Kriza politike, zyrtari i DASH vjen në Tiranë
Shtatori nuk ka vënë në lëvizje vetëm politikën shqiptare e cila po vuan ndoshta një nga krizat me të thella në vitet e fundit, por edhe faktorin ndërkombërtar. Duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar interesin, ndërsa të enjten në Tiranë do të vijë Drejtori për Ballkanin në Departamentin e Shtetit David Kostelancik. Televizioni Ora ka konfirmuar se zyrtari i lartë amerikan do të takohet me Bashën, ndërsa ka pak të dhëna mbi axhendën e takimeve të tjera.
Drejtori për Ballkanin në Departamentin e Shtetit David Kostelancik, të mërkurën do të ndalet në Tiranë, në një takim me liderët politik, përfshirë kryetarin e opozitës Lulzim Basha.
Në një kohë kur kriza potlike në vendin tonë është thelluar, duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar vëmendjen drejt Shqipërisë.
Kjo axhendë ende e pa bërë publike, e zyrtarit të lartë amerikan, vjen vetëm pak ditë pas emërimit të Mattheë Palmer si përfaqësues i posaçëm për rajonin.
Kostelancik është një diplomat karriere, ndërsa e njeh mirë realitetin politik dhe social në Shqipëri, për faktin se më herët ka qenë pjesë e stafit të Ambasadës amerikane në Tiranë.
Deri pak muaj më parë ai ka qenë zëvendësambasador i ShBA-së në Hungari.
Gjithashtu ka mbuluar në Departamentin e Shtetit marrëdhëniet me Rusinë.
Por krahas amerikanëve, kriza politike duket se ka venë në lëvizje edhe gjermanët.
Pritet që në mes të shtatorit një delegacion i Bundestagut të ndalet në takime intensive në Tiranë.
Në fokus pritet të kenë jo vetëm krizën politike, por dhe çështjen e statusit të vendit kandidat, për të cilin Këshilli Europian do të shprehet në tetor.
Përtej kësaj, klimën e acaruar politike nuk ka mundur ta zbusin pushimet e gushtit.
Lufta mazhorancë- president është riaktivizuar, ndërsa opozita ka nisur takimet për rikthimin e aksionit, me qëllim largimin e qeverisë.
Lulzim Basha takimet do ti nisë me ish-deputetët dhe të deleguarit në qarqe, ndërsa të enjten ka thirrur në zyrën e tij aleatët opozitarë.
