanizmi të hyjë në një ritëm të ri. Do të dojë dhe pak kohë që kjo të ndihet realisht si një rritje cilësie në raport me qytetarët.

Tare: Kanë kaluar katër muajt e parë të qeverisjes, nuk ka kohë për trajnime.

Rama: Për trajnime ka kohë gjithmonë dhe një nga dramat e mëdha të procesit qeverisës të gjithë viteve të shkuara ka qenë mungesa e trajnimeve. Trajnimet, ajo që quhet edukim në vazhdim, i bën çdo qeveri e përgjegjshme vazhdimisht. Trajnimet nuk janë kurse kundër analfabetizimit. Trajnimet janë edukimi  në vazhdim i gjithë organizatave që përbëjnë së brendshmi organizatën e pushtetit ekzekutiv.

Tare: Si është të përdorni i vetëm timonin në qeveri?

Rama: Është një barrë më e rëndë, përgjegjësi më e madhe dhe patjetër që është një sfidë më e madhe. Nuk ka se kujt ti lësh fajin, ashtu sikundër nuk ka psikologjikisht një lloj pajtimi të brendshëm me faktin se disa gjëra nuk bëhen sepse politikisht e kemi të pamundur pasi jemi të detyruar nga kushtet e koalicionit.

Tare: Ju ka bërë pak më arrogant, më arbitrar të qenurit në qeverisje i vetëm?

Rama: Besoj që mua personalisht dhe do të dëshiroja të konstatohej tek të gjithë, më ka bërë shumë modest, të vetëdijshëm për barrën dhe shumë të urtë përballë të gjithë problematikave me të cilat ndeshemi.

Tare: Ka edhe deputetë të PS të shqetësuar për faktin se nuk e keni çuar ende tepsinë për skrap.

Rama: Ka deputetë të PS që e kanë më të vështirë sesa të tjerë që ta kuptojnë se ky nuk është një proces për zënie të disave për të marrë disa por ky është një proces modernizimi, nga njëra anë duhet bërë reforma strukturore dhe nga ana tjetër i duhet gjetur punës njeriu. Ne kemi përgatitur një reformë për të gjithë sistemin e drejtimit në nivelin ekzekutiv në Ministritë qoftë në sektorin e arsimit, shëndetësi, bujqësi, gjithë fushës së inspektimeve dhe kjo reformë kërkon patjetër kohën që ka marrë. Përshtatja e burimeve njerëzore është një çështje që nuk është e partisë, është e qeverisë. Në këtë aspekt patjetër që deputetët e PS.

Tare: Zoti Ndreu ka bërë një status.

Rama: Ka edhe të tjerë që janë nën presion për shkak se njerëzit  e partisë në rrethe të ngushta që kanë dhënë edhe kontributet e tyre kërkojnë të gjejnë akses për tu punësuar në shtet por unë nuk mund të harroj për asnjë moment dhe është puna ime në rradhë të parë dhe pastaj e deputetëve që t'ia kujtojmë njëri-tjetrit deri në bazë se kemi marrë një mandat për të modernizuar administratën.

Tare: Tepsia për skrap ishe një gjetje elektorale?

Rama: Jo jo.Kemi marrë mandatin për të çuar tepsinë për skrap, nuk kemi marrë mandatin për të marrë tepsinë për vete. Për këtë arsye kemi bërë procesin e konsurseve për drejtuesit e burgjeve, hipotekave, aluiznit, spitaleve. Këto procese nuk përjashtojnë asnjë kontributor që vjen nga rradhët tona por nuk janë ekskluzivitet i kontributorëve që vinë nga rradhët tona. Mes një personi që paraqet biografinë e tij në betejë dhe nuk ka aftësinë për të bërë punën dhe një personi që ka aftësinë për të bërë punën, beteja jonë është gjithmonë të zgjedhim njeriun e duhur për të bërë punën.

Tare: Nëse një drejtor në një drejtori të rëndësishme i përket një partie që aktualisht është në opozitë, do të qëndrojë në punë nëse CV e tij është e parshtatshme për të bërë punën?

Rama: Nuk ka pikë rëndësie partia e Drejtorit, ka rëndësi drejtimi i institucionit, përmbushja e kritereve dhe rezultatet e institucionit.

Tare: Ka gjyqe të tjera në Strasburg kundër shtetit shqiptar që mund të kenë faturë të përafërt me këtë 2 miliard?

Rama: Kjo faturë 2 miliard nuk ekziston, është një ëndërr e konglomeratit që sot përbën  fatkeqësisht atë që quhet opozita e Shqipërisë dhe nuk ka lidhje fare me një organizim opozitar si një front alternativ për një mënyrë tjetër qeverisje.

Tare: Ndoshta kur gjetët formulën e dëmshpërblimit duhet të ishit menduar më mirë.

Rama: Shqipëria ka një sistem ligjor.

Tare: Po kushton më shumë dëmshpërblimi për ta sesa vetë projekti.

Rama: Është shqetësim që nuk qëndron dhe e ka bazën tek dizinformimi dhe njëkohësisht tek krijimi i idesë që bëhet fjalë për një thes me para që do ti marrë kryetari i opozitës si pasojë e një gabimi të qeverisë. Nuk është kjo e vërteta.


Reforma ne drejtesi, Rama: LSI ka hedhur gurin ka fshehur doren


Tare: Ka dhe shqetësim që shkallët e gjykimit në Shqipëri ecin me ritme marramendëse dhe shumë të mira krahasuar për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Rama: Ky është problemi i drejtësisë shqiptare që duam ta reformojmë, një drejtësi që i ka hapur rrugën, edhe pse ka një lloj absurditeti në këtë proces por nuk dua të hyj në detaje, i ka hapur rrugën ankimimit atje.Janë gjykatat shqiptare që me një shpejtësi marramendëse, të paktën në raport me ankesat e tjera të qytetaëve kanë vepruar duke marrë vendim në dëm të interesit publik, në këndvështrimin tonë. Ky është problemi dhe këtu jemi të ndarë me konglomeratin opozitar që kemi sot përballë, një lloj minerali që nuk kuptohet se çfarë është, por që kuptohet qartë pse ka dalë në formë guri për të penguar rrugën e Shqipërisë dhe jo tonën të qeverisë.Dhe që ka të bëjë me drejtësinë. Jemi në një situatë që politikisht është larg së qëni normale, pas zgjedhjeve të kryera dhe 100 e ca ditë pasi është krijuar qeveria, jemi në një tjetër etapë të procesit të bërjes së reformës në drejtësi. Ashtu si në çdo etapë, kemi këtë kundërvendosje që është një kundërvendosje që ka një gjë shumë të qartë, gjithmonë PS është konform 100% të qendrimit të SHBA dhe BE si mbështetës dhe kontributor të reformës në drejtësi dhe nga ana tjerër PD, LSI kësaj rradhe haptazi dhe jo duke hedhur gruin me qetësi dhe fshehur dorën me dashuri.

Tare: Kur e ka bërë këtë?

Rama: E ka bërë gjatë gjithë kohës që ne kemi nisur procesin e reformës në drejtësi. Ka hedhur gurin me qetësi dhe ka fshehur dorën me dashuri.Ka qenë një qënie e dyzuar, tjetër në publik tjetër nën tavolinë.

Tare: Meta është iniciues i saj që u konkretizua më pas dhe më një konsensus të madh.

Rama:Nuk po bëj asnjë akuzë, po konstatoj atë që gjithë shqiptarët e dinë dhe e shohin.


Tare: Për ta mbyllur me pallatin. Në atë kohë keni thënë që leja e pallatit ka qenë e paligjshme. Pse nuk i ndoqi shteti shqiptar ata zyrtarë që në mënyrë të paligjshme kanë dhënë leje?

Rama: Çfarë do me thënë kjo? Nuk funksionon kështu, leja e dhënë nga një institucion përgjegjës është një leje që përsa i përket atryre që e kanë marrë dhe ekzekutuar në hapësirën e paligjshmërisë është legale dhe shteti duhet të përgjigjet legalisht.Është njësoj si ndërtimet e paligjshme që janë bërë në parqe, terrene sportive, në zona monument kulture dhe janë legalizuar. Janë terësisht të paligjshme por janë pronë e hipotekuar. Një pronë të hipotekuar shteti dhe qeveria nuk e zhbën dot përveçse duke e shpronësuar.

Tare: Ka pasur një mbrojtje të dobët shteti shqiptar në gjykatat tona dhe në Strasburg?

Rama: Në gjykatat tona nuk ka rëndësi cilësia e mbrojtjes por pesha e ofertës nga ana e palëve që në bashkëpunim me gjykatës të korruptuar luftojnë kundër shtetit ose privatit më të dobët. Nuk besoj se është çështje e cilësisë së mbrojtjes.

Tare: E keni lexuar arsyetimin e vendimit të Strasburgut?

Rama: Nuk më intereson kjo temë më. Nëse doni të dini më shumë për gjykatën e Strasburgut, një nga gjërat që do të shënohet në ankesën në nivelin tjetër, është se aty është thënë se shteti shqiptar e paska dhënë dëmshpërblimin 3500 dollarë, ndërkohë që janë dhënë 3.5 milion dollarë. Ka edhe lapsuse të kësaj natyre që janë qesharake.

Tare: Lidhur me institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Ka një bllokim për ngritjen e KLP dhe KLGJ. Do të vazhdoni ti ngrini këto institucione dhe pa praninë e opozitës?

Rama: Patjetër, ne nuk kemi nevojë jo si mazhoranvë por si shoqëri dhe shtet për opozitën në rast se opozita nuk do. Nuk është fare arrogante, kjo është e vërteta.Nuk bllokohemi dot më nga opozita në çdo hap të reformës në drejtësi. Për çdo hap që opozita bllokon është gjetur mekanizmi zhbllokues dhe është në Kushtetutë dhe ligj. Nuk ka asnjë mundësi opozita të bllokojë asgjë.

Tare: Nëse PD nuk merr pjesë në formimin e organeve të drejtësisë, do ti kërkoni LSI të ulet në vendet e saj?

Rama: Ne nuk do ti kërkojmë askujt asgjë, përveçse do të vazhdojmë të bëjmë në mënyrë të përsëritur apelin që reforma në drejtësi nuk është e PS, nuk është për PS, dhe aq më pak është për qeverinë. Sikundër vetë procesi i integrimit europian dhe i hapjes së negociatave me BE, një proces ku reforma në drejtësi është kyç. Të gjithë duhet të bëjnë detyrën e tyre.As ata që janë në parlament dhe që përfaqësojnë PD dhe as ata që përfaqësojnë LSI nuk kanë mandat për të bllokuar reformën në drejtësi. Nëse ata mandatin e votuesve e përdorin për të bllokuar reformën në drejtësi, për të krijuar skandale që cënojnë rëndë imazhin e Shqipërisë sepse ai imazh i parlamentit të dhunuar për të bllokuar zgjedhjen e kryeprokurores mori dhenë kudo atëherë sigurisht që ky është turp dhe turpi i mbetet atyre që e kanë. Por kostoja i kalon Shqipërisë.

Tare: Pse nuk miratoni disa ligje që janë detyrim nga vendimet e Kushtetueses?

Rama: Ne kemi bërë dhe bëjmë detyrën tonë, edhe këto ligje do ti miratojmë sipas kalendarit që kemi përcaktuar dhe sipas harmonizimit të gjithë hapave me SHBA dhe BE. Kjo reformë për fat të mirë është një reformë me arbitër.Është një treshe arbitrimi që nuk gënjehet dhe nuk gabon, popullin arbiër në fushë, e panë përgjigjen dhe do ta shohin prapë nëse vazhdojnë kështu. Kemi dy vijërojtësit SHBA-BE që ngrenë flamurin sa herë njëra palë është në pozicion jashtë loje. Fakti është se ka ngritur disa flamuj për pozicione jashtë loje të përsëritura për PD dhe opozitën, nuk e ka ngritur kurrë flamurin për PS apo shumicën qeverisëse. Dakord Edi Rama dashka të bëhet prokuror i përgjithshëm dhe po realizon ëndrrën dhe në fakt nuk e kam pasur kurrë këtë ëndërr.

Tare: Po të ishin ju opozitar dhe të kishit përballë një Edi Rama me 74 vota?

Rama: Kam qenë opozitar por nuk kam pasur Edi Rama përballë, dikë tjetër që fatkeqësisht dy herë që iu dha mundësia u tregua ozurpator i mirëfilltë i gjithë pushteteve demokratike. Si ka mundësi që SHBA-BE të investojnë në një proces kaq historik ku kanë vënë dhe bastin e tyre më të madh të pranojnë që unë të kap prokurorinë dhe qeveria drejtësinë?Ku ka shqiptar që e ha këtë lloj sapuni për djathtë përveçse atyre që e kanë stomakun si një lloj zone për të ripërtypur si lopët sasinë e barit që u jepet nga SHQUP-i sa herë është nevoja për të ushqyer me helm dhe gjithë llojet e ingradientëve të pashëndetshëm opinionin publik.Këto janë shprehje të rënies së vazhdueshme të nivelit logjik të opozitës në një lloj bataku që sinqerisht.. Shpesh herë për politikanët  e papërgjegjshëm përdoret shprehja kopësht fëmijësh, por këta nuk janë as kopësht fëmijësh. Janë vërtet për tu parë nga pikëpamja psikologjike.

 


EMISIONET