Me qëllimin e përbashkët, atë të goditjes së veprimtarive kriminale, dy drejtuesit e policive kufitare të Shqipërisë dhe Greqisë kanë zhvilluar një takim në Kapshticë. Zyrtarja e lartë shqiptare, Aida Hajnaj, tha se rritja e bashkëpunimit në këtë drejtim ka sjellë  rezultate konkrete.

Aida Hajnaj: Në takimin e sotëm u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e ngushtë midis Drejtorive lokale të kufirit të të dy palëve, patrullimet e sinkronizuara që janë vendosur dhe që po zbatohen nga të dyja palët, në Kufirin e Gjelbër si dhe në pikat e kontaktit. Gjithashtu në takimin e sotëm u diskutua dhe në parim ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, e cila do të fillojë me Kakavijën dhe pastaj do të zbatohet në të gjitha pikat e tjera që janë në kufirin me Greqinë.

Ndërkohë, drejtorja  e Përgjithshme e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë Greke, Lejtnant Zaharoula Tsirigoti tha se me rëndësi mbetet edhe përmirësimi i kuadrit ligjor.

Zaharoula Tsirigoti: Objektivi ynë i ardhshëm është plotësimi i kuadrit ligjor për qendrën e përbashkët të kontaktit policor dhe bashkëpunimit doganor në Kakavije dhe vazhdimin e masave që tani jemi duke zbatuar, patrullime të përbashkëta dhe takimet e përbashkëta që po zhvillohen në luftë kundër kriminalitetit.

Kohët e fundit janë goditur disa raste të trafikut të drogës në pikat e kalimit kufitar, ku janë shoqëruar edhe disa persona.

/Ora News.tv/