Në vijim të vizitës së tij dy ditore në Hollandë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj dhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, u prit dje në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Roterdanimit, Ahmed Aboutaleb. Në takimin ku morën pjesë edhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve ligjzbatuese holandeze, u fol për procesin e integrimit dhe rritjen e bashkëpunimit mes Bashkisë së Roterdamit dhe asaj të Tiranës në projekte konkrete.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se qëllimi i këtij takimi ishte gjithashtu prezantimi te autoritetet holandeze i Shqipërisë europiane dhe reformave që ajo ka ndërmarrë, për të merituar hapjen e bisedimet për anëtarësimin në BE. 

“Kemi pasur dy ditë intensive në Hollandë edhe të gjithë e dimë se Hollanda ka qenë një nga vendet që ka treguar skepticizëm në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë. Patëm një ofensivë komunikimi bashkë me ministrin e Brendshëm dhe ministren e Drejtësisë dhe unë besoj se duhet të funksionojmë si skuadra “Shqipëria”. Këtu nuk ka rëndësi fare qeveri, opozitë, autoritete lokale, qendrore, sepse të gjithë jemi për një qëllim: në qoftë se prezantohemi si një skuadër, ku secili tregon reformat e kryera në qeverisjen qendrore dhe lokale, besoj se kemi një argument shumë të fortë për të kërkuar që edhe Hollanda t’i bashkohet listës të madhe të vendeve që kërkojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Veliaj.

Pas takimeve, ai u shpreh optimist për mbështetjen e propozimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit. “Ishte një moment i mirë për të treguar këtë kartolinë të Shqipërisë, që sigurisht ka halle, probleme dhe sfida, por që po bën në kohë rekord reforma që nuk janë bërë në vite të tëra. Besoj se konfirmimi në bllok që morëm nga dëgjuesit tanë, qoftë në takimet zyrtare apo edhe në takimet akademike e diplomatike, na dëshmon se kemi një kauzë të vërtetë për të mbrojtur, teksa kërkojmë që Shqipëria të fillojë negociatat për Bashkimin Europian. Kjo është një ditë e mirë për Shqipërinë edhe këtu në Hollandë”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave për integrimin në BE, pasi ka bërë reforma të mëdha në forcimin e shtetit ligjor dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa theksoi se procesi i integrimit duhet të jetë interesi i të gjithë shqiptarëve, larg dasive politike. “Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, duke filluar nga kryeministri deri tek autoritetet më modeste lokale, për të krijuar një Shqipëri europiane nga reforma në drejtësi, tek mënyra se si menaxhohen territoret, përgatitjet për turizmin dhe publiciteti pozitiv që Shqipëria po merr nga mediat ndërkombëtare, të cilat kanë akses në atë që realisht po ndodh në Shqipëri. Besoj se ka ardhur koha që ashtu siç kemi prezantuar në Hollandë imazhin e një Shqipërie të re, të një Tirane të re, të një qeverie dhe të një bashkie që po lufton për të prodhuar një rezultat në një vend dinjitoz evropian, ashtu do të duhet të vazhdojmë përtej ndasive tona politike”, u shpreh kryebashkiaku. 

Në vizitën e tij në Holandë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi edhe një leksion të hapur me studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Mjedisit në “Delft University of Technology”, me të cilët ndau eksperiencën e ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në Tiranë. Kryebashkiaku prezantoi projektet e realizuara gjatë këtij mandati në kryeqytet, si dhe masterplanin e ri të zhvillimit të Tiranës.

“Ishte një kënaqësi që u bëra pjesë e një leksioni në universitetin e Delft-it, një nga universitetet elitare që prodhon shumicën e arkitektëve dhe urbanistëve në Holandë. Shumë prej tyre kanë hedhur rrënjë në Tiranë dhe po punojnë projekte, duke filluar nga Piramida, tek sheshet, te rilindja urbane, që si ide e kryeministrit u përhap përtej Tiranës, në çdo qytet të Shqipërisë dhe sot po shikojmë si po zbatohet edhe në Francë, apo në vende të tjera në Europë. Këto janë të gjitha lajme të mira”, përfundoi Veliaj.

/Ora News.tv/