Kryeministri i Turqisë shpëton një person nga vetëvrasja

Kryeministri i Turqisë shpëton një person nga vetëvrasja

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, ka parandaluar një vetëvrasje, tek Ura "Dëshmorët e 15 Korrikut", e njohur ndryshe Ura e Bosforit, raporton Anadolu Agency (AA).

Mësohet se një person me inicialet T.T në orët e mbrëmjes së djeshme ka tentuar të vetëvritej duke u hedhur nga Ura "Dëshmorët e 15 Korrikut".

Kryeministri Yıldırım, i cili po kalonte në ato çaste mbi urë ka ndaluar autokolonën e tij pasi ka vërejtur këtë tentativë dhe ka vajtur pranë qytetarit.

Personi me inicialet T.T pas përpjekjeve nga punonjësit shoqërues të autokolonës ka hequr dorë nga vetëvrasja pasi ka vërejtur kryeministrin Yıldırım, i cili e përqafoi qytetarin dhe u përpoq ta ngushëllonte.

Kryeministri Yıldırım pasi ka qetësuar qytetarin i ka dhënë ujë dhe duke e kapur për dore kanë udhëtuar bashkë në automjetin e tij, për në qendrën e kongreseve Haliç, për të marrë pjesë në ceremoninë martesore të vajzës së ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Numan Kurtulmuş.

"Një veprim të tillë nuk duhet ta ndërmarrësh më. Ne jemi muslimanë, dhe asnjë gjë nuk mund të jetë arsye që një njeri t'i japë jetës së tij fund. Të gjithë herë herë kemi patur momente të vështira që kemi kaluar. Në raste të tilla njeriu duhet të mbështetet tek Allahu dhe të bëjë durim. Në fund të çdo errësire ka një dritë, pas çdo situate të vështirë ka një lehtësim. Shpresat nga krijuesi ynë nuk duhet t'i humbim. Allahu e deshi që ne të dy të takoheshim në këtë situatë. Pas kësaj gjithçka do të jetë më e bukur, mos u mërzit", i është shprehur Yıldırım qytetarit gjatë bisedës që ka vazhduar në sallën e dasmës.

Në anën tjetër është vërejtur se personi T.T ka qenë i lënduar në gjoks pasi është hedhur në mesin e urës nga taksia me të cilën kishte ardhur. Pas ndërhyrjes së parë nga mjekët e kryeministrisë personi është dërguar me ambulancë në spital.

Qytetari T.T që kryeministri Binali Yıldırım e bindi të heqë dorë nga vetëvrasja, mësohet se ishte i stresuar për shkak të problemeve me vëllezërit/motrat e tij dhe se për këtë arsye ka tentuar të vetëvritej.

EMISIONET