I ftuar në Tonight Ilva Tare, mbrëmjen e 30 prillit në Ora News, kryeministri Edi Rama shprehu besimin se Shqipëria do t'i hapë negociatat në qershor edhe pse kjo nuk është diçka e lehtë. Rama tha se nuk ka asnjë shtet që është kundër, por në disa vende si Gjermania apo Franca ka një debat të brendshëm për këtë çështje

Parakushtet për të cilat kancelarja gjermane Angela Merkel foli në konferencën e përbashkët për shtyp, për kryeministrin nuk janë gjë tjetër veçse 5 prioritetet kyce që ka vendi

Ndërsa për Gunther Krichbaum, deputetin gjerman që është kundër hapjes së negociatave, Rama dha këtë përgjigje

Kryeministri pohoi në Tonight se qeveria e ka identifikuar emrin e kryenegociatorit dhe se ai do të jetë një figurë e pranueshme edhe për opozitën

Takimi me Tsipras nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt, por vetëm kur çështjet midis dy vendeve të jenë kryer me sukses

Rama përsëriti se Turqia është një vend mik dhe partner strategjik për Shqiëprinë dhe kjo nuk ka asnjë rrezik sepse kur vjen puna tek politika e jashtmem, ajo është totalisht e linjëzuar me Bashkimin Europian por konfirmoi se qeveria po mban nën vëzhgim grupin që tentoi të kryente grusht shteti në Turqi

Marrëdhënia me opozitën është e vështirë dhe kryeministri nuk shpreson në një bashkëpunim me të edhe pse siç e thotë vetë, dora e tij mbetet e shtrirë

Për zgjedhjet vendore të 2019, rikonfirmimi i kryetarëve të Bashkive do të kalojë përmes një votëbesimi që do ta kryejë partia socialiste dhe do të përfshijë të gjithë qytetarët e Shqipërisë

Ndërsa për koalicionet parazgjedhore Rama tha se do të kërkojë vetëm me partitë që nuk janë pjesë e parlamentit

Duke u ndaluar tek aeroporti i Vlorës, Rama deklaroi se shpresonte që punimet do të nisnin brenda kësaj vere, ndërsa fluturimet në vitin 2020. Brenda këtij viti tha Rama shpreson që të nisin edhe fluturimet e linjës shqiptare.

Intervista e plote e zbardhur 


Pjesa e parë: 

Tare: A do të hapen negociatat dhe nga se varen?

Rama: Këtë dua të di edhe unë sepse ne i kryem me sukses detyrat e shtëpisë për këtë fazë, e cila nuk është fundi i procesit të anëtarësimit dhe tani topi është në fushën e politikës, pasi janë vendet anëtare që duhet të mbështesin rekomandimin, dhe objektivisht nuk do duhet të ketë problem. Por, në vende të ndryshme anëtare ka dinamika të brendshme dhe sigurisht edhe një frymë - dhe jo në vendet e parëndësishme  - e cila nuk është fryma e përpara disa viteve në lidhje me zgjerimin dhe vendimmarrjes i duhet të haset edhe me rezistenca të brendshme që nuk janë të papërfillshme.

Tare: Qeveria ka diçka në dorë me këtë vendimmarrje politike?

Rama: Natyrisht, ne do të trokasim në çdo derë ku është e nevojshme të hymë për të dhënë shpjegimet tona,  për të këmbëngulur për meritën që kemi marrë rekomandimin si dhe për të këmbyer opinione mbi shqetësimet e tyre.

Ka një moment spekulimi, pasi këtu nuk bëhet fjalë që Shqipëria kërkon të anëtarësohet sot. Mendoj se është një spekulim që vjen si rezultat i raporteve me opinionin publik ku forca antievropiane e paraqesin këtë proces a thua se këtu bëhet fjalë që nesër vendet e Ballkanit apo Shqipëria do të ulen në tryezën e familjes evropiane. Ndërkohë që në qershor ne duam të çelen negociatat.

 Tare: Ju e keni marrë mbështetjen për hapjen e negociatave, por ka një POR për vazhdimin e reformave.

Rama: Nuk ka asnjë por. Vazhdimi i reformave është domosdoshmëri, sepse ato nuk lidhen me çeljen e negociatave. Ato lidhen me një proces ku reformat nuk do të ndalen por do të thellohen dhe hapja e negociatave është një fazë shumë herë më e rëndë për sa i përket detyrave dhe vështirësive se sa faza e përgatitjes për çeljen e tyre.

S’ka vend që ka thënë JO për çeljen e negociatave. Në Gjermani e Francë ka debat

Tare: Keni një listë që kanë rezerva dhe që kanë thënë jo per qershorin?

Rama: Ne nuk kemi asnjë vend që ka thënë jo. Por, ne dimë që ka vende ku ka një debat dhe debati është i lidhur me balanca të brendshme. Për shembull në Gjermani, edhe për faktin se procedura kalon nga Parlamenti, pra qeveria duhet të marrë votën e Parlamentit. Edhe në Francë ka një lloj tensioni të brendshëm që lidhet me fuqizimin e forcave antiveropiane dhe me presionin që ushtrojnë në lidhje me zgjerimin. Ka edhe procese të afërta zgjedhore që ndikojnë tek politikanët.

Tare: Keni planifikuar një vizitë në Francë?

Rama: Ne jemi në punë përditë. Nuk është vetëm çështje takimesh, është edhe çështje komunikimesh. Është çështje kontaktesh, edhe çështje telefonatash.

Tare: Keni pasur telefonatë me Presidentin Macron?

Rama: Me presidentin Macron drejtëpërdrejtë jo, por kemi pasur kontakte me Pallatin Elize, edhe me eksponentë të lartë të qeverisë franceze.

Tare: Keni besim se mund ta zgjidhni votën pro të Francës?

Rama: Kam besim që ne do t'i hapin negociatat. Do të jetë deri në fund një përpjekje jo e lehtë por jam besimplotë. Ne kemi në dorë një dëftesë shumë të fortë. Rekomandimi është shumë i qartë dhe lë pak hapësirë për interpretime të ndryshme. Flasim për këtë fazë, dhe nuk flasim për një fazë që ka shteruar të gjitha Sfidat. Procesi i negociatave është shumë i rëndë. Është një proces me lupë për çdo detaj, e sector dhe nxjerr në pah shumë dobësi të reja e të pa nxjerra në pah deri më sot dhe me të cilat duhet të përballemi.

Tare: Holanda është një nga vendet që ka probleme. Keni pasur një debate me kryeministrin Rute gjatë takimit të Kransmontanës?

Rama: Kemi marrëdhënie miqësore.

Tare: Me debat?

Rama: Shumë miqësore. Thelbi i debatit ishte ky; këtu nuk flasim për anëtarisimin sot por për një process të ri. Nëse flasim për probleme, patjetër që Shqipëria ka probleme pasi mos t'i kishim këto probleme, Shqipëria do të ishte vend anëtar.

Tare: Çfarë rezervash ka Holanda?

Rama: Nuk preferoj të bëj komente sepse ato merren dhe shtrembërohen. Në të gjitha vendet anëtare çka thuhet lidhur me ne në këtë fazë është thjesht një lloj alibie që lidhet me dinamikat e tyre të brendshme politike.

Tare: Në deklaratën para takimit me kancelaren Merkel, foli për kushte dhe parakushte...

Rama: Kancelarja e sqaroi edhe vet. Parakushtet janë prioritetet dhe faza e zbatimit të tyre.

Tare: Thjesht ka përdorur një fjalë të ndryshme për prioritetet?

Rama: Po! Patjetër. Ka folur për parakushte që do të thotë përpara se të fillojnë negociatat ka disa parakushte.

 

Çështje "Tahiri", Rama: Disa deputetë gjermanë të dezinformuar nga Tirana


Tare: Pranuat se ju kanë pyetur për çështjen Tahiri. A mund ta dimë se çfarë ju pyetën?

Rama: Më pyetën atë që dihet që lidhet me interpretimin e bërë nga komisioni i mandateve sepse ata kanë një sistem tjetër. E dyta janë disa njerëz në atë grup parlamentar që janë fatkeqësisht nën presionin e dizinformimit të vazhdueshëm që bëhet nga Tirana,  edhe kohë për t'u marrë me detaje me Shqipërinë nuk kanë. Mbase ndonjërit i mungon dëshira për të hyrë në detaje. Unë kam sqaruar atë që është edhe publikisht e sqaruar.

Tare: A pat një kërkesë shtesë?

Rama: Komisioni ka bërë vetëm pyetje dhe jo kërkesa dhe unë u jam përgjigjur pyetjeve.


Kur flet Krichbaum, dëgjoj në gjermanisht PD


Tare: Ka një deputet gjerman, Gunther Krichbaum, që thotë se hapja e negociatave është e parakohshme. Mendoni se ai mund të ndikojë për një mendim jot ë favorshëm?

Rama: Nuk është sekret që zotëria ka një mendim të konsoliduar jo pozitiv për qeverinë tonë. Kemi pasur një debat në Tiranë dhe i kemi opinionet shumë të largëta. Mi ka thënë në sy dhe ia kam thënë në sy, Kur flet, dëgjoj në gjermanisht Partinë Demokratike të Shqipërisë. Por nga ana tjetër është pozicion legjitim i tij. Është një nga 600 e kusur deputetë të Bundestagut. Eshtë normale të ketë njerëz që kanë pozicione të ndryshme. Të gjitha shqetësimet e PD-së janë dhe shqetësimet e tij.

 Edhe sajesat e Partisë Demokratike merren të mirëqena prej tij.

Tare: Si shkoi takimi me të?

Rama: Nuk kisha takim.

Tare:  Drejton komisionin.

Rama: Ishte korrekt në organizimin dhe në fund të seancës më kërkoi ndjesë se nuk mund të më shoqëronte sepse kishte një takim me ministrin e Mbrotjes të Gjermanisë. Unë e kam vlerësuar faktin që kur bëhej fjalë për të nxjerrë nga bunkeri PD-në ai ishte në krahun e duhur të historisë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, se sa çfarë mendon ai ndryshe nga unë. Ne i mbështesim me fakte dhe rezultate të konfirmuara nga Komisioni Evropian ndërsa zt.Krishbaum i mbështet nga informacione që merr në mënyrë të vazhdueshme në most ë përditshme nga selia e Partisë Demokratike.

Tare: Nuk e bindët?

Rama: Nuk kishte pse e bindja.

Tare: A është i rëndësishëm tek parlamentarët e tjerë.

Rama: Nuk gjykoj mbi rëndësinë e njëri apo tjetrit. Tani u bëra veteran në këtë fushë dhe qëniet politike i nuhas shumë kollaj.

Tare: Që do të thotë që zoti Krichbaum do votojë kundër

Rama:  E kuptoj shumë mire pse dikush qëndron në një pozicion apo në një pozicion tjetër.

Tare: Për të bindur zotin Krichbaum, po thoni se duhet bindur PD në Tiranë?

Unë nuk dua të bind as zt. Krishbaum dhe as Partinë Demokratike. Jam i bindur se nëse PD nuk do të kishte luajtur rolin negativ për Shqipërinë në veshin e atyre njerëzve.

Tare: Basha ka thënë se ka lobuar për hapjen e negociatave.

Rama: Janë disa njerëz që kanë qëllime pozitive dhe nuk kanë asnjë arsye të kenë qëllime negative dhe t'i bombardosh me të gjitha shpifjet e thëna këtu është të punosh kundër Shqipërisë. Do të duhej një kohë e gjatë që ata të gjenin kohë për të pasur mundësinë dhe vullnetin për ti lexuar si duhet gjërat dhe të dilnin në konkluzionin ku shumë miq të PD kanë dale dhe që tani janë ish-miq të PD-së në Bruksel.

Tare: A po komunikon qeveria me franksionin CSU-CDU?

Rama: Ne kemi nevojë të takojmë sa më shumë deri në qershor. Nga fraksionet e CSU-CDU ka shumë më tepër që janë positive sesa këta pak njerëz që kam dëgjuar që janë negativ.

Tara: Ishte folur se do të vinte një mision deputetësh fakt-mbledhës që është anuluar. Keni dijeni?

Rama: Nuk e di. Ndoshta vizita ime në Berlin ka qenë shterruese. Është puna e tyre dhe nuk kam asnjë dijeni.

Tare: Nëse në qershor nuk merret vendim për hapjen e negociatave...

Rama: Faktet e Komisionit Evropian mblidhen në vijimësi dhe misionet 24 orë ku takon Edi Ramën, Lulzim Bashën apo dikë tjetër, nuk besoj se janë misione faktmbledhëse.


Jam optimist për çeljen e negociatave


Tare: Në qershor Presidencën e merr Austria..Do të ketë një rol më aktiv?

Rama: Presidenca bullgare ka qenë e shkëlqyer. Jam i bindur që edhe Presidenca austriake do të jetë e shkëlqyer. Qoftë Bullgaria, qoftë Austria janë të lidhura historikisht me Ballkanin Perëndimor.

Tare: Jeni optimist për hapjen e negociatave në qershor? Nëse nuk hapen? Do të mbani përgjegjësi?

Rama: Jam optimist sepse ne kemi marrë dëftesën. Ne do të bëjmë maksimumin. Nëse do të jetë e bazuar mbi meritën dhe faktet dhe rezultatet që flasin qartë, ne do të na japin PO. Nëse vendimmarrja ndikohet nga dinamika të brendshme të një vendi apo vendi tjetër kjo është jashtë mundësive tona. Është thjesht dhe vetëm një çështje e shkurtër kohe. Nëse nuk hapen në qershor do të hapen pak më vonë, por nuk mund të jenë më një afat i  pacaktuar në një horizont ku nuk dihet çfarë mund të ndodh.

Tare: Në Asamble u keni folur socialistëve sikur të jenë në kohë fushate, sikur të jenë zgjedhjet në qershor. Cfare do të thotë? Lidhet me ndonjë skenar zgjedhjesh të parakohshme?     

Rama: Thashe që ne do të nisim një fushatë llogaridhënie në të gjithë Shqipërinë. Do të jemi në të gjithë Shqipërinë Të 360 njësitë administrative do të preken nga anëtarë të qeverisë dhe deputetët e zonave. Sepse eshtë koha e duhur për të dhënë llogari çfarë kemi bërë, për të dëgjuar çfarë nuk kemi bërë si duhet apo çfarë nuk funksionon, për të marrë masa dhe larguar ata drejtues institucionesh që nuk i përgjigjen pritshmërisë së publikut, për të kuptuar raportin tonë me plublikun në këtë fazë dhe për të hapur sa më shumë mëndje dhe zemra të tjera në një proces që për ne është proces i vazhdueshëm. Eshtë fushatë llogaridhënie. Do flas gjerësisht për platformen e qeverisjes "Shqiperiaqeduam.al" duke i treguar njerëzve se funksionon dhe duke iu kërkuar dhe lutur që në vend që të sorollaten e të kërkojnë një mik, deputet, apo person me influence e te fusin dorën në xhep të marrin 3 minuta kohë e të marrin përgjigjen që meritojnë nga platforma. Ndërkohë që kush nuk është bërë sebep për mosmarrjen e përgjigjes të largohet siç janë larguar deri sot që flasim afro 80 persona nga sistemi i Hipotekave dhe ALUIZNI-t. 

Tare: Edhe sot pasdite u shkarkuan dy drejtorë të puënsimit. Janë në kompetencën tuaj këto shkarkimet dhe mbi cfarë kriteresh bëni këto shkarkime?

Rama: Është e vërtetë. Unë i takoj çdo muaj drejtuesit e zyrave të Shërbimit Kombëtar të Punës dhe secila zyra ka objektiva konkretë. Ka numrin e të punësuarve që u kërkohet të realizojnë. Sot kemi kapërcyer objektivin që ishte 2100 të punësuar dhe kemi shkuar në 2600 të puënsuar. Ka pasur një kapërcim të objektivit. Një numër të konsiderueshëm kanë realizuar objektivin, dy zyra nuk e kanë realizuar. Ka qenë e qartë kush nuk realizon objektivin largohet.

Tare: Këto shkarkime i bëni ju?

Rama: Shkarkimet formalisht i bën tjetërkush por ajo që është thënë qartësisht dhe ata e dinë shumë mirë është se qëndrimi i tyre në punë është mbi bazën e performancës. Ne po ndërtojmë kontrata performance me të gjithë drejtuesit. Vetë ministrat kanë kontrata të performancës, kështu që...     


Kemi gati kryenegociatorin

Tare: I keni identifikuar ekspertët, kryenegociatorin?

Rama: Besoj që e kemi identifikuar kryenegociatorin.

Tare: Do të jetë një emër që do kërkoni dhe konsensus nga opozita?

Rama: Nuk e di a është nevoja për ta bërë, por nëse do jetë nevoja do ta bëjmë. Nëse është çështje ndjenjash nuk është nevoja, Di të them që ne do të vendosim në krye të negociatave një person me aftësi dhe integritet që edhe vetë kjo opozitë nuk do të ketë mundësi ta vërë në diskutim

Tare: E dini sot emrin?

Rama: Po e di, por nuk mund ta them, sepse duhet të hapen negociatat një herë

Tare: Eshte ne radhet e PS?

Rama: Te hapen negociatat pastaj do mësoni emrin e kryenegociatorit.

Financimi rus, Rama: Hetimet dhe jashtë Shqipërisë. Basha ta përballojë me dinjitet skandalin

Tare: Keni ndjekur sot mbledhjen e grupit parlamentar të PD, z.Basha ka paralajmëruar nxjerrje skandalesh që do trondisin qeverinë në maj. Keni dijeni për këtë?

Rama: Kam dijeni për një skandal që Lulzimi duhet ta përballojë që është skandali i fitimeve të paligjshme të PD, ku ka një hije shumë rëndë të përfshirjes të financuesve rusë, gjë për të cilën ka hetime jo vetëm në Shqipëri dhe Lulzim Basha duhet ta përballojë me dinjitet këtë skandal. Do vijnë në të ardhmen skandale që do trondisin qeverinë, këto janë injeksione për të mbajtur gjallë atë fije fryme që ka mbetur në PD.

Tare: A keni ju ndonjë informacion shtesë përveç atyre që kanë dalë në aludim?

Rama: Flas për një skandal (Financimi rus) që nëse do të ishim ne në atë pozicion nuk e di çdo të kishin bërë ata.

Tare: Në ç’kuptim?

Rama: Nëse do të ishim ne që do kishim bërë gjithë atë zullum që ka dalë në pah në mënyrë të qartë, nuk  e di çfarë do kishin bërë ata, nuk e di sa gjëra do ishin djegur në Shqipëri.

Tare: Flisni për shkelje ligji në Shqipëri?

Rama: Flas për skandalin në fjalë, pra për financimin e paligjshëm të fushatës së Partisë Demokratike me para të zeza për të cilat thuhet nga ata që i kanë investiguar dhe i kanë bërë publike se janë para që vijnë nga xhepat e financierëve rusë, por që sidoqoftë janë para të zeza që nuk kanë dalë nga PD, imagjinoni sikur kjo të thuhej për ne, se ç’do ishte bërë për ne.

Tare: Ju keni ndonjë informacion shtesë që nuk ka dalë deri tani për këtë çështje?

Rama: Nuk jam pjesë e grupeve të hetimit. Di të them se kaq sa ka dalë, mjafton që përpara se të lajmëroj se skandalet do dalin në të ardhmen për qeverinë, kryetari i opozitës të përballet me skandalin që ka vënë në pozitë shumë të vështirë të gjithë ne dhe që për herë të parë ka hedhur mbi Shqipërinë dhe një hije ndërhyrje ruse.


Pjesa e Dytë


A foli Rama me Merkel per Mitrovicen?


Tare: Çfarë mund të diskutojë Merkel me kryeministrin e Shqipërisë për Kosovën dhe Serbinë?

Rama: Kemi diskutuar për të gjitha vendet e rajonit një për një, madje përtej rajonit. Është një mënyrë komunikimi e kancelares. Ajo është një njeri që ka një aftësi të jashtëzakonshme për të dëgjuar dhe mbi të gjitha pyet shumë.

Tare: Kancelarja, në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ju dëgjoi apo  ju kërkoi mbështje për ndonjë propozim të saj. Po flitet për ti dhënë një status të veçantë Mitrovicës në këmbim të njohjes të Serbisë.

Rama: Unë nuk mund të them çfarë bisedova me kancelaren, nuk e kam zakon të them cfarë bisedoj në takime. E kam thënë në konferencë për çfarë shkova dhe çfarë i kërkova.  Përsa kemi diskutuar me kancelaren është pjesë e një dialogu që unë e kam konstant me të dhe që mbase kur të shkruaj, nëse do shkruaj ndonjëherë, mbi këtë fazë të jetës sime do ti them.

Tare: Po plani për një autonomi të Mitrovicës është në tryezë, keni dijeni?

Rama: Nuk bëj komente lidhur me çështje që janë pjesë e një takimi pune dhe një dialogu në mirëbesim.

Tare: Çfarë rëndësie do të ketë Samiti i Sofjes?

Rama: Është një takim i dedikuar për Ballkanin Perëndimor. Ballkani ka hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve si rajon me BE dhe të marrëdhënieve mes vendeve të rajonit. Ky është një proces në fokus të BE dhe kjo është pozitive.


Rama: Takimi me Tsipras pasi të zgjidhen problemet

Tare: A keni ndonjë plan apo program për vizitë të Tsipras  në Shqipëri së shpejti?

Rama: Kemi diskutuar në parim që  do të bëhet një takim, por sigurisht është normale që të priten rezultatet e këtij procesi sepse nuk është vetëm ky aspekt, është një dosje e plotë që shtrihet në 70 vjet. Ne kemi ambicjen që t'i japim, zgjidhje disa probleme të mbartura. Kemi lënë që të takohemi kur ky proces të kryehet dhe urojmë të kryhet me sukses.


Rama: Marrëdhëniet me Turqinë nuk përbëjnë kërcënim

Tare: Ju e keni shprehur hapur simpatinë për presidentin turk, Erdogan, edhe pse kjo mund të shihet me dyshim nga Brukseli. Tusk kur ishtë në konferencë tha se vetëm 1% e shkëmbimeve tregtare lidhet me Turqinë…Besoj nuk e tha me naivitet.

Rama: Ishte e mirë nënvizuar për tiu thënë atyre që merren me marrëdhënien tonë me Turqinë, si rrezik perminent,  për ti thënë që është një dokërr dhe s'ka  asnjë vlerë.

Tare: A ka shqetësim për marrëdhënien tuaj me Erdoganin në Bruksel?

Rama: Ju siguroj se nuk ka shqetësime, por dhe kush i ka këto shqetësime i pastë me shëndet mua nuk më intereson. Marrëdhënia Shqipërisë me BE është një marrëdhënie që matet me cilësinë e qëndrimeve tona.

Qëndrimet e Shqipërisë kanë qenë në një linje me BE. Turqia është një vend mik, kemi një partner strategjik të shpallur në programin tonë elektoral. Unë shpresoj dhe punoj që të ketë shumë më tepër investime turke në Shqipëri seç ka. Bilanci ynë tregtar është, edhe pse është ne rritje është shumë larg potencialeve që ka.

Rama: Nuk është një sekret që aktorë të tjerë kërkojnë hapësira në Shqipëri

Tare: David Phillips, i cili është ekspert i politikës së jashtme në ShBA, drejtor i programit për ndërtimin e paqes dhe të drejtat e njeriut, në një intervistë të disa ditëve më parë për Zërin e Amerikës është shprehur se ju duhet të merrni seriozisht kërcënimet ndaj sovranitetit që vijnë nga Rusia dhe Turqia. Duhet të mbani qëndrime të qarta për aleancat tuaja, jo të kërceni në dasma në Ankara apo ti thoni Merkel se nëse Shqipëria nuk integrohet në BE do ketë rritje të islamizmit, ndërkohë që po ndërtohet një xhami 30 milionë dollarëshe në Tiranë dhe financohet nga Turqia.

Rama: Unë kam një marrëdhënie pozitive me profesorin. Unë nuk kam çfarë të zgjidh mes këtyre të dyjave, unë do të zgjidhja një kafe me profesorin dhe ta diskutoja me të sa larg është në këtë përshkrim të realitetit që nuk ka lidhje me realitetin. Unë nuk i jap llogari askujt se në cilat dasma shkoj. Për të kërcyer nuk kërcej. Së dyti jam ndjerë i nderuar që presidenti më ka ftuar në dasmën e të bijës.

Së treti marrëdhëniet tona me Turqinë nuk përbëjnë as kërcënim dhe as kushtëzim dhe profesori duhet ta mbajë mend që Turqia ka qenë i pari vend që ka njohur Kosovën.
Dhe deklarimi i pavarësisë është ndjekur live në tryezën e qeverisë së Turqisë. Profesori e di shumë mirë që Shqipëria është një vend ku jetojnë të krishterë dhe myslimanë

Nëse të krishterët katolikë morën katedralën e tyre në Tiranë dhe nëse të krishterët ortodoksë morën katedralën e tyre në Tiranë myslimanët e këtij vendi meritonin të kishin tempullin e tyre. Besoj se është bërë gjëja e duhur.

 Sa i përket financimit ky është një financim i dhënë nga  Komuniteti Mysliman Turk dhënë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe komunitetit mysliman nuk varet nga qeveria e Shqipërisë. Nuk merr leje nga kryeministri nëse merr apo jo financime, mjafton që financimet mos jenë nga terrorizmit. Me keqardhje them për profesorin se këto janë brockulla. Sa i përket kërcënimit, më ka ardhur për të vjellë. Nuk kam thënë do ketë rritje të islamizmit.

Nuk është një sekret që aktorë të tjerë kërkojnë hapësira në Shqipëri. Nuk është një sekret që në Shqipëri na është dashur ta hapim një luftë aspak të lehtë me eksponentët që shkuan për të luftuar në emër të kudi unë se kujt.

Tare: Thatë që nuk është sekret që ata kanë interesa, e keni fjalën për rusët apo influencë tjetër këtu

Rama: Unë flas për islamin radikal

Tare: Nga do vijë?

Rama: Nëse sot këto janë tendenca që nuk gjejnë hapësirë mes shqiptarëve, kjo vjen sepse shqiptarët janë të unifikuar tek ideali i tyre, Shqipëria si gjithë Europa. Por nëse këto tendenca kanë gjetur hapësira në vendet e tjera, këtu mund të gjejnë nëse endrra europiane nuk mbahet si një perspektivë e qartë.

Tare: Dhe nuk keqkuptoheni nga liderët europianë kur thoni kështu?

Rama: Po pse ca janë liderët europianë, janë profesorë të LSI apo të SHQUP. Këto janë analiza që janë elementare, këtu nuk ka nevojë për shkencë apo për të qenë një mjeshtër.

Organizata FETO? Rama: Personat që përbëjnë rrezik për sigurinë i kemi nën vëzhgim


Tare: Ka një grup që konsiderohet si terroristë, është grupi Feto, ju thanë që po mbahen në vëzhgim. Mund të ketë një skenar si ai i Kosovës që këta persona të arrestohen dhe deportohen  në Turqi. A do ta bëni këtë?.

Rama: Unë nuk flas më nëse. Unë di të them që ai rrjet që organizoi përmbysjen me dhunë të një qeverie të zgjedhur në Turqi është një rrjet i rrezikshëm. Kur vjen puna tek Shqipëria, në sigurisht që njerëz të cilët supozohen të lidhur me atë rrjet i mbajmë në vëzhgim.

Tare: Nëse Turqia jua kërkon çfarë do bëni?

Rama: Nuk është me nëse kjo. Unë nuk kam prirjen që ti konsideroj ato që ndodhën në Turqi si gjëra që mund të kalohen lehtë. Sepse bëhet fjalë për një rrjet që penetroi në nivelet më të larta të Shtabit të përgjithshëm, të policisë, drejtësisë dhe arriti të tentonte atë që pa gjithë bota

Tare: A keni një listë me emra të dërguar nga Turqia?

Rama: Nuk jemi duke folur këtu për gjëra që janë muhabete kafesh. Unë di të them që jemi të vëmendshëm dhe nuk do ta toleronim kërcënimin e sigurisë tonë.

Tare: A ka një problem nga ana e Erdogan me kreun e KMSH dhe a është kushtëzuar përfundimi i financimeve të xhamisë me ndryshime ne drejtimin e Komunitetit?

Rama: Këtë të kushtëzimit të financimeve unë nuk e imagjinoj si mund të kushtëzohet, ndërkohë që sa i përket KMSH është i pavarur dhe unë nuk ndërhyj në punët e KMSH

Tare: Nuk keni një kërkesë konkrete ?

Rama: Çfare lidhje kam unë dhe qeveria si organizohet KMSH


Pse nuk ka investime kineze?

Tare: Si e shpjegoni që Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që asnjë kompani kineze nuk ka fituar kontratë publike

Rama: Sepse nuk ka asnjë kompani kineze që ka tentuar të fitojë kontratë publike. Ka pasur vetëm një kompani kineze që kishte ardhur në kohën e qeverisë pararardhëse dhe kishte bërë kontratë për Rrugën e Arbrit me një çmim marramëndës. Ne negociuam për disa vite dhe humbëm disa vite kohë, madje kaluam dhe një ligj  në parlament për të finalizuar negociatat dhe përballë atij çmimi thamë jo.

Tare: Pra ishte vendim biznesi nuk ka vendim gjeopolitik?

Rama: Shqipëria ke nevojë për investime dhe kush më thotë, shiko që ky është kinez, ky tjetri, japonez apo turk, apo rus, apo shenjtan apo dreq, përgjigjja ime është shumë e thjeshtë: Politika jonë e jashtme është e qartë si drita e diellit. Nëse paratë që vijnë në Shqipëri nuk janë nga burime kriminale, - pra terrorizmi, - dhe vijnë përmes rrugëve të ligjshme, të gjitha janë të mirëseardhura. S'kemi luksin të merremi me ngjyrën e maces kur duhet të kapim mijtë që janë varfëria, e papunësia.

Pjesa e Tretë: 

Aeroporti i Vlorës, Rama: Punimet shpresoj brenda kësaj vere 

Tare: Aeroporti i Vlorës. Kur do të fillojnë investime?

Rama: Tani jemi në negociata dhe brenda verës maksimumi ne do të inagurojmë fillimin e investimeve dhe ambicia jonë është të jetë funksional në fillim vitin 2020.

Tare: E keni promovuar edhe për Air Albania. A nuk janë pak si shumë strategjike këto investime për të bashkëpunuar me Turqinë?

Rama: Pse çfarë ka Turqia? Është një partner strategjik i ynë. SHBA janë aleat strategjik, Turqia është partner strategjik. Në radhë të dytë nuk është se na erdhën nga Amerika apo Gjermania dhe i thamë prit se do ta bëjmë me Turqinë. Është biznes dhe ne po punojmë për një marrëveshje të favorshme. 

Duam që së pari t'i japim Shqipërinë aeroportin e dytë të domosdoshëm për zhvillimin strategjik të turizmit dhe jugut të Shqipërisë. Shpresoj shumë të çelim brenda këtij viti edhe aeroportin e Kukësit, i cili do të jetë për një kategori tjetër fluturimesh dhe më në fund Shqipëria të ketë linjën e vet ajrore. Jam mirënjohës pafund të përfshirjes së Turkish Airlines në këtë proces, pasi është një garanci për suksesin e kompanisë sonë ajrore.

Tare: Ka afate?

Rama: Shpresoj që kjo verë të jetë vera që avionët e linjës ajrore shqiptare të nisin fluturimet që do të jenë më cilësore dhe që do të sjellin edhe ulje çmimesh që njerëzit me të drejtë ankohen. Janë dy gjëra shumë të mira për Shqipërinë, të tjerat janë siç i thoshte i madh Gjergj Fishta "Dokrra hini".

Turkish do të jetë partner, do të vërë në dispozicion avionët, pilotët dhe kjo bëhet falë mbështetjes së Presidentit me kërkesën time këmbëngulëse, këmbëngulëse, këmbëngulëse. Do jetë një kompani që do të operojë si të gjitha të tjera. Shteti do të ketë pjesëmarrjen e vet deri në një masë...sepse BE nuk lejon deri në një kuotë. Kjo do diskutohet nga ekspertët por e gjithë kjo vjen  si rezultat i këtij partneriteti.


Rama: Luftë deri në fund "tepsisë" në administratë edhe brenda PS-së


Tare: Ndalem tek një deklaratë e juaja në Asamble, për administratën publike. Thatë se kryetarët e PS në degë kanë shtrirë familjarët e tyre në administratë..

Rama: Duhet t'i ndajmë. Kemi një administratë publike që është pjesë e shërbimit civil. Këtu nuk kemi probleme. Kemi një pjesë tjetër të administratës ku ne jemi në luftë me grabitqarët dhe parazitët që na e kanë lënë trashëgimi si vëllezërit e koalicionit, por jemi në luftë edhe me vetveten. E kam thënë këtë edhe në fushatë. Nuk e kam thjesht me LSI. E kam me këtë traditë të shëmtuar me të gjitha partitë politike që e kthyer në 20 e ca vjet shtetin në tepsi. Kam thënë që do ta çoj tepsinë për skrap. Partia Socialiste ka ende jo pak njerëz që kujtojnë se kur unë flas për televizorin flas vetëm për televizorin dhe kur fiket tv ata mund të bëjnë si të duan. Këtë luftë do ta çoj deri në fund me çdo lloj çmimi.

Tare: Do të ketë rritje pagash për administratën publike?

Rama: Ne patjetër i kemi rritur pagat dhe sapo të krijohet mundësia do t'i rrisim. Brenda këtij viti nuk e kemi të mundur.

Tare: A ka mundësi buxheti i shtetit për të paguar ekspertët pas hapjes së negociatave?

Tare: Të hapen negociatat. Patjetër do t'i gjejmë.


Reforma në drejtësi 


Tare: Kjo reformë na ka lënë në një gjendje të tillë që ju jeni në dijeni. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë jo funksionale.

Rama: Është pjesë e një procesi. Nuk janë jashtë parashikimeve të një operacioni të rëndë që do t'i shkojë deri në fund.

Tare: Ndërkohë në dhjetor, u zgjodh kryeprokurorja e Përgjithshme..që mund të shkojë me një mandat edhe një vit tjetër.

Rama: Reforma jonë e drejtësisë është reforma më e shpejtë e bërë në të gjithë Evropën ish-komuniste. Kemi ndryshuar Kushtetutën. Kemi filluar pastrimin e pallatit të drejtësisë. Nga pikëpamja e shpejtësisë askush nuk e ka bërë më shpejt se ne.

Tare: A ka vonesa të qëllimshme?

Rama: Vonesa të qëllimshme? Procesi i vettingut është një proces dypalësh. Pala shqiptare ka qenë gati më parë, ajo evropiane më vonë. Kemi në Kushtetutë OMN-në. Kemi një grup prokurorësh evropianë dhe amerikanë që monitorojnë. Të më tregojnë se kush i ka bërë këto dhe pastaj të shohim shpejtësinë. Kjo është reforma më e thellë për të transformuar një sistem drejtësie në harkun e kohës që e kemi bërë.


Nuk kercenoj gjyqtaret 


Tare: Në fjalimet tuaja është vënë re edhe më përpara, një lloj përdorimi i Vettingut për t'i kërcënuar gjyqtarët...Pse përdorni këtë gjuhë?

Rama: Nuk kam kërcënuar askënd. Kërcënim quhet kur i drejtohesh dikujt specifikisht. Ndërsa kur flet për një fenomen që e ka vrarë dhe rivrarë shoqërinë shqiptare nuk quhet kërcënim, quhet vënie në sytë e të gjithëve të faktin se kemi të bëjmë me një kancer që duhet ta luftojmë. Nuk ka askush pse të ndihet i kërcënuar. Në sistem ka plot gjyqtarë dhe prokurorë që e kanë pritur këtë ditë që të lihen të qetë të bëjnë punën e tyre me integritet dhe të mos mbeten si mollët në një arkë me mollët e kalbura.

Tare: Po ecën vettingu?

Rama: Më mirë se sipas prishmërive të mia. Në një kohë shumë të shkurtët janë vetëpastruar nga sistemi mbi 20 vetë. Bëhet fjalë për peshq të mëdhenj dhe jo peshq të vegjël.

Tare: Një pjesë u ka mbaruar mandati..për kë e keni fjalën për ish-kryeprokurorin?

Rama: Janë në nivele deri dje shumë të larta.

Tare: A keni informacion që edhe vet punonjësit e administratës kërcënohen nga kryetarët e Partisë Socialiste për t'u shtuar në portal.

Rama: Është e pa vërtetë sepse do të kishim numra shumë më të mëdhenj të regjistruar.

Tare: 10 mijë nuk janë pak.

Rama: Janë shumë më tepër se 10 mijë. Bëhet fjalë për nxitjen që u kam bërë kryetarëve të partisë. Porosia që kam dhënë është se njerëzit shkojnë shpesh tek partia. I kam thënë drejtojini tek platforma. Dje më thoshte një deputet i PS që kam rënë rehat nga ankesat e legalizimeve sepse 82 legalizime janë bërë vetëm nga platforma. Çdo muaj janë rreth 1 mijë raste që trajtohen dhe marrin zgjidhje. Njerëzit ankohen sepse më kërkoi mjeku lek. O jep lek dhe mos u anko. Njerëzit duhet ta ndajnë këtë çështje. U kemi dhënë në dorë një instrument. Në Hipotekë nuk kanë nevojë të mos sorollaten. Vetëm një klikim. Portali është një instrument që funksionon. Nuk është si letra nga populli. Kjo është një urë që ankesa shkon në tryezën e ministrit. Janë ministrat përgjegjës direkt sa ankesa ke dhe sa janë zgjidhur. Kjo është ta kesh qeverinë mikun dhe që në rrugë zyrtare të jep zgjidhje.

Tare: Në raportin e progresit thuhet se dënimet e zyrtarëve të ulët dhe të mesëm kanë bërë progres. Problemi është me atë të nivelit të lartë.

Rama: Dënimet nuk i jep qeveria. Këtë e kemi mbyllur në vitin 1990 dhe që atëherë, Kuvendi dhe qeveria nuk dënon njerëz. Aty ku ne ndeshim me dokumentacion që janë me natyrë penale i çojmë në Prokurori. Se sa ndiqen, kjo ka të bëjë me problemin që trashëguam dhe ndaj po pastrojmë pallatin e drejtësisë.  Po ndërtojmë një sistem të çliruar nga kthetrat e të korruptuar dhe të politikës së korruptuar që e ka mbajtur sistemin peng.

Tare: Kush e heton denoncimin që vjen në portal?

Rama: Janë rreth 30 vet që ndjekin në kohë reale që ndjekin të gjitha ankesat dhe kërkesat. Ato shkojnë tek ministrat. Nëse ankesa merr zgjidhje pozitive, qytetarit i jepet leja dhe licenca, etj, dhe fillon hetimi kush e ka vonuar dhe ata largohen nga puna dhe një pjesë çohen për ndjekje penale. Kjo është një mënyrë për të mos pasur hendek mes nesh dhe qytetarëve dhe kjo është bashkëqeverisja.

Tare: Nuk ka korrupsion të niveleve të larta?

Rama: Të ministrave?

Tare: Të nivelit të lartë, të drejtorëve.

Rama: Po të kishte nuk do të ishin ministra sot. Po të kishte në dijeninë time.


Ndryshimet në qeveri në shtator?, Rama: Mund të ketë ministra që ngecin...


Tare: Ju thatë se në shtator do të ketë rivlerësim për ministrat aktual.

Rama: Do të ketë një proces shembullor dëgjimi dhe komunikimi dhe llogaridhënie. Një fushatë e mirëfilltë në të gjithë territorin dhe do t'i nënshtrohemi një procesi analize të funksionimit të të gjitha dikastereve. Ne i kemi punët me objektiva të vendosura në një sistem elektronik në kohë reale dhe do të ballafaqojmë ministrat me objektivat dhe prishtmëritë e kryesisë së partisë, grupit parlamentar. Mund të dalin gjithë me nota të larta, mund të dalin të gjithë me nota të ulëta, mund të ketë që kalojnë mund të ngelin. Kjo është një çështje që do të jetë çështje e një debati dhe bashkëbisedimi të hapur mes nesh. Duam të forcojmë frymën e skuadrës.

Tare: Pse mendojnë njerëzit që jeni arrogant në qeverisje. Ua ka shpjeguar njerëzi këtë. Për shembull kur takon kryetarin e shoqatës së bizneseve të vogla dhe i thua se po gënjen mund të quhet arrogancë.

Rama: Mund të lexohet edhe si thënie e një të vërtete. Një pjesë e perceptimit për arrogancën lidhet edhe me faktin që unë vet jam vendosmërisht këmbëngulës kur duam të realizojmë një objektiv dhe mund të lexohet si arrogancë. Mund të nisemi nga qëllime të mira por mund të lexohet si arrogancë.

Ka një pjesë tjetër që është problem serioz në raport me njerëzit kur ndeshen me administratën. Është një histori e trashëguar por do të bëjmë çmos për ta luftuar me forcën e shembullit. Ne duam të bëjmë gjitha përpjekjet që të mos sillemi keq me njerëzit qoftë edhe pa dashje.

Pjesa e katërt"

Tare: DASH thotë se korrupsioni ka prekur të gjitha hallkat e qeverisjes, keni një koment për këtë?

Rama: Kjo ështës një gjë e thënë dhe nuk është as e zbulimit të fundit dhe as i vitit të parafundit. Këtu raportet lexohen sipas qejfit, sepse po ti lexojmë në vazhdimësi do kuptojmë çfarë është që mbetet problem dhe cfarë është përmirësuar.

Tare: Dhe ju shihni pjesën e përmirësimit.

Rama: Sigurisht që pjesën e përmirësimit se ato që janë probleme i di vetë nuk ka nevojë të mi thotë DASH


Rama: Janë goditur 9 grupe kriminale. 110 të arrestuar


Tare: Ministri i Brendshëm ka thënë se në Shqipëri veprojnë 40 grupe kriminale, po ndërkohë nuk është mësuar për ndonjë asgjesim të tyre? Keni informacione çfarë po pritet për të ndërhyrë

Rama: 9 prej tyre janë ndaluar nga operacioni forca e ligjit dhe janë mbi 110 të arrestuar. Po kuptohet gjërat pozitive nuk bëjnë bujë siç bëjnë ato negative.

Tare: Po goditen grupet kriminale?

Rama: Po goditen dhe vazhdojnë të goditen pa diskutim.  

Dhe pastaj e kuptoni që vetëm sekuestrimi i aseteve kriminale në 4 vite është pesëfishi i 8 viteve te qeverisë së mëparshme. Në 8 vite u sekuestruan 27 mln euro, ndërkohë në këto 4 vite e fundit janë sekuestruar 5 herë më shumë asete kriminale.


Kanabisi histori e mbyllur

 

Tare: A ka mbjellje kanabisi në Shqipëri?

Rama: Kanabisi është histori e mbyllur.

Tare: Po ndërkohë vazhdojnë të kapen sasi të dala nga Shqipëria

Rama: Do kapen deri në fund, deri kur të ketë. Ndërkohë është fakt që kultivim më në Shqipëri në përmasa më shumë sesa një lule këtu një lule atije nuk do ketë.


Rama: Vrasjet janë ulur


Tare: Ju thatë se sekuestrimi i aseteve është 5 fish më i lartë, po kjo a tregon që edhe janë rritur ato?

Rama: Kjo tregon që janë kapur, ato aty kanë qenë, sepse kriminaliteti nuk lindi para 5 vitesh. Ka një specifikë që në territoret e kriminalizuara ka një pasqyrim të kriminalizimit tek vrasjet. Shqipëria në 2010-11-12 ka qenë mbi 120 vrasje në vit. Shqipëria në 2017 ishte nën 60 vrasje në vit. Në këto 3 muaj të para të këtij viti është në nivelin më të ulët të vrasjeve.

Tare: A jeni ju në dijeni të lidhjes së krimit të organizuar me funksionarë të lartë politikë? Keni informacion kush janë emrat e mundshëm?

Rama: Çështja e lidhjes së krimit të organizuar me funksionarë të lartë është një çështje që nuk është muhabet televiziv, është një çështje hetimi. Sa i përket vullnetit që ka kjo qeveri për të luftuar krimin të tjerët as nuk e kanë menduar se mund të gjendet në këtë vend.


Tare: Para dy muajsh janë kapur 613 kg Kokaina në Durrës? Deri tani në hetim janë pronari i kamionit dhe shoferi 

Rama: Janë hetime policore që vazhdojnë dhe kaq. Unë nuk e di se në cilin film, këta që flasin, kanë parë që në maunen që kapet kokaina kapet edhe bosi brenda në maune. Në realitet nuk ndodh. Organizata rri brenda në kamion?! Apo kamionin e lëviz shoferi.

Tare: Mendoni se është ekzagjeruar mbajtja në burg e protestuesve nga 21 të ndaluarit e Kukësit?

Rama: Nuk më takon mua të komentoj vendime të gjykatës. Unë i kam kërkuar falje popullit të Kukësit, nuk mund ti kërkoj ndjesë atyre që shkatërrojnë pronën publike dhe private.

Tare: Termi vandal ishte i tepëruar?

Rama: Sot do ta thoja përsëri për individë që hedhin në erë me zjarr pronën publike dhe private

Tare: Mënyrën si janë ndaluar në mes të natës protestuesit, keni një koment për këtë?

Rama: Unë i besoj ministrisë së Brendshme dhe kaq

 

Rruga e Kombit, Rama: Nuk ka taksë zero

 

Tare: Çfarë do të ndodhë me tarifën e rrugës së Kombit?

Rama: Takime janë bërë, ne do të bëjmë atë që unë kam thënë. Brenda 60 ditësh do të kemi një version.

Tare: Sa do të jetë tarifa?

Rama: Në mes të punës unë nuk mund ta diskutoj tarifën me ju?

Tare: A do të merret parasysh një tarifë zero për banorët e zonës?

Rama: Diçka që quhet zero në këtë sistem ku kemi zgjedhur të jetojmë nuk ka.

Tare: A po merret parasysh ndarja e rrugës në segmente?

Rama: Nuk ka asgjë të tillë sepse nga të gjitha verifikimet numri i banorëve që përdorin pjesën e brendshme të segmentit është minimal dhe për ta do të ketë një trajtim të veçantë.


Pragu i biznesit të vogël

 Tare: Rritët pragun e taksës së biznesit me një xhiro nga 8 mln lekë e bëtë 10 milionë. A do të ketë efekt në buxhet?

Rama: Kam thënë se do e bëjmë mbi 10 milionë. Po diskutojmë ta bëjmë mbi 12- 14 milionë lekë.

Tare: E keni llogaritur sa do të jetë efekti në buxhet?

Rama: Po e kemi llogaritur efektin. Do të jenë sërish para që do i mbeten në xhep atyre që merren me biznesin e vogël. Ndërkohë kemi llogaritur dhe benefitet që do të marrë gjithë biznesi i vogël që do të çlirohet nga kapërcimi i pragut do të jetë një aleat i ynë. Brenda qershorit ne do ta kemi kaluar në parlament.

 

Bashkëpunimi me opozitën, Rama: Vështirë se do të ndodhë afër


Tare: A ka shpresë për bashkëpunim mes qeverisë suaj dhe opozitës aktuale?

Rama: Kur nuk ka bashkëpunim mes opozitës dhe opozitës brenda partisë më të madhe të opozitës çfarë shprese mund të ketë që të ketë bashkëpunim mes opozitës dhe nesh.

Tare: A ëshë e mbyllur marrëveshja e 17 majit më Bashën, nuk ka asnjë hapësirë atyre brenda?

Rama: Aty brenda hapësirë nuk ka, por këtu jashtë ku jam unë ka hapësirë dhe unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me opozitën, dora jonë është e shtrirë ndaj opozitës. Ne e mbajmë dorën shtrirë, po ata janë shtrirë poshtë nesh kështu që nuk e di kur do ngrihen kur të na japin dorën dhe kështu siç i shikoj punët kjo nuk do të ndodhë në një kohë të afërt.

Tare: A keni një plan ti kërkoni një takim kryetarit të PD për të rakorduar axhendën europiane?

Rama: Unë kryetarit të PD do ti kërkoj takim çdo ditë, por e shikoj që është jashtë rrezes ku kap zeri im sepse PD është sot tërësisht në mëshirë të fatit.

Tare: A keni ju një kërkesë drejtuar kryetarit të PD në këto dy muaj deria sa të jepet vendimi për negociatat?

Rama: E kam thënë, të ndalojë eksportin e baltës në Europë deri në fund të qershorit, por pavarësisht kërkesës eksporti vazhdon. 

Unë e them përditë dhe publikisht. Rreziku më i madh i kësaj shumice është boshtllëku që ka lënë opozita. Në boshllëkun që ka lënë opozita shoh kërcënimin e madh për ne, përsa i takon betejës në kuptimin electoral nuk ka betejë, dhe ne kërcënohemi nga vetëkënaqësia, arrogance dhe indiferenca. Pra fenomene që kapin një shumicë kur nuk ka një pakicë që e sfidon.  

 

A do të kandidojë Sejdini dhe Dako për kryetar bashkie? Ja përgjigjja e Ramës

 

Tare: A ka një analizë PS për ata që do të rikonfirmohen ose jo? Për dy kryetarë bashkie dihet që me ligj nuk i lejojnë të kandidojë, Elbasani dhe Durrësi? Keni kandidatura që po studioni për këto qytete?

Rama: Në këndvështrimin tim interpretimi i ligjit është ndryshe. Kur hyn ligji në fuqi fillon numërimi, nuk ka prapaveprim. Ne do kalojmë në një proces votëbesimi të kryetarëve të bashkimit përpara se të konsiderojmë rikandidimin e secilit prej tyre.

Tare: Ligji nuk flet për afate se kur fillon numërimi i tyre

Rama: Numërimi fillon kur kalon ligji

Tare: Kjo i lë mundësinë për të rikandiduar Dako dhe Sejdini?

Rama: Nuk e kam për individët, e kam në parim meqe përmendët ligjin. Ndërkohë të gjithë individët që do shprehin ambicjen për rikandidim do të kalojnë në një proces votëbesimi të qytetarëve

Tare: Si do të ndodhë?

Rama: Po e studiojmë, por do të jetë një votëbesim i qytetarëve që duan të marrin pjesë, përfshirë edhe anëtarë te PD po të duan

 

Bashkëpunimi me partitë e tjera, Rama: Me të gjitha, përveç atyre që janë në parlament


Tare: Do të ketë aleanca me partitë e tjera

Tare: Do të shihni aleanca të mundshme me parti të tjera në zgjedhjet lokale, përveç bashkëqeverisjes me qytetarët?

Rama: Me të gjitha partitë, përveç atyre që janë në parlament.

Tare: Me asnjë nga partitë në parlament nuk shihni bashkëpunim në zgjedhjet lokale?

Rama: Jo, vec PS-se. Me të gjitha partitë e tjera, veç jo ato që janë në parlament

Tare: Ju faleminderit zoti kryeminister qe ishit ne studion e Tonight Ilva Tare. 


/Ora News.tv/